Bumerangu i TVSH, të mëdhenjtë: Ulja e pragut ka rritur evazionin, të vegjlit refuzojnë faturat

08/09/2018 10:11 PM 0 komente

Bizneset e mëdha prodhuese në vend pohojnë se po ndiejnë rezistencë të shtuar nga bizneset e vogla, të cilët refuzojnë të furnizohen me faturë.
Për një pjesë të industrisë përpunuese dhe prodhuese në vend, vendosja e pragut të TVSh-së në 2 milionë lekë iu ka ulur aftësinë shitëse. Ulja e pragut të TVSH-së nuk dha efektin e pritur, të paktën deri tani, përkundrazi është kthyer në një efekt bumerang

 

Nga Ledina Loga

 

Ulja e pragut të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për biznesin e vogël kishte si qëllim rezuktimin e informalitetit, nëpërmjet gjurmimit të zinxhirit të transaksionit, nga i madhi tek i vogli. E ndërsa biznesi i vogël deklaron se ulja e pragut për deklarimin e TVSH-së i ka vendosur përpara vështirësive, biznesi i madh, veçanërisht industria përpunuese në vend, ka filluar të ndiejë rënin e e aftësisë shitëse, pasi të vegjlit, në një efekt bumerang, kanë rritur më shumë rezistencën për t’u pajisur me faturë.

Sipas të dhënave nga Tatimet ishin 11 mijë e 700 biznese që, për shkak të uljes së pragut, ndryshuan përgjegjësi tatimore, nga 80 mijë biznese që nuk paguanin TVSH përpara prillit 2018. Sipas të dhënave zyrtare të tatimeve, nga 1 prilli kanë hyrë automatikisht në skemën e TVSH-së 11,700 subjekte, të cilët janë identifikuar nga transmetimet ditore të qarkullimit të realizuar me pajisje fiskale gjatë vitit të kaluar; si dhe nga të dhënat e vetëdeklaruara në deklaratën e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të vitit 2017. Ndërsa rreth 60 mijë të tjera janë jashtë skemës së TVSH-së.

Bizneset që nuk e kishin kaluar pragun prej 2 milionë lekësh, duket se po bëjnë gjithçka që të mbajnë qarkullimin e tyre në nivelin e vitit të mëparshëm. Pjesa më e madhe e kompanive përpunuese në vend, të cilat shesin me shumicë te bizneset e vogla, deklarojnë se po hasin rezistencë të shtuar nga bizneset e vogla, të cilat nuk pranojnë mall me faturë. Industria përpunuese po preket në zinxhir, nga përpunimi dhe grumbullimi i qumështit, te përpunimi i qumështit, tregu i vezëve dhe ai i birrës. Përfaqësuesit kryesorë të këtyre industrive pohojnë për “Monitor” se është rritur rezistenca prej biznesit të vogël për të marrë mallra me faturë.

 

Nga i vogli tek i madhi, të gjithë të prekur

Saimir Begaj, drejtues i kompanisë Erzeni, që merret me grumbullim, përpunim dhe tregtim të qumështit dhe nënprodukteve të tij tregon se ulja e pragut të TVSH ka pasur ndikim negativ në shitjet e kompanisë së tij. “Edhe pse jemi munduar të qëndrojmë korrekt, ulja e pragut të TVSH-së na ka dëmtuar”, – tha Begaj për “Monitor”. Sipas tij, ka pasur biznese që kanë hequr dorë nga furnizimi me produktet e tij për këtë arsye. Lokalet, dyqanet tip fast-food dhe restorantet e vogla, sidomos në zonat rurale, janë ato që kërkojnë më së shumti mall pa faturë, shton Begaj.

 

Saimir Begaj, drejtues i kompanisë Erzeni

Edhe pse jemi munduar të qëndrojmë korrekt, ulja e pragut të TVSH-së na ka dëmtuar”, – tha Begaj për “Monitor”. Sipas tij, ka pasur biznese që kanë hequr dorë nga furnizimi me produktet e tij për këtë arsye. Lokalet, dyqanet tip fast-food dhe restorantet e vogla, sidomos në zonat rurale, janë ato që kërkojnë më së shumti mall pa faturë, shton Begaj.

 

Të njëjtin problem e ka ndier edhe kompania Lufra. Luis Ndreka, përfaqësues i kompanisë, tha për “Monitor” se ka filluar që të ndihet rezistenca e bizneseve të vogla për t’u furnizuar me mall me faturë. Sipas Ndrekës, kjo po ndodh në një moment ku tatimorët e kanë larguar vëmendjen nga biznesi i vogël dhe janë fokusuar në inspektimet në bregdet.

