Hotelet në zonat bregdetare të vendit po shtojnë kapacitetet akomoduese për t’i bërë ballë fluksit të madh të turistëve nga Çekia dhe Polonia. Por zgjerimi pa plan, mungesa e standardeve, cilësia e dobët e shërbimeve, plehrat dhe kaosi përreth i kanë përcjellë me përshtypje negative shumicën e tyre. Teksa të gjitha hotelet po zgjerohen me shpejtësi, turistët po japin sinjale negative se kërkesa për të pushuar në Shqipëri nuk do të jetë e qëndrueshme. Si po rizgjohen planet për resortet
Blerina Hoxha
Bregdeti i Durrësit, në vitet e vona të tranzicionit, e humbi bukurinë dhe emrin e mirë që pat trashëguar nga vitet e komunizmit. Ndërtimet pa leje dhe pa kurrfarë kriteri krijuan katastrofën urbane, duke kthyer një nga plazhet më të bukura të vendit në modelin më të keq të zhvillimit. Por kur të gjithë po mendonim se më e keqja kishte kaluar dhe se situata nuk mund të zhbëhej, krejt papritur dy vitet e fundit bregu nga Durrësi në Kavajë është përfshirë nga një valë ndërtimesh të reja duke uzurpuar edhe ato pak hapësira të mbetura bosh. Karabinatë në ngritje dhe ato në themele po vijnë si një zgjerim i hoteleve aktuale të cilat, të nxitura nga një kërkesë e lartë e agjencive të huaja kryesisht çeke dhe polake për Shqipërinë, po shtojnë kapacitetet e akomodimit në kushtet emergjencës, pa studime të qarta dhe larg estetikës.
Duke synuar fitimet afatshkurtra, investimet e reja në zonë ndoshta janë duke i dhënë grushtin final zhvillimit afatgjatë, teksa sinjalet e para janë dhënë. Menaxherët e CaliforniaResort, një nga hotelet më të mëdha në bregdetin e Durrësit, pohojnë se ka një rritje të rezervimeve nga viti në vit nga Europa Lindore, por nuk ka pasur asnjë rast që një turist të kthehet sërish për pushime. Sipas tyre, ky reagim i turistëve është një sinjal se oferta nga këto vende nuk do të vijojë shumë gjatë, nëse institucionet shqiptare dhe njësitë akomoduese nuk i përgjigjen me seriozitet interesit në rritje për të kaluar pushimet e gjata të verës në Shqipëri.
Hotelet dyfishojnë kapacitetet
FAFA Resort, një nga hotelet më të mëdha në zonën e bregut të Durrësit, po zgjeron kapacitetet edhe me 100 dhoma të reja. Menaxherët e kompleksit pohuan se investimet e reja po vijnë për shkak të kërkesës në rritje të të huajve për shërbime turistike në Shqipëri.
“Kërkesa për akomodim në hotel është më e lartë se mundësitë tona, prandaj kemi vendosur të investojmë në zgjerim të mëtejshëm të shërbimeve të hotelerisë. Ata pohojnë se kërkesa e lartë nga agjencitë çeke dhe polake ka bërë që rezervimet për Durrësin të bëhen një vit në avancë. Ndaj për t’i shërbyer klientelës tradicionale siç janë shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës kemi parë të arsyeshme të zgjerojmë investimet, shprehen menaxherët e FAFA. Ata pohuan se, investimet e reja po kryhen me kredi bankare dhe nga fitimet e aktivitetit.
Edhe Klajdi Resort në bregdetin e Durrësit e zgjeroi kapacitetin akomodues edhe me 50 dhoma të reja, duke e çuar numrin total të tyre në 100 dhoma. Menaxherët e hotelit thanë se investimet e reja u zhvilluan për t’i bërë ballë interesit në rritje të turistëve çekë dhe polakë.
Për të njëjtat arsye ka bërë investime të reja edhe hoteli “Bonita”. “Kemi 73 dhoma aktualisht, por kemi nisur zgjerimin për të shtuar kapacitetin edhe me 102 dhoma të tjera. Prej tre vitesh kemi një kërkesë në rritje, prandaj po bëjmë investimin”, – pohuan menaxherët e hotelit. Ata thanë se investimi po kryhet nëpërmjet kredisë bankare.
