Bullgaria do të fillojë punën në tubacionin e gazit tranzit nga Turqia në Serbi, deri në fund të vitit

03/12/2018 9:19 AM 0 komente

Parlamenti i Bullgarisë miratoi të premten ndryshimet e Strategjisë së energjisë së vendit, duke mandatuar operatorin e sistemit të bartjes së gazit Bulgartransgaz për të filluar punën, deri në fund të vitit, për zgjerimin e sistemit të infrastrukturës së gazit nga kufiri me Turqinë në kufirin me Serbinë.

Pas një vendimi përfundimtar mbi projektin e investimeve, Bulgartransgaz do të fillojë një procedurë të prokurimit publik me një vlerë të parashikuar prej 2.29 miliardë leva, pa TVSH, për të bërë zgjerimet e nevojshme të sistemit të infrastrukturës së gazit në Bullgari, sipas strategjisë së përditësuar të energjisë botuar në faqen e internetit të parlamentit.

Punimet, sipas kontratës, duhet të përfundojnë deri në fund të vitit 2019. Vendimi përfundimtar i investimit varet nga nënshkrimi i suksesshëm i marrëveshjeve të alokimit të kapaciteteve të detyrueshme nën një procedurë të hapur.

Qeveria e Bullgarisë ka marrë një njoftim zyrtar nga Gazprom i Rusisë, për pjesëmarrjen në testin e tregut, që praktikisht do të thotë se seksioni i tubacionit TurkStream për tranzitin e gazit natyror rus në Evropë do të kalojë Bullgarinë, sipas ministres bullgare të energjisë, Temenuzhka Petkova, raporton SeeNews.

Përveç shfrytëzimit të infrastrukturës ekzistuese të transmetimit të gazit, Bullgaria do të duhet të ndërtojë një tubacion të ri prej 484 km në kufirin me Serbinë, një tubacion të ri prej 11 km në kufirin me Turqinë, si dhe dy stacione kompresorësh. Më parë këtë muaj, Bulgartransgaz tha se i ftoi kompanitë të marrin pjesë në fazën 3 të një ankete të tregut mbi kërkesën për kapacitete të reja transmetimi nga kufiri i Turqisë në kufirin e Serbisë. Afati i fundit për aplikim është 10 dhjetor 2018.

Përveç rritjes së kapacitetit për tranzitin e gazit natyror në territorin e saj, Strategjia e azhurnuar e Energjisë i jep dritë jeshile Bulgartransgaz për të marrë pjesë si aksioner në projektin për ndërtimin e një terminali të gazit natyror (LNG) pranë qytetit grek të Egjeut të Aleksandropolis .

Projekti i terminalit LNG të Alexandroupolis është planifikuar të përbëhet nga një njësi lundruese në det të hapur për marrjen, ruajtjen dhe ri-gazifikimin e LNG dhe një sistem të një nënbaze dhe një tubacioni të transmetimit të gazit në tokë, nëpërmjet të cilit do të transportohet gaz natyror në sistem.

 

*SeeNews, përkthim i redaksisë së Monitor.al

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of