Por industria e përpunimit të qumështit nuk është e vetmja që ka ndier rezistencën për të shitur me faturë. Adriatik Liço, drejtor i pularisë Veza e Mëngjesit, tregon se kanë të njëjtën problematikë. Sipas zotit Liço, bizneset e vogla kërkojnë mall pa faturë, ndërsa kompania duhet të shkarkojë TVSH-në nëpërmjet shitjeve.

“Kam katër kapanone dhe hasim shumë vështirësi me shitjet me pakicë”-tregon ai për “Monitor”. Edhe kompanitë që operojnë në sektorin e përpunimit të mishit pohojnë se kanë hasur vështirësi në shitjen e produkteve të tyre te pakica. Nesti Tarusha, administrator i kompanisë FIX, thotë se e njëjta situatë ka qenë edhe për kompaninë e tij. “Bizneset e vogla tentojnë që të mos e kalojnë pragun e kalimit me TVSH, duke refuzuar të marrin faturimet tona”, – thotë ai për “Monitor”.

Të njëjtën situatë tregojnë edhe përfaqësuesit e kompanisë së përpunimit të mishit në Korçë, “Tona”. Jonela Tona thotë se fenomeni ekziston, por që gjithsesi janë të detyruar që t’ju çojnë mall me faturë të gjithë klientëve “të vegjël”.

 

Nesti Tarusha, administrator i kompanisë FIX

“Bizneset e vogla tentojnë që të mos e kalojnë pragun e kalimit me TVSH, duke refuzuar të marrin faturimet tona”,

 

Edhe sektori i pijeve vuan prej uljes së pragut

Përveç problemeve të shumta që industria e prodhimit të birrës në vend i mbart vit pas viti në kurriz, këtë vit janë goditur edhe prej uljes së pragut të TVSH-së te biznesi i vogël. Kjo sipas aktorëve të tregut ngushtoi shumë aftësinë e tyre të shitjes. Për shkak të uljes së pragut, shitësit me pakicë refuzonin që të merrnin mall me faturë nga prodhuesit e mëdhenj. Kjo është kthyer në një problem për industrinë prodhuese në vend.

Stefan Pinguli, kryetari i Bashkimit të Prodhuesve të Birrës, tha për “Monitor” se një pjesë e distributorëve po furnizojnë tregun në informalitet. Ai shtoi se përveç vështirësive që kanë pasur me shitësit me pakicë, edhe fuqia blerëse ka qenë një faktor që ka ndikuar në tkurrjen e shitjeve të prodhimit vendas. Sipas Pingulit, vetëm Birra Stela që ai drejton ka ulur shitjet në masën prej 25%.

Vendosja e pragut të TVSH në nivelin e 2 milionë lekëve ka qenë problem edhe për Birrën Tirana. Luan Bregasi gjithashtu shton se ky ka qenë një faktor që ka rrudhur tregun për birrën vendase. “Në mendimin tim, duhet që biznesi i vogël ta deklarojë TVSh-në por të mos e paguajë. Pavarësisht lehtësive që u morën ndaj biznesit të vogël, jam për lehtësi të mëtejshme. Ne kemi një rezistencë të jashtëzakonshme, një nga arsyet që ka rënie të biznesit prodhues është mospranimi i produkteve me faturë prej nesh, tha Bregasi për “Monitor”.

 

Luan Bregasi

“Në mendimin tim, duhet që biznesi i vogël ta deklarojë TVSh-në por të mos e paguajë. Pavarësisht lehtësive që u morën ndaj biznesit të vogël, jam për lehtësi të mëtejshme. Ne kemi një rezistencë të jashtëzakonshme, një nga arsyet që ka rënie të biznesit prodhues është mospranimi i produkteve me faturë prej nesh, tha Bregasi për “Monitor”.

 

Përveç pijeve alkoolike, presionin e ka ndier edhe sektori i lëngjeve të frutave. Në një prononcim të mëparshëm për revistën “Monitor”, Emil Jaho tha se sektori ka qenë në rënie që nga shtatori i kaluar, duke qenë se “antiinformaliteti” shkatërroi të gjitha pikat e shitjeve.
“Ne kemi regjistruar rritje graduale vit pas viti, por nga shtatori i vitit të kaluar ka një rënie që ka vijuar edhe në pjesën e parë të këtij viti. Situata përkoi me nismën e antiinformalitetit që mori qeveria, pasi rënia ishte e menjëhershme, mesa duket nga klima e krijuar nga gjobat e vendosura. Kjo na krijoi probleme me pikat e vogla të shitjes, të cilat u shkatërruan, duke na lënë në dorë të marketeve”, – tha Jaho.

