2017 do të mbahet mend si një vit i mirë për ekonominë bullgare e cila shënoi një normë rritjeje të PBB-së prej 4%. Disa thonë se ajo është në të vërtetë mbi 6%, nëse do të llogarisnim ekonominë e hijes. Por a janë këto nivele të arritura të larta apo të mjaftueshme?
Krahasuar me vitet e pas krizës të vitit 2008, një nivel i tillë duket i mirë, dhe me të vërtetë ai është, sepse kjo gjë reflektohet në rritjen e mirëqenies së çdo qytetari (pagat u rritën me rreth 10%). Në disa prej rajoneve më të avancuara të vendit, pagat pothuajse kanë arritur nivelet e pagave mesatare europiane.
Tani që mirëqenia e bullgarëve ka shënuar rritje, ata kanë filluar ta reflektojnë një gjë të tillë në blerjen e pasurive të patundshme dhe makinave të shtrenjta.
Bumi në ndërtimin e shtëpive të reja ka arritur përmasa të tilla që, sipas ekspertëve, konsiderohet si një “flluskë e re”. Por kjo rritje e lartë nuk është vetëm në fushën e ndërtimit, sepse ajo shihet edhe në shitjet e automjeteve që po shënojnë rekorde të larta, duke e çuar ritmin e rritjes në këtë sektor ndër më të lartat në Europë.
Në përgjithësi, analistët thonë se motorët kryesorë të rritjes ekonomike në Bullgari ishin eksportet dhe konsumi i brendshëm. Rritja e PBB-së me 4% është një hap shumë i mirë, por është një rezultat tepër modest, krahasuar me normat e zhvillimit ekonomik të vendeve të tjera të Europës Qendrore dhe Lindore.
Polonia dhe Republika Çeke kanë shënuar rezultate të kënaqshme, me një normë rritjeje të PBB-së prej 5.2 dhe 5% secila. Nga vendet baltike, përqindjen më të lartë e ka arritur Letonia me 6.2%, ndërsa niveli i Rumanisë me një normë rritjeje prej 9% është shumë i lakmueshëm nga shumë vende.
Sipas disa ekspertëve të ekonomisë, rritja relativisht modeste e Bullgarisë është edhe niveli maksimal i saj, duke pasur parasysh mungesën e investimeve të huaja dhe mbi të gjitha, mungesën e fuqishme të krahut të punës.
Gjithashtu ky vend nuk ka kapital të mjaftueshëm për të nxitur ekonominë të ecë përpara dhe një prej arsyeve kryesore është sepse në fabrikat dhe kompanitë e reja që hapen mungon forca punëtore.
Mbështetja te punëtorët e trajnuar dhe profesionistët e kualifikuar që vijnë nga jashtë nuk është zgjidhja e duhur në këtë drejtim, sepse rrogat që ofron Bullgaria, edhe pse ka premtuar që do të rriten, janë ende shumë herë më të ulëta në krahasim me disa prej vendeve të Europës.
Edhe pse në këto kushte, ekonomia po shënon shenja rimëkëmbjeje dhe PBB-ja për herë të parë e ka kaluar barrierën psikologjike prej 50 miliardë eurosh.
Edhe sipas anketave sociale të fundit, për herë të parë në 20 vjet, bullgarët janë shprehur optimistë në lidhje me progresin e ekonomisë.
55% e të anketuarve thonë se presin një vit më të mirë dhe vetëm 9% mendojnë se ky do të jetë një viti i keq. Ndërsa 36 përqindëshi i mbetur shprehen se nuk presin asnjë ndryshim. Kryesisht, optimizmi vjen për shkak të trendit në rritje në ekonomi, rënies së nivelit të papunësisë dhe krijimit të vendeve të punës më të mira dhe mbi të gjitha me paga më të larta për punonjësit me kualifikim të lartë.
Megjithatë, nuk duhet të ndalemi vetën në pamjen e parë të mrekullueshme të kësaj tabloje, sepse nuk duhet harruar varfëria dhe prapambetja, që vazhdojnë të jenë anët e errëta të kësaj shoqërie.
Ende ka shumë rajone të Bullgarisë që janë shumë të varfra, një prej të cilave është vlerësuar edhe si rajoni më i varfër dhe i prapambetur i Europës. Gjithashtu, Bullgaria është në listën e OKB-së si një prej vende më të rrezikuara nga varfëria dhe përjashtimi social.
Bullgaria është në vend të dytë në Europë në listën e OKB-së të vendeve që rrezikohen nga varfëria dhe përjashtimi social.
Bullgarët që jetojnë në qytete të mëdha dhe kryesisht ata që jetojnë në Sofje kanë një nivel të lartë jetese dhe madje sipas standardeve europiane, por jeta për njerëzit që jetojnë në qytete të vogla dhe fshatra është shumë e vështirë edhe për ata të cilët kanë një punë, sepse rrogat janë në nivele të ulëta. Sofja nuk është fytyra e vërtetë e bullgarëve, sepse njerëzit që jetojnë në disa prej fshatrave dhe qyteteve më të varfra kanë shkuar deri aty sa kanë thënë se janë të harruar jo vetëm nga Zoti por, mbi të gjitha, nga qeveria e vendit.
Pritet që edhe 2018 të jetë një viti i mirë kryesisht në rritjen e nivelit të pagës minimale (mbi gjysma e popullsisë janë më pagë minimale), që pritet të shkojë në 255 euro në muaj. Ndërsa pjesa tjetër, rreth dy të tretat e popullsisë, paguhen me më pak se 500 euro në muaj. Megjithatë, përpos vështirësive të shumta, jo gjithçka mund të konsiderohet e humbur për ekonominë bullgare gjatë këtij viti, i cili shpresohet që të ecë në rrugën e mbarë të 2017.