Kryeministri i ri bullgar, Boiko Borisov, premtoi se do të nxisë rritjen ekonomike dhe nivelin e të ardhurave në shtetin më të varfër të Bashkimit Europian, pasi qeveria e tij e koalicionit u miratua nga Parlamenti.
Vota u konsiderua thjesht si një formalitet, pasi partia GERB e Borisovit, e cila fitoi zgjedhjet e parakohshme në mars, nënshkroi një marrëveshje koalicioni me Patriotët e Bashkuar (UP), një aleancë e tre partive nacionaliste, për të formuar një mazhorancë qeverisëse në vend. Partia e vogël populiste “Will” (Voyla) votoi në mbështetje të qeverisë së re, ndërsa Partia Socialiste e Majtë dhe Partia Etnike Turke, MRF, votuan kundër.
Kryeministri Borisov u zotua se do të ndërtojë më shumë autostrada dhe do të luftojë korrupsionin për të drejtuar në mënyrën më të mirë të ekonominë e vendit.
Kjo gjë do të ndikojë edhe në rritjen e pagës mesatare mujore me 50% në katër vitet e ardhshme, duke i mbajtur të ardhurat dhe taksat e korporatave të pandryshuara në 10%, u shpreh Kryeministri.
“Ne do të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për rritjen e të ardhurave të njerëzve”, tha në Parlament, 57-vjeçari Borisov para votimit.
Borisov premtoi se do të ndërtojë një organ të posaçëm për të parandaluar marrjen e ryshfeteve në nivel të lartë, por analistët mbeten skeptikë ndaj përpjekjeve të tij reformiste.
Sipas indeksit të Transparency International, Bullgaria renditet vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit në BE-së dhe është pikërisht dështimi i saj për ta çrrënjosur korrupsionin që e ka privuar vendin për të qenë pjesë e zonës Schengen dhe mbi të gjitha, duke shkaktuar një nivel të lartë stresi në radhët e investitorëve të huaj.
Borisov tha se qeveria do të mundësojë një paketë lehtësuese fiskale për të rritur pensionet minimale shtetërore, të cilat janë ndër më të ulëtat në BE, por planifikon që të ulë gradualisht deficitin fiskal dhe të arrijë një buxhet të balancuar deri në vitin 2020.
Në ditën e parë në detyrë, ministri i Financave, Vladislav Goranov, u shpreh se ekonomia do të rritet nga 3.3 në 3.5% gjatë këtij viti, më shpejt sesa ishte parashikuar dhe theksoi se shpenzimet sociale të planifikuara nuk do të shtynin deficitin fiskal përtej 1.4% të PBB-së në vitin 2017.
Ai tha se boshllëqet në buxhet mund të jenë më të vogla, duke pasur parasysh planet për të rritur mbledhjen e taksave dhe për shkak të përdorimit më të ngadaltë të fondeve të BE-së.
Paga mesatare mujore, në 962 leva (538 dollarë), mbetet më e ulëta në 28 vendet e BE-së dhe as që krahasohet me një pagë minimale në Gjermani, e cila është 1,440 euro (1,573 dollarë).
Qeveria e re me nacionalistët në krye do të respektojë për herë të parë angazhimet e Bullgarisë ndaj aleatëve të saj në Bruksel dhe Uashington.
Kjo qeveri me shumicën e saj të brishtë mazhoritare, pritet të zgjasë së paku deri në korrik të 2018-s, ndërsa që nga janari, Bullgaria do të marrë anëtarësimin gjashtëmujor në BE.