Numri i banesave të pabanuara në Bullgari po rritet, duke shkuar në më shumë se 1.220.416 shtëpi, ose më shumë se 31% e të gjitha shtëpive në vend, njoftoi Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Punëve Publike.
Në të njëjtën kohë, gjithnjë e më shumë njerëz nuk kanë mundësi të blejnë një shtëpi dhe kanë nevojë për përkrahje sociale për të pagur qiranë e tyre.
Për këtë arsye, një nga detyrat kryesore në menaxhimin e strehimit në Bullgari është gjetja e mënyrave për të reduktuar numrin e banesave të pabanuara dhe për të rritur përdorimin e tyre. Ky është një nga qëllimet e përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Strehimit, e cila u hodh për diskutim publik në faqen e internetit të Ministrisë. Sipas kësaj strategjie, deri në vitin 2020, sektori i ndërtimit do të rritet me rreth 20,000 banesa në vit. Këto parashikime bazohen në rritjen ekonomike në vend dhe në interesin e investimeve në rritje, që shprehet në kërkimin e tokës dhe numrin e madh të lejeve të ndërtimit që janë lëshuar.
Numri i banesave e kapërcen numrin e familjeve, duke u bërë lehtësisht i krahasueshëm me atë të BE-së (550 banesa / 1000 banorë). Por problemi kryesor në këtë drejtim është se mundësitë financiare për të blerë një shtëpi apo për ta marrë atë me qira po përkeqësohen. Raporti kosto / të ardhura po rritet. Në vitin 2015, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave, kostoja e strehimit i tejkalon me 6.6 herë të ardhurat. Ndërsa nëse do ta krahasojmë me vitin 2013, ky raport është 6.3.
Një problem tjetër i identifikuar në këtë strategji është strehimi publik, i reduktuar në një normë simbolike prej 2.4%. Ai është i vështirë për t’u menaxhuar, për shkak se ka një numër të madh ndërtesash private dhe se bashkitë kanë burime të kufizuara për ta menaxhuar atë.
Për këtë arsye duhen gjetur mekanizmat e nevojshëm për përshtatjen e stokut ekzistues të ndërtesave dhe përdorimin në mënyrën më racionale.
Një ide në këtë drejtim është që të bëhen disa ndryshime tatimore, duke ofruar stimuj për të mundësuar që një banesë e pabanuar të përdoret për qëllime sociale. Qëllimi i diskutimit publik të strategjisë është mbledhja e sa më shumë ideve dhe zhvillimi i mekanizmave më të mirë kundrejt të gjitha palëve të interesuara, tha Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Punëve Publike.
Strategjia thekson se mbi 91% e shtëpive në dispozicion janë ndërtime të forta prej betoni. Më shumë se tre të katërtat e apartamenteve të vendit janë në ndërtesa që kanë më tepër se 30 vjet që janë ndërtuar. Mungesa e mirëmbajtjes ka përkeqësuar gjendjen e tyre, prandaj rikonstruktimi i tyre është i domosdoshëm, citohej në strategjinë e publikuar online.
Në raport thuhej se numri i pronarëve të shtëpive që e kanë të vështirë të mirëmbajnë pronat e tyre në kushtet aktuale të tregut është në rritje. Megjithatë, për shkak se shumë njerëz kanë vështirësi në gjetjen e fondeve për të mbajtur shtëpitë, këshillohet që ata të mund të përdorin kredi me interes të ulët, ose instrumente të tjera financiare që mund të kombinohen me një grant. Ndihma do të varet edhe nga masat që do të financohen.
Mbi të gjitha, politikat e strehimit aktiv dhe sistematik duhet të përcaktohen qartë në nivel qendror dhe lokal. Në nivel qendror, nevojitet një organ që të administrojë një sistem gjithëpërfshirës të subvencionimit të strehimit dhe zbatimin e një politike kombëtare të strehimit. Në nivel lokal, kapaciteti është i nevojshëm për të krijuar dhe për të zbatuar programet komunale të banimit.
Kjo nuk do të thotë që shteti të përjashtohet nga përgjegjësitë e strehimit social dhe ripërtëritjen e fondit
ekzistues për të përmbushur angazhimet e Axhendës së Re për Qytetet e BE-së dhe Axhendës 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm, përfundoi Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Punëve Publike në Bullgari.