Rreth 4.5 milionë turistë vizituan Bullgarinë midis janarit dhe korrikut, që është e barabartë me 16.9% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Vera e këtij viti rezulton të jetë si më e suksesshmja në industrinë e turizmit bullgar, deklaroi ministrja e Turizmit, Nikolina Angelkova.
Ajo vuri në dukje një rritje prej 20.6% në numrin e turistëve që kaluan pushimet e tyre në Bullgari në muajin korrik.
Numri i të huajve që vizituan Bullgarinë atë muaj qoftë për punë apo për pushime arriti shifrën prej 1.87 milionësh, një shifër rekord kjo për shekullin e 21-të.
Një total prej 4.5 milionë turistësh vizituan Bullgarinë ndërmjet janarit dhe korrikut 2016, që është 16.9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Shtatë muajt e parë ishin më të suksesshmit e këtyre 10 viteve të fundit, u shpreh Angelkova. Ministrja shtoi gjithashtu se nëse mbahet i njëjti ritëm edhe për muajin gusht dhe shtator, kjo verë mund të konsiderohet pa frikë si më e suksesshmja dhe ku rezultatet do të tejkalojnë të gjitha pritshmëritë.
Sipas statistikave, numri i turistëve rusë shënoi rënie gjatë dy viteve të kaluara, si pasojë e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, por këtë vit ata u janë rikthyer vendpushimeve të tyre në Detin e Zi të Bullgarisë.
Ata shënojnë edhe numrin më të madh të turistëve të huaj për muajin korrik – 151,874, e ndjekur nga gjermanët, 143,308 dhe polakët, 80,412.
Ndërkohë, Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit raportoi rënie të shkeljeve ligjore të kryera nga turistët.
Nga fillimi i sezonit të verës e deri tani, komisioni tha se ka kontrolluar 2,397 vende turistike, dhe se shkeljet apo keqpërdorimet e regjistruara shënohen nga 6 deri në 8% të rasteve.
Në sezonet e mëparshme turistike, rastet e praktikave mashtruese zakonisht tejkalonin shifrën 10%.
Si rezultat i kësaj, kryetari i komisionit e deklaroi këtë sezon turistik “të suksesshëm dhe të qetë”.
Një nga pakënaqësitë më të mëdha të turistëve ishte mungesa e menyve në restorante të ndryshme. Kjo gjë ndodh sepse pronarët e restoranteve deklarojnë çmime më të ulëta në menytë e tyre në krahasim me çmimet që ata vendosin për konsumatorët.
Një tjetër pakënaqësi e turistëve është cilësia e dobët e transportit.
Ndërkohë që numri i turistëve të huaj që kanë vizituar Bullgarinë këtë verë është rritur në shifra të konsiderueshme, edhe numri i shtetasve bullgarë që kanë dalë jashtë shtetit për pushime verore është rritur gjithashtu.
Destinacionet më të pëlqyera për bullgarët mbeten Greqia dhe Turqia, kjo edhe si pasojë e çmimeve të këtyre vendeve që janë pothuajse në të njëjtat nivele me ato bullgare dhe për shkak të cilësisë më të lartë të shërbimeve që ofrojnë.