Bullgari, rregulla të reja të biznesit mbi industrinë e automjeteve

15/03/2019 10:01 PM 0 komente

Prej kohësh, sindikatat bullgare të punës merren me çështje si ekonomia gri dhe punësimi joformal

 

Së fundmi, një nga sindikatat më të mëdha të Bullgarisë, Konfederata e Sindikatave të Pavarura Bullgare (CITUB) paraqiti projektin për të luftuar ekonominë gri, kryesisht në katër sektorë: tregtia, riparimi i automjeteve dhe trajnimi i shoferëve, industria e lehtë, industria e ndërtimit dhe bujqësia.

Konfederata e Sindikatave të Pavarura Bullgare theksoi faktin se ekonomia gri ndikon negativisht në treg, në Thesarin e Shtetit, në sistemin e sigurimeve shoqërore, në nivelin e punësimit, në shëndetësi dhe të drejtat e punonjësve. Tregtia, riparimi i automjeteve dhe trajnimi i shoferëve është sektori me rrezikshmërinë më të madhe, ku biznesi gri dhe punësimi në të zezë mund të marrin edhe jetë njerëzish.

Është koha për të miratuar një rregullore të përbashkët që do të zbatohet nga i gjithë sektori dhe do të jetë e dobishme për tregtarët e vegjël dhe të mëdhenj të automjeteve dhe pjesëve të këmbimit në tregun bullgar, tha kryetari i Union Autoservice, Emil Germanov. Shërbimi teknik i automjeteve nuk i nënshtrohet asnjë rregulloreje të shtetit bullgar, gjë që bën të mundur importimin e një game të gjerë pjesësh këmbimi në mënyrë të paligjshme.

Për më tepër, disa pika servisesh punojnë pa licencën e nevojshme dhe numri i punëtorëve që punojnë në të zezë në këto pika është i lartë.
Shumica e tyre nuk i ndjekin aspak udhëzimet e prodhuesve dhe nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për cilësinë e riparimeve apo punëve të ndryshme për mirëmbajtjen e automjeteve. Më e keqja nga të gjitha është se ata nuk respektojnë as rregullat e sigurisë teknike.
Drafti i ri, që lidhet me shërbimet e automjeteve, parashikon krijimin e një regjistri publik të të gjitha riparimeve të automjeteve. Ata që do të merren me këtë punë do të mbajnë edhe përgjegjësitë që i takojnë. Union Autoservice përfaqëson biznesin e vogël dhe të mesëm dhe ne nuk kemi lidhje me Shoqatën e Importuesve të Automjeteve. Megjithatë, ekonomia gri ndikon te të gjithë ne, sepse pengon konkurrencën e ndershme, tha më tej z. Germanov.

Sipas të dhënave të mbledhura dhe të analizuara nga Union Autoservice, bullgarët kanë disa prej makinave më të vjetra në Europë. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Kombëtare, numri i automjeteve të regjistruara në Bullgari tejkalon shifrën prej 4.2 milionë makinash.Afërsisht, rreth 3.5 milionë prej tyre janë dhjetëvjeçare apo edhe më të vjetra dhe mbi gjysmë milion makina janë 20-vjeçare apo edhe më të vjetra. Numri i automjeteve që regjistrohen çdo vit në Bullgari varion nga 300,000 deri në 310,000 makina.

Vetëm 10% e tyre janë automjete të reja. Bullgaria ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë nga aksidentet rrugore në të gjithë BE-në, e cila shkaktohet edhe për shkak të numrit të madh të automjeteve të vjetra dhe aspak të mirëmbajtura. Së shpejti ne do të shikojmë një rritje të lartë të importit të automjeteve me naftë nga Europa Perëndimore, shprehet Emil Germanov.

Sipas analizës së Shoqatës së Bizneseve Europiane, eksporti i automjeteve me naftë nga Gjermania u rrit me 20% gjatë një viti të vetëm. Shumica e makinave me naftë eksportohen në Ukrainë, Kroaci dhe Bullgari (mbi 27.7%). Në lidhje me atë se çfarë duhet të presim në vitet në vijim, një rritje të nivelit të ndotjes së ajrit apo të importit të automjeteve të reja, z. Emil Germanov përgjigjet:

“Ne mund të presim që së shpejti të rriten importet e automjeteve me standard emetimi Euro 6 (standardi më i lartë mjedisor në BE). Gjermania, ashtu siç dihet, ka filluar ndalimin e makinave me naftë në disa qytete, për shkak të ndotjes së madhe që ato i shkaktojnë mjedisit. Për pasojë, koncesionarët e makinave kanë filluar që t’i shesin këto automjete kryesisht në shtete të cilat nuk kanë vendosur rregulla apo kufizime në drejtim të përdorimit të makinave me naftë.

Shumica e automjeteve të dorës së dytë që shiten në Bullgari janë shtatë deri në dhjetëvjeçare. Megjithatë, disa prej automjeteve me naftë, të cilat tani janë të ndaluara për t’u përdorur në Europën Perëndimore janë edhe më të reja, ato shkojnë nga tre deri në katër vjet. Nga njëra anë, kjo gjë është shumë e mirë për tregun bullgar të makinave me naftë, por çmimi i tyre është më i lartë se ajo që mund të përballojnë blerësit bullgarë. Çmimi i automjeteve të tilla varion nga 28,000 deri në 30,000 euro, ndërsa çmimi i makinave të reja nga
60,000 deri në 70,000 euro.

Ndoshta ne do të fillojmë t’i importojmë ato kur çmimi i tyre të bjerë në 20,000 euro. Besoj se kjo është një gjë shumë e mirë për vendin tonë sepse standardi i emetimeve Euro 6 është miqësor ndaj mjedisit. Dhe sigurisht që një makinë 3-vjeçare nuk mund të krahasohet me një makinë mbi 20-vjeçare, në drejtim të ndotjes së ajrit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of