Sipas ekspertëve të ekonomisë në Bullgari, papunësia shënoi nivelin e saj më të ulët gjatë vitit 2017. Pothuajse çdo bullgar në moshën e duhur për punë, ishte në marrëdhënie pune. Sipas të dhënave, rreth 3 milionë e 225 mijë njerëz ishin të punësuar në tremujorin e tretë të vitit.
Ekonomistët thonë se një prej arsyeve kryesore është rritja e ekonomisë me rreth 4%.
Olga Chugunska nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Bullgare thotë se gjatë 12 muajve të fundit ka pasur ringjallje të ekonomisë dhe kompanitë po punësojnë gjithnjë e më shumë punonjës, prandaj edhe shkalla e papunësisë ka shënuar rënie drastike.
Megjithatë, mosbalancimi rajonal vazhdon, pasi mundësitë më të mëdha për punësim janë në qytetet e mëdha.
Petar Ganev, ekspert ekonomie, thotë se rreth 70% e vendeve të reja të punës u hapën në Sofje, Plovdiva dhe Stara Zagora, ku rekordin e shënoi Plovdiva me hapjen e rreth 48,000 vendeve të reja të punës.
Sipas analizës së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Bullgare, numri më i madh i të papunëve është në mesin e njerëzve me arsim të mesëm, duke arritur pothuajse shifrën 100,000 njerëz. Mbi 65,000 njerëz me arsim fillor janë të papunë. Numri më i vogël i të papunëve është në mesin e njerëzve me arsim të lartë, më pak se 35,000 njerëz.
Znj. Chugunska thotë se ka një kërkesë të fortë për profesionistë në sektorin e IT-së. Ka vende të lira pune në sektorin e ndërtimit, në industrinë e turizmit dhe ka gjithashtu kërkesë për shoferë ndërkombëtarë në sektorin e transportit.