Në proces zgjerimi është edhe Palace Hotel në Durrës. Administratorët e hotelit pohuan se investimi i ri do të jetë një resort me mbi 10 milionë euro në bregdetin e Vlorës, teksa shpjeguan se aktualisht projekti është në fazën e mbylljes së procedurave të lejeve të ndërtimit.
Zgjerim të aktivitetit për shkak të kërkesës nga Çekia dhe Polonia bëri edhe Rafaelo Resort në zonën e Shëngjinit. Rafaelo, i cili ofron shërbimet e një resorti të mirëfilltë, duke ofruar edhe paketa all inclusive për të huajt, pohoi se vitin tjetër, kapacitetet e akomodimit rriten edhe me 30%. Rafaelo është resorti më i madh në vend për nga kapacitetet e akomodimit, duke shërbyer në një natë 2100 shtretër. Më shumë se 160 dhoma këtë verë ishin të rezervuara nga agjencitë çeke dhe polake.
Të tjera hotele, në pamundësi për të investuar rishtasi, po mendojnë të marrin me qira objekte të tjera, për t’i ofruar si hotele. Menaxherja e California Resort në Durrës tha se ka mbyllur pothuajse të gjitha rezervimet për këtë sezon. “Për t’iu përgjigjur fluksit në rritje, vitin tjetër mendojmë të marrim një hotel tjetër me qira. Nuk kemi planifikuar të zgjerohemi, pasi mendojmë se kërkesa e huaj për Shqipërinë është e përkohshme”.
Treguesi i rikthimit të turistëve na jep sinjale se kërkesa do të vijojë ka qenë dekurajues. Nuk kam parë e as dëgjuar që një turist që ka vizituar Shqipërinë një herë të jetë rikthyer. Shërbimet mbështetëse dedikuar turizmit, sidomos ato të higjienës dhe infrastrukturës publike në plazhet popullore të vendit si ato të Durrësit, Shëngjinit dhe Velipojës janë inekzistente. Turistët nga Europa nuk e imagjinojnë të kalojnë pushimet e vitit në mes të papastërtive dhe të një kaosi në transport shërbime dhe mungese organizimi të infrastrukturës publike, – pohojnë menaxherët e hoteleve në Durrës.
A do vazhdojë kërkesa?!
Treguesi i rikthimit të turistëve na jep sinjale se kërkesa do të vijojë ka qenë dekurajues. Nuk kam parë e as dëgjuar që një turist që ka vizituar Shqipërinë një herë të jetë rikthyer. Shërbimet mbështetëse dedikuar turizmit, sidomos ato të higjienës dhe infrastrukturës publike në plazhet popullore të vendit si ato të Durrësit, Shëngjinit dhe Velipojës janë inekzistente. Turistët nga Europa nuk e imagjinojnë të kalojnë pushimet e vitit në mes të papastërtive dhe të një kaosi në transport shërbime dhe mungese organizimi të infrastrukturës publike, – pohojnë menaxherët e hoteleve në Durrës.
Agjencitë çeke dhe polake rezervojnë Shqipërinë
Itaka është një agjenci e madhe polake që këtë verë ka siguruar kontrata me 12 hotele në Shqipëri për oferta all inclusive. Kontratat e agjencisë polake janë lidhur me Rafaelo Resort ku 8 ditë për një çift janë shitur me 2228 zloty (530 euro), ku janë të gjitha të përfshira. Kontrata e agjencisë polake vijon më tej me hotelet Andon Lapa në Sarandë, hotel Horizont në Durrës, Hotel Flower SPA në Durrës, Hotel Albanian Star po në Durrës, hotel Meli në Durrës, FAFA resort po në Durrës, Hotel Vivas, Damianos, Vivias, Blu Mare, Hotel Rinia, Majestik, Hotel Germany po në Durrës. Ofertat vijojnë nga 2119 – 2600 zloty ose 510 – 600 euro. Edhe agjencitë çeke kanë kontrata me të njëjtat hotele me çmime pak e shumë të ngjashme.
