Në vazhdën e marrëveshjeve miqësore, Bullgaria ka vendosur të rihapë shërbimet e saj tregtare dhe ekonomike në Shkup të Maqedonisë, me qëllim që të nxisë akoma më tej lidhjet tregtare ndërmjet këtyre dy vendeve.
Ndër objektivat kryesore të shërbimeve tregtare dhe ekonomike do të jetë nxitja e mëtejshme e eksporteve në Maqedoni dhe ndihma që do t’i ofrohet kompanive bullgare për të gjetur partnerë tregtare në Maqedoni për të eksportuar produktet e tyre.
Ky vendim për të rihapur sërish shërbimet tregtare dhe ekonomike vjen pas nënshkrimit të një Marrëveshjeje Miqësie midis dy Kryeministrave të të dyja vendeve më 1 gusht.
Kjo parashikon që Bullgaria të mbështesë kërkesën e Maqedonisë për t’u bashkuar me NATO-n dhe BE-në, të përmirësojë infrastrukturën e tregtisë dhe transportit dhe të lehtësojë proçedurat dhe formalitetet doganore. Bullgaria dhe Maqedonia gjithashtu nënshkruan memorandume për të ndërtuar një lidhje hekurudhore midis Sofjes dhe Shkupit dhe për një partneritet në furnizimin me gaz natyror. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Bullgaria është investitori i gjashtë më i madh në Maqedoni.
Në 2016, firmat bullgare investuan 5.9 milionë euro në tregun maqedonas. Po atë vit,investimet maqedonase në Bullgari arritën 2.5 milionë euro. Investimet bullgare janë të përqendruara kryesisht në sektorin bankar dhe atë të sigurimeve, metalurgjisë, industrisë ushqimore dhe informatikën teknologjike.
Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Ekonomisë bullgare, ekziston mundësia për të ngritur kompani të përbashkëta bullgaro-maqedonase në fushat e bujqësisë, ushqimit, energjisë, transportit, telekomunikacionit dhe ndërtimeve. Tregtia mes dy vendeve fqinje u rrit me 2.1 për qind në 2016 në një total prej gati 640 milionë eurosh, nga të cilat rreth 400 milionë euro janë gjeneruar nga eksportet bullgare në Maqedoni.
“Maqedonia është një partner i rëndësishëm ekonomik, duke marrë parasysh avantazhet e tregut maqedonas për kompanitë bullgare, siç janë kostot e ulëta të transportit dhe mbi të gjitha sepse kërkesat për mallra janë shumë të ngjashme me ato të tregut bullgar”, u tha më tej nga zyra e shtypit të Ministrisë.