Agjencia e vlerësimit “Standard Poor’s” e ka ndryshuar vlerësimin mbi normën e kreditit sovran të Bullgarisë nga e qëndrueshme në pozitive. Ky ndryshim vlerësimi vjen si pasojë e rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit ballkanik dhe performancës së qëndrueshme fiskale.
S&P konfirmoi vlerësimin afatgjatë të Bullgarisë për normën e kredit sovran në BB+, një nivel nën gradën e investimeve, por ajo tha se ai mund të përmirësohej edhe gjatë 12 muajve të ardhshëm nëse Sofja do të vazhdonte të minimizonte më tej dobësitë e saj makroekonomike dhe nivelin e kredive me probleme.
“Rishikimi i perspektivës pasqyron shpresën tonë që treguesit fiskalë dhe të jashtëm të Bullgarisë do të vazhdojnë të përmirësohen dhe se autoritetet do të ndërmarrin hapa të mëtejshëm për të forcuar sektorin financiar të Bullgarisë”, thuhej në deklaratën për shtyp të S&P-së.
Një tjetër faktor nxitës, që do të ndikojë në përmirësimin e mëtejshëm, mund të jetë pranimi i Bullgarisë në Mekanizmin e Kursit të Këmbimit të Bashkimit Europian (ERM-2), por duke vënë në dukje faktin se pengesat politike në këtë proces ishin ende të larta.
“Ne gjithashtu mund të rrisim vlerësimin nëse Bullgarisë i jepet e drejta për t’u bërë pjesë e strukturës së Mekanizmit të Kursit të Këmbimit të Bashkimit Europian (ERM-2), duke menduar se kjo gjë do të ndikojë në forcimin e mëtejshëm të besueshmërisë politike të saj. Megjithatë, ne mendojmë se ky pranim do të vonohet edhe për disa vite të tjera, thuhej më tej në deklaratë.
Bullgaria i plotëson kriteret formale për të adoptuar euron, por diplomatët dhe bankierët perëndimorë thonë se ekonomia e saj duhet të jetë më në harmoni me ekonominë e vendeve të tjera të pasura të BE-së, përpara se ajo të bëhet pjesë e Eurozonës.
Ministri i Financave bullgare, Vladislav Goranov, u shpreh në një deklaratë për shtyp gjatë javës së kaluar se pranimi i Bullgarisë në strukturat e ERM-2, do të ishte edhe në shenjë mirënjohjeje ndaj përpjekjeve të Bullgarisë në ndërmarrjen e reformave të ndryshme. Ai u shpreh gjithashtu se rritja e kërkesës së brendshme dhe ajo e eksporteve mund të ndikojnë në nxitjen e rritjes ekonomike mbi 3.4%, normës së shënuar gjatë vitit të kaluar.
Bullgaria synon të arrijë një deficit fiskal prej 1.4% të PBB-së gjatë këtij viti dhe planifikon të balancojë buxhetin e saj deri në vitin 2020.
Bullgaria e mbylli 2016 me një tepricë fiskale prej 1.6% të PBB-së.
Guvernatori i Bankës Qendrore Bullgare, Dimitar Radev, tha për Reuters se banka po punonte mbi një plan për të ulur më tej kreditë e këqija që shënuan një rënie në 12.6% të të gjitha kredive në fund të marsit të këtij viti, krahasuar me 14.5% në vitin 2015.