Polakët e zhgënjyer
“Pushova në Durrës. Hoteli ishte i ri dhe me hapësira të bollshme, me kondicionerë, por në anë të rrugës kryesore, zhurmat ishin të mëdha. Ushqimi ishte i pamjaftueshëm, duhet të mbaje radhë për një bërxollë dhe kishte shumë pak kamerierë. Nuk kishe mundësi zgjedhje në ushqim, pasi të gjithë kohën ishin të njëjtat gjëra, edhe proshuta ishte e njëjta. Dhomat pastroheshin dhe peshqirët ndërroheshin. Por nuk kishte asnjë gjë argëtuese për fëmijët përveç pishinës”. Këto janë përshtypjet që ka shkuar një turist polak që ka qëndruar 10 ditë në plazhin e Durrësit. Si kjo edhe përshtypjet e mëposhtme u dhanë për hotelet shqiptare që agjencia polake Itaka kishte lidhur kontratat.
-Ne pushuam gjithashtu në hotel “….” në Durrës. Java e parë ishte katastrofike, por javën e dytë disa gjëra u përmirësuan. Vaktet ishin shumë të varfra. Duket qartë se ato janë ende në fillesat e të mësuarit si të shërbejnë për turistët, por pse në kurrizin tonë”. Unë mendoj se ata, para se të fillojë sezoni, duhet të marrin leksione për shërbimet bazë që duhen ofruar”, – shprehet një tjetër turist polak.
-“Unë qëndrova disa ditë në hotel ‘…’ po në Durrës. Sapo u prezantova me hotelin, gjërat në dhomë nuk ishin si shpjegimet në ofertë. Pastaj dita fillon me një trishtim të madh, pasi një vakt nuk ishte i përfshirë, teksa unë kisha blerë ofertën all inclusive. Pas kërkesave të mia këmbëngulëse për konsumin e drekës m’u ofrua një vakt i ftohtë me një copë mishi që praktikisht ishte e pangrënshme. Në ofertë ishte premtuar se pishina ishte me bar falas, por kjo në realitet nuk ofrohej. Hoteli nuk kishte ekspres kafeje. Nuk kishte ushqim të mjaftueshëm, ishte pa shije, i ftohtë dhe shumica e vakteve ishin pa mish dhe peshk. Edhe supa gjeje rrallë. Nuk më pëlqeu fakti që në pritje ishin vënë shumë flamuj europianë, ishte edhe ai i SHBA-së, por flamuri polak mungonte. Vendasit as nuk e konceptonin rëndësinë që kishin flamujt, teksa për ne ishte fyese, pasi hoteli ishte i mbushur vetëm me polakë. Avantazhi i hotelit është vendndodhja. Në afërsi të plazhit me rërë, kishte kafene dhe dyqane. Unë mendoj se organizatorët duhet të shesin këtë hotel me vetëm mëngjes, sepse versionet e tjera thjesht nuk janë të arritshme”, – shprehet një tjetër vizitor polak për Durrësin.
-“Kam qenë në hotel ‘….’ në Durrës nga data 13 deri më 20 qershor të vitit 2017 me një grup me dhjetëra polakë të tjerë. Hoteli ishte i ri, pajisje të reja dhe në afërsi të plazhit. Mëngjesi atje ishte shumë i vrazhdë sidomos për të konsumuar vaktin e parë. “Fjalë për fjalë, nuk kishte asgjë për të ngrënë. Disa domate, sallatë jeshile, pak spageti, disa pjesë të mishit që nuk ishin të mjaftueshme as për 10 persona, supë e holluar me ujë dhe kështu.
Pavarësisht ankesave tona edhe të nesërmen asgjë nuk kishte ndryshuar, përveçse supa bashkë me mishin u zhdukën nga menyja. Peshku gatuhej në vaj, ishte shumë i hollë dhe tej mase i skuqur. Në mëngjes arrije të merrje vetëm një briosh, pasi në të shumtën e rasteve çaji dhe lëngjet kishin mbaruar, kanat ishin të boshatisura dhe nuk mbusheshin prapë. Nuk bëhet fjalë për ëmbëlsira, akullore dhe fruta. Nuk kishte aktivitete argëtuese. Unë ju them, ju lutem braktisini ofertat all inclusive, pasi mund të ushqeheni me para ekstra, pasi ka plot dyqane perimesh në zonë dhe restorante të tjera që ofrojnë vakte të lira. Kostot e mia ishin shumë më të mëdha se oferta që më dha Itaka. Pushimet e mia u prishën”, thotë një tjetër turist për hotelin në të cilin agjencia polake Itaka kishte lidhur kontratën.
