Bullgari, qeveria miraton planin e veprimit për anëtarësimin në euro

07/09/2018 10:03 PM 0 komente

Qeveria e Bullgarisë miratoi një plan veprimi që parashikon që vendi të hyjë në “Paradhomën” për anëtarësimin në euro dhe gjithashtu të bëhet pjesë e bashkimit bankar të këtij blloku, deri në fund të qershorit të vitit të ardhshëm, shkruan Reuters.

Bullgaria aplikoi për të hyrë në Mekanizmin e Kursit të Këmbimit (ERM-2), një pararendës i detyrueshëm dyvjeçar për adoptimin e euros, pasi ministrat e Financave të Eurozonës dhe Banka Qendrore Europiane i dhanë Sofjes dritën jeshile. Nëse Bullgaria do të pranohet në Bashkimin Bankar, atëherë kjo do t’i lejojë BQE-së të monitorojë huadhënësit e saj kryesorë.

Për të rritur mundësitë në këtë drejtim, Sofjes i duhet që të përmirësojë kornizën e saj makrofinanciare, të forcojë mbikëqyrjen e sektorit financiar jobankar, duke përfshirë fondet e pensioneve dhe firmat e sigurimeve, si dhe të punojë më shumë për të luftuar krimin e organizuar dhe pastrimin e parave. Ajo ka gjithashtu nevojë që të përmirësojë strukturën ligjore duke hartuar ndryshimet përkatëse legjislative.

“Zbatimi i reformave të mësipërme do të rrisë mundësitë për të qenë pjesë e Mekanizmit të Kursit të Këmbimit (ERM-2) dhe bashkimit bankar, deri në korrik të vitit 2019, dhe si rrjedhojë euro do të adoptohet në vend, tha në një deklaratë qeveria e qendrës së djathtë.

Banka Qendrore Europiane pritet të kryejë një rishikim të cilësisë së aktiveve dhe testeve të stresit në bankat bullgare përpara se të japë miratimin për hyrjen në një proces që mund të zgjasë një vit, por mund të jetë edhe më i gjatë, në varësi të përparimit të vendit të Detit të Zi. Me inflacionin e ulët, tepricat buxhetore dhe borxhin e ulët publik, Bullgaria tashmë plotëson kriteret kryesore për adoptimin e monedhës së përbashkët.

Por, PBB-ja për banor, është vetëm gjysma e mesatares së BE-së, dhe niveli i lartë i dhënies së ryshfeteve dhe problemet në disa prej bankave të saj, janë disa prej faktorëve që kanë hedhur një hije të rëndë mbi perspektivat e euros.
Banka e saj e katërt më e madhe falimentoi në vitin 2014 dhe likuidimi i një kompanie sigurimesh me bazë në Qipro ka lënë rreth 200,000 bullgarë pa kryer sigurimin e makinave, duke shkaktuar rrjedhimisht edhe dorëheqjen e kreut të mbikëqyrjes të sigurimeve.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz