Vendimi i Bullgarisë për të rritur kapacitetin e tubacionit Trans-Ballkan tregon qartazi synimin e vendit për të marrë të gjithë vëllimin e gazit të linjës së dytë të projektit të tubacionit natyror TurkStream, sipas Jonathan Stern, themelues i Programit të Kërkimit të Gazit Natyror në Institutin e Oxfordit.
Z. Stern tha se Bullgaria nuk është kandidati më i fuqishëm që mund të marrë linjën e dytë të TurkStream për të transportuar gazin në Europë. Linja do të ketë kapacitetin për të transportuar rreth 15.75 miliardë metra kub gaz natyror në vit.
Së fundmi, Turqia dhe Bullgaria nisën zyrtarisht projektin për tubacionin e ri të Lozenets-Nedyalsko, duke hapur në këtë mënyrë rrugën për eksportin e gazit natyror në Bullgari dhe më pas, transferimin e tij në Europë nëpërmjet Turqisë.
Linja e re do të rrisë kapacitetin aktual të tubacionit Trans-Ballkan nga 14 miliardë metra kub në 15.75 miliardë metra kub. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore të Turqisë, Fatih Dönmez, si dhe ministrja bullgare e Energjisë, Temenuzhka Petkova.
Turqia, e cila synon të bëhet një eksportuese e gazit natyror, ka zbatuar projekte të mëdha në furnizimin me gaz natyror. Ajo nisi tubacionin Trans Anatolian të gazit natyror (TANAP) në qershor dhe synon ta përfundojë projektin e tubacionit të gazit natyror të TurkStream deri në fund të 2019-s.
TurkStream është një projekt i gazsjellësit që shtrihet përgjatë Detit të Zi, nga Rusia në Turqi dhe deri në kufirin e saj më të largët perëndimor.
Linja e parë e tubacionit synon të furnizojë me gaz konsumatorët turq, ndërsa linja e dytë është përcaktuar për konsumatorët në Europën Jugore dhe Juglindore. Çdo linjë do të ketë kapacitet prej 15.75 miliardë metra kub gaz në vit. “Kjo duket si një lëvizje nga ana e Bullgarisë për të marrë të gjithë vëllimin e gazit nga linja TurkStream 2”, vuri në dukje z. Stern.
Megjithatë, z. Stern shpjegoi se vendimi që Operatori TurkStream Gazprom do të marrë në lidhje me rrugën e transferimit të linjës varet se cilat tregje europiane do t’i duken më fitimprurëse Gazprom. Gazprom ka dy vende kandidate për transferimin e gazit për linjën e dytë, shpjegoi z. Stern, duke shtuar se “nëse Gazprom beson se tregu i fundit për gazin e TurkStream 2 është Italia, atëherë Greqia është një opsion më i mirë”.
Por nëse Gazprom beson se tregu i fundit për gazin e TurkStream 2 është në Europën Qendrore, atëherë Bullgaria është një alternativë më e mirë. Rusia po negocion aktualisht plane për linjën e dytë të TurkStream me Greqinë dhe Bullgarinë. John Roberts, një anëtar në Këshillin e Atlantikut për Energjinë Globale tha se duke u bazuar në tubacionin e ri bullgaro-turk Lozenets-Nedyalsko, Gazprom së paku vlerëson mundësinë e dërgimit të gazit TurkStream 2 në Bullgari.
“Por ne duhet të dimë më shumë për gatishmërinë e Gazprom për të përdorur linjat ekzistuese në Ballkan, si p.sh. linja Trans-Ballkanike, ose për të investuar në ndërtimin e infrastrukturës së re në Ballkan, përpara se të gjykojmë sa serioze janë ato”, tha ai më tej. Ai argumentoi edhe se Gazprom mund të shikonte si mundësi transferimin e një pjese të gazit natyror te konsumatorët e tij në Ballkan, nëpërmjet Bullgarisë dhe të pjesës tjetër nëpërmjet Greqisë.
Megjithatë, sipas tij, një prej çështjeve më të rëndësishme është se si Gazprom mund të furnizojë me gaz nëpërmjet linjës TurkStream 2 konsumatorët në Europën Qendrore apo Perëndimore. Në fjalimin e mbajtur gjatë ceremonisë së hapjes, ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Fatih Dönmez, tha se gazsjellësi do të transferojë gaz natyror në Europë, i cili do të ndikojë në furnizimin me gaz natyror të Turqisë dhe Bullgarisë dhe do të rrisë rëndësinë e këtyre dy vendeve në tregun europian të gazit natyror.
Duke vënë në dukje investimet që Turqia ka bërë në infrastrukturën e fortë të gazit natyror, ministri tha se Turqia po ndërmerr hapa të rëndësishëm jo vetëm në drejtim të përmbushjes së kërkesës së vet, por gjithashtu duke iu përgjigjur kërkesave të rajonit në drejtim të energjisë. Ministri turk vuri në dukje se tubacioni do të mundësonte transferimin e gazit nga Turqia në Bullgari, me mundësinë që Bullgaria të merrte gazin rus përmes tubacionit natyror TurkStream.
Duke theksuar rolin e rëndësishëm të Turqisë në afrimin e burimeve të Lindjes së Mesme dhe Kaukaziane në tregjet globale, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore tha se “me infrastrukturën e fortë ekonomike dhe tregjet e parashikueshme, vendi ynë është destinacioni i parë dhe partneri i domosdoshëm i projekteve ndërkombëtare energjetike”.