-“Unë qëndrova në Durrës në korrik 2016 në hotel ‘…..’. Zona përreth është dramë e madhe, plot plehra dhe baltë. Ushqimi ishte i ftohtë dhe gjithmonë i njëjti, një pulë e servirur në forma të ndryshme. Restoranti nuk ka pajisje për ngrohjen e ushqimit. Për dhomën e hotelit nuk mund të ankohem. Muzika ishte gjithnjë me zë të lartë në çdo orë të ditës dhe kishim përshtypjen se ishte në dhomën tonë. Muzika ishte vendase, gjithmonë me zë të lartë, thjesht e padurueshme. Uji në det ishte i ngrohtë dhe noti ishte gjëja më e mirë atje”, është shprehur një tjetër turist polak.
-“Kam qëndruar në Shëngjin në hotel ‘….’ për shtatë ditë. Po shoh që keni bërë shumë komente negative për këtë hotel, por situata nuk është kaq e rëndë. Hoteli është i madh pasi ka pothuajse 500 dhoma, kështu që fakti se ka shumë njerëz nuk duhet të befasojë askënd. Dhomat janë shumë të mëdha, banjo gjithashtu. Nëse nuk të pëlqen pamja, lehtësisht ndryshon dhomën. Për ushqimin dhe pijet ju lutem mos lexoni komentet e gjyshërve apo biznesmenëve, të cilët kërkojnë superluks duke paguar vetëm 2500 ZL (350 euro). Ushqimi qe i shijshëm dhe jo monoton. Në ofertat e alkooleve janë vetëm vera dhe birra. Uji i detit është i ngrohtë, por shpesh të duhet të luftosh për të zënë një shezlong. Shqipëria nuk është aq e ndyrë, sa po shkruani këtu, shumë qytete në Poloni, duken më keq, në aspektin e shërbimit hotelier. Shqipëria është një vend shumë i qetë gjatë natës, kemi ecur sikur të ishim në vendin tonë, pa na shqetësuar aspak. Nuk ke mundësi për shopping, por kjo nuk është ndonjë mangësi e madhe. Unë zakonisht nuk bëj komente për hotelet, por jam shumë i habitur se ky hotel është vlerësuar në mënyrë të ulët”. Këto ishin përshtypjet e një turisti polak që pushoi vitin e kaluar në Shëngjin.
-“Kam qëndruar në Durrës. Hoteli ishte i pastër dhe peshqirët ndërroheshin. Ushqimi shumë i keq dhe ndaj nesh u krye një vjedhje”, – shprehet një tjetër turist polak.
-“Kam qëndruar në Durrës për dy javë në shtator 2016. E vlerësoj shumë pozitivisht hotelin. Njerëzit që punonin në hotel ishin dashamirës dhe pronari i tij ishte gjithë kohën pranë nesh. Ushqimi ishte i mirë dhe i ngrohtë. Mëngjesi pak i varfër dhe nuk shërbeheshin salsiçe dhe proshuta, siç ne jemi mësuar. Por vlerësimi im është me superlativa për komoditetin dhe ambientin miqësor”, – shprehet një tjetër turist nga Polonia.
-“Kam qëndruar në Durrës disa ditë. Mëngjesi ishte si një shuplakë për ne. Por kishe mundësi të konsumoje vakte të lira jashtë ofertës në restorantet përreth. Në plazh kishte shumë gjëra që të bezdisnin. Shitës frutash dhe gjërash të tjera nuk të linin asnjë minutë të qetë dhe qentë e rrugës ishin të frikshëm. Ata pushonin ngjitur me ne të qetë në diell. Kur vinte darka, lukunia e mushkonjave të bënte copë. Ishte hera e para e imje në Shqipëri dhe e kam shumë të vështirë t’ju them juve që të shkoni atje”, – shprehet një tjetër turist polak.
