Bullgaria regjistroi një rritje me 7.3% të numrit të turistëve të huaj gjatë periudhës janar-nëntor 2017 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave.
Gjatë 11-mujorit 2017, vendi u vizitua nga 8,425,620 turistë të huaj. Pjesa më e madhe e tyre ishin nga Greqia, Rumania, Gjermania, Turqia, Rusia dhe Maqedonia.
Më shumë se 1,060,000 turistë nga Greqia vizituan Bullgarinë gjatë 11-mujorit, duke shënuar rritje me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2016. Rritje me 12% u shënua edhe për turistët nga Turqia. Sipas statistikave, numri i turistëve nga Rumania ishte 1,054,170; ai nga Gjermania më shumë se 853,120 (në rritje me 5%). Vetëm në muajin nëntor, numri total i turistëve të huaj që vizituan Bullgarinë arriti në 399,517.
“Këto shifra janë pozitive. Nëse ne e ruajmë këtë ritëm, kemi mundësinë ta kalojmë numrin 9 milionë turistë në vit. Kjo do të ishte një shifër rekord dhe ne do të punojmë fort që ta arrijmë këtë”, tha ministrja e Turizmit e Bullgarisë, Nikolina Angelkova, sipas zyrës së shtypit të ministrisë. Ajo shtoi se Ministria e Turizmit do të vijojë punën për ta shndërruar Bullgarinë në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit.
Ministrja Angelkova shtoi se “këto shifra na japin motivimin dhe mundësinë që ne të përpiqemi që në vitin 2018, Bullgarinë ta vizitojnë 10 milionë turistë”.
Sipas Bankës Qendrore, të ardhurat nga turizmi për periudhën janar – tetor 2017 arritën në 6,3 mld BGN, në rritje me 9.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në muajin tetor 2017, të ardhurat nga turizmi ndërkombëtar arritën rreth 394 milionë BGN (në rritje me 6.6% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar).
Burimi: Novinite