Avokatja e Popullit dhe OJQ të ndryshme bullgare i kanë bërë kërkesë Parlamentit Europian që të marrë masa të menjëhershme ndaj të gjitha kompanive që shesin produkte me cilësi më të ulët, duke mashtruar dhe duke u vendosur atyre etiketat e produkteve të njëjta, por me cilësi më të lartë që tregtohen në Europë. OJQ-të bullgare dhe Avokatja e Popullit, nëpërmjet një peticioni të firmosur mbi çështjen e “standardeve të dyfishta”, i kërkuan Parlamentit Europian krijimin e një organi të centralizuar europian ose të një rrjeti organesh kombëtare, të cilat do të kontrollojnë dhe do të monitorojnë cilësinë e ushqimit në BE. Ata besojnë se ekzistenca e standardeve më të ulëta të ushqimit në rajonet lindore të Europës pasqyron një praktikë të paligjshme të biznesit nga kompanitë që “mashtrojnë dhe diskriminojnë” konsumatorët.
“Ky problem nuk ka të bëjë vetëm me mashtrimin që u bëhet bullgarëve dhe europianëve të Lindjes, por edhe me buxhetet e tyre, sepse cilësia më e ulët nuk do të thotë domosdoshmërisht një çmim më i ulët”, u tha gazetarëve Avokatja e Popullit, Maya Manolova.
Ajo gjithashtu vuri në dukje një studim të kryer nga zyra e saj në shtator të këtij viti, i cili zbuloi se pesë produkte ushqimore dhe pije me të njëjtin emër, kryesisht për fëmijët, jo vetëm kishin cilësi më të ulët në Bullgari, por më e keqja është se ato shiteshin me çmime më të larta në Sofje, sesa në Berlin dhe në Vjenë.
Pas një vale të bujshme ankesash nga vende të tilla si Polonia, Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia – agjencia bullgare e sigurisë ushqimore analizoi 31 ushqime dhe pije të bëra nga të njëjtat marka ndërkombëtare që shiten në Bullgari dhe në vendet e tjera të Europës Perëndimore. Ajo gjeti ndryshime të shumta në përbërësit e këtyre produkteve, duke përfshirë në këtë gamë, pijet joalkoolike, lëngjet e frutave, ushqimet për fëmijë, produktet e qumështit, ëmbëlsirat çokollatat dhe disa të tjera.
Rumania gjithashtu u bashkua me vendet e tjera anëtare të Europës Lindore në fushatën kundër këtyre “standardeve të dyfishta” në produkte ushqimore dhe pije të ndryshme. “Ne po përballemi me kërcënimin e ‘Europës me dy standarde’”, tha më tej znj. Manolova.
Numri i OJQ-ve dhe shoqërive të tjera që e kanë nënshkruar këtë peticion ka qenë i madh, duke përfshirë këtu edhe Unionin e Mjekëve të Bullgarisë, Rrjetet Kombëtare të Fëmijëve, Bashkimin Kombëtar të Bukëpjekësve dhe Pastiçerëve dhe shumë të tjerë. Znj. Manolova, e cila ka kërkuar mbështetjen edhe të Avokatëve të tjerë kombëtarë në BE, shprehu optimizmin mbi këtë çështje, sidomos pasi ajo do të shqyrtohet nga Komisioni Europian, ku kryetari i saj Jean-Claude Juncker, u shpreh i prerë për dhënien fund të këtyre standardeve të dyfishta të ushqimit.
Megjithatë, ajo tha më tej se nëse BE-ja nuk ndërmerr masa të shpejta dhe efektive për të mbrojtur klientët e Europës Lindore nga ky problem, ajo do të fillojë një Nismë Qytetare Europiane, e cila është edhe arma më e fortë e demokracisë, por gjithsesi mbetet lëvizja e fundit që ato do ndërmarrin.