-“Unë kam pushuar në Durrës në shtator 2016. Për çmimin që paguajmë kushtet janë të mjaftueshme. Dhoma kishte disa probleme të vogla që vinin nga ndërtimi, si për shembull pllaka të vëna shtrembër, por në përgjithësi kushtet nuk janë keq dhe pamja është shumë e mirë, nga deti. Hoteli ka karriget e veta në plazh, rëra ishte e pastër dhe kishte një pamje të bukur nga tarraca në katin e nëntë. Ushqimi gjithashtu shumë i mirë, një përzgjedhje mjaft të madhe me ëmbëlsira dhe fruta. Pastrimi ishte i përditshëm. Në përgjithësi, shqiptarët kanë ende disa gjëra për të mësuar, por mendoj se ‘…..’ është një nga hotelet më të mira në këtë pjesë të rajonit të Durrësit. Personalisht, unë kam qenë i kënaqur”.
Vitin e kaluar, vendin tonë e kanë vizituar 45 mijë turistë polakë, ndërsa këtë vit, numri i tyre pritet të jetë edhe më i lartë sipas të dhënave nga Ministria e Ekonomisë. Sakaq ata kanë nisur të japin përshtypjet e para tek agjencia që i ka sjellë në Shqipëri. Shumica e tyre nuk e rekomandojnë Shqipërinë dhe pjesa më e madhe e hoteleve në Durrës që po presin turistët çekë dhe polakë janë në dijeni të këtij fakti. Por menaxherja e California Resort pohon se kërkesa nga çekët dhe polakët nuk do të zgjasë shumë, për shkak të mungesave thelbësore që infrastruktura turistike e Durrësit vijon të ketë sot e kësaj dite. Ajo pohon se tre vitet e fundit po punon me agjencitë polake, po nuk ka ndodhur që një familje ose një grup turistësh të rikthehet. Rruga dytësore është plot gropa dhe baltë, dhe mundësitë për të vizituar Durrësin dhe apo hotele të tjera në zonë janë shumë të pakta për turistët e huaj ose janë me shumë kosto.
“Teksa taksat dhe deklarimet po bëhen, shërbimet publike janë në nivelin zero. Nuk ofrohet asnjë shërbim për pastrimin në plazhe, as kosha nuk ka. Dritat ikin herë pas here dhe problemi i ujit ende nuk po zgjidhet”, pohon e shqetësuar ajo. Jemi një grup hotelesh që i kemi propozuar Bashkisë që të bëjmë investimet në infrastrukturën përreth me fondet tona, por as kjo dritë jeshile nuk po na hapet. Në këto kushte, mendoj se kërkesa çeke dhe polake për të pushuar në Shqipëri do të zgjasë edhe 3-4 vite, jo më shumë, derisa shumica e tyre ta provojnë Shqipërinë. E shikoj që shumica e tyre ikin me përshtypje jo të mira dhe kjo nuk inspiron shumë për të ardhmen.
Edhe agjencitë turistike që punojnë një vit me Beratin, vitin tjetër nuk e bëjnë më. Para tre vitesh ishin francezët që kishin vizituar qytetin, një vit më pas gjermanët kishin dominuar, dhe këtë vit italianët dhe rusët. Por nuk ka ndodhur, bie fjala, që puna me të njëjtin shtet të vijojë për disa vite rresht, pohuan administratorët e hoteleve.
Të vetëm në betejë
Jemi në fund të korrikut dhe plazhi para hotel Benilvës në Durrës është pothuajse bosh. Menaxheri i saj është i alarmuar nga një vendim i policisë për të mos lejuar qarkullimin e furgonëve dhe autobusëve në zonë. Situata është alarmante, pasi vendimi, i cili nuk dihet se për çfarë arsyesh është marrë, ka boshatisur plazhin. “Një pjesë të hotelit e kam të zënë me të huaj, por në këtë periudhë një pjesë të madhe të xhiros e realizoj me pushuesit ditorë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët prenotojnë çadrat në plazh, konsumojë kafe, pije dhe vakte në restorant”,- pohoi ai. Kishim parashikuar se gjithçka mund të ndodhte, por se një vendim i policisë do të shkatërronte punën e një viti.
Menaxheri i një prej hoteleve me emër në Durrës pohon se, bizneset e turizmit janë lënë të vetëm në betejën e tyre për të pritur të huajt. Ai pohoi se turistët nga Çekia dhe Polonia dhe të tjerë nga Europa Perëndimore të imponojnë standarde më të larta seç kërkonin kosovarët me të cilët u mësuan për vite me radhë. Por teksa ne po përpiqemi të përmirësojmë shërbimin në hotele dhe kushtet, pushteti lokal dhe qeveria nuk të vijnë në ndihmë. Rruga dytësore është një rrëmujë e vërtetë, duke ofruar një pamje aspak të denjë për turistët. Por bllokimi i qarkullimit për autobusë dhe furgonë qe një katastrofë për ne.
Në pranverë të këtij viti, Bashkia e Durrësit ndërmori investime në infrastrukturën hyrëse të qytetit, duke kthyer njërën korsi të rrugës së automjeteve në pedonale për këmbësorët. Kjo vështirësoi së tepërmi këtë vit qarkullimin e turistëve për në plazh.
Topuzi: Mungesa infrastrukturës, e pafalshme për ne
Shqipëria ka një numër të kufizuar të kapaciteteve akomoduese, në rreth 67.000 shtretër. Është një shifër e ulët krahasuar me resurset që ofron tregu rajonal. I mungojnë shërbimet për target grupin që shpenzon për turizmin e rërës e detit, ose janë të kufizuara në disa hotele, kryesisht me më pak se 100 dhoma, të cilët nuk punojnë me paketa të plota shërbimesh, shprehet Zak Topuzi, sipërmarrës i Hotel Mondial dhe Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA).
Topuzi thotë se arsyet lidhen me mungesën e përvojës në turizëm, taksimin i lartë, mungesën e një legjislacioni favorizues për investime strategjike në turizëm, mungesën e një vizioni të qartë nga qeveritë gjatë 26 viteve, problemet e pronësisë mbi tokën, mungesës së bazës ligjore, zhvillimin kaotik dhe pa standarde të strukturave akomoduese, etj.
Ai shtoi më tej se pika më e dobët e mungesës së investimeve të huaja janë masterplanet e përgjithshme të integruar dhe strategjitë afatgjata për turizmin.
Por, nga ana tjetër, Topuzi vë re se si rezultat i situatës favorizuese politike, tregu ballkanik po kthehet në markë. Shqipëria zë një pozicion të rëndësishëm në këtë treg dhe kjo ka sjellë një rritje me 10-15% në vit të numrit të turistëve te ne. Ka një vlerësim pozitiv të numrit të turistëve që po vijnë në Shqipëri këtë sezon dhe shpresojmë të ruhet i njëjti trend, shprehet ai.
Infrastruktura rrugore ka përmirësime të dukshme, duke tejkaluar një sërë vendesh të rajonit, por është e pafalshme që sot, thotë Topuzi se, Shqipëria vuan ende menaxhimin e mbeturinave, mungesën e ujit të pijshëm, ndërprerje energjie ose tension të ulët, trajtimin e ujërave të ndotura, mungesën e një transporti publik të standardeve dhe të kthehet çdo vit një në kantier ndërtimi në sezonin pik. Ai thotë se duhet të jetë viti i fundit që këto probleme duhen artikuluar.
Ka një rritje me dy shifra të turistëve nga vendet e Europës Lindore, duke kaluar në një sezon të shtrirë nga maji deri në shtator, vëren kreu i Shoqatës së Hotelierëve. “Janë turistë që kanë më pak pretendime, që përshtaten me gjendjen e infrastrukturës dhe janë një bazë e mirë për të testuar rritjen graduale të standardeve të shërbimeve. Për herë të parë, një grup hotelesh me rreth 1000 shtretër (Shkëmbi i Kavajës) arritën të bëjnë bashkë një zonë me të gjithë shërbimet për paketa të gjitha të përfshira dhe funksion 365 ditë. Kjo performancë siguroi për 2017-n kontratat për 140 ditë me partnerët çekë e polakë, duke afirmuar një vazhdimësi për vitet në vazhdim, pohoi ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.