 

Një nga arsyet, mungesa e kontrollit

Aktorët kryesorë japin si arsye kryesore mungesën e vëmendjes në këtë periudhë të vitit nga ana e Administratës Tatimore, duke qenë se Tatimet janë të fokusuara aktualisht në zonat bregdetare. Ndërkohë që aktorët e tregut shtojnë se blerja e mallrave pa faturë kryhet kryesisht nga bizneset që merren me shpërndarjen e mallrave ose në tregjet e shumicës. Përparim Tushaj, përfaqësues i kompanisë Japan Tobacco Interantional, e cila shpërndan për Shqipërinë disa marka cigaresh, thotë se në sektorin që ai operon, informaliteti ka qenë një problematikë që ka ekzistuar prej vitesh.

Megjithatë nga feedback-u që ka marrë nga agjentët e shitjes në terren, dyqanet me pakicë kërkojnë gjithnjë që të marrin mallra pa faturë, duke qenë se cigarja është një produkt i shtrenjtë në çmim dhe pragu i qarkullimit do të kapërcehej vetëm me shitjen e një kolije me cigare.
Kryesisht janë kompanitë e distribucionit, të cilat lidhin shitjen me shumicë me atë me pakicë dhe mundësojnë kalimin e mallrave pa faturë.
Një burim tjetër për blerjet pa faturë janë edhe tregjet e shumicës, sipas aktorëve kryesorë të tregut pjesa më e madhe e bizneseve të vogla furnizohen për një pjesë të mirë të mallrave bazë në tregjet e shumicës.

Ndërsa një pjesë e bizneseve të vogla kanë hapur dy NIPT në mënyrë që të mos kalojnë pragun e TVSH-së. Ahmet Gjinishi, kontabilist dhe ekspert fiskal, thotë se presioni ka rritur informalitetin te një pjesë e bizneseve.

“Në mendimin tim duhet që të rritet pragu i TVSH-së. Janë një kategori biznesesh të vogla që kanë marzhe të ulëta fitimi, por për shkak të natyrës së aktivitetit kanë qarkullim të lartë. Marrim si shembull rastin e një dyqani që tregton bylmet, ku edhe pse qarkullimi mund të jetë i lartë, marzhi bruto i fitimit (diferenca midis çmimit të shitjes dhe të blerjes) nuk është më shumë se 10%, që do të thotë për 100 lekë shitje iu mbetet një fitim bruto prej 10 lekësh, me të cilin duhet të mbulojnë kosto të tjera si qira, energji, taksa dhe kosto të tjera administrative”, – argumenton ai.

 

I madhi, i vogli, apo të dy bashkë

E ndërsa biznesi i madh thotë se po has rezistencë ndaj bizneseve të vogla për të faturuar mallrat e shitur, edhe bizneset e vogla akuzojnë për faturime fiktive, të cilat nuk i japin mundësi që të shkarkojnë TVSh-në në shitje.

Ahmet Gjinishi, kontabilist dhe ekspert fiskal, tregon nga përvoja e tij se disa prej importuesve deklarojnë mall me vlerë të ulët në doganë dhe kur shesin te tregtarët e vegjël iu lëshojnë fatura me çmime fiktive. “Një pjesë e biznesit të vogël nuk ka mundësi që të kreditojnë TVSH të lartë”,- thotë ai.
Elona, prej shumë kohësh ka hapur një dyqan ku tregton rroba me pakicë. Edhe pse e ka nisur aktivitetin prej pak kohësh, u përfshi në skemën e TVSH-së.

Problem kryesor për sa i përket TVSH-së është faturimi fiktiv i bizneseve të mëdha ku ajo bën furnizimet. “Për një bluzë që unë e marr me çmim real prej 1200 lekësh, biznesi ku bëj furnizimin ma faturon me vlerë 500 lekë. Përveçse kreditoj një shumë të ulët të TVSH-së, e nxjerr biznesin tim sikur punon me marzhe të larta fitimi. Në rast kontrolli nga tatimorët, kjo do më nxirrte zbuluar”, – tregon ajo për “Monitor”.
Megjithatë, përveç çmimeve më të ulëta, Elona thotë se shpesh edhe njësitë që blen nuk i merr të deklaruara plotësisht.

“Tani që jam e përfshirë në skemën e TVSH-së, më intereson që mallin ta marr me faturë të saktë, por grosistët nuk tolerojnë dhe në rast se kërkojmë fatura të sakta, nuk pranojnë të na shërbejnë”, – shton ajo.
Elona thotë se përpiqet që të mos presë kuponë tatimorë përtej një shume të caktuar, që ia ka thënë ekonomistja, e cila i bën mbylljet vjetore. Si arsye kryesore të këtij veprimi, për të cilin ajo është e ndërgjegjshme që është kundër ligjit, është frika e dështimit të biznesit.
“Në rast se do t’i deklaroj të gjitha, detyrimet do të jenë aq të larta sa nuk do të mbyll dot as shpenzimet dhe jo më të nxjerr një fitim për vete” – shton ajo.

Të njëjtën arsye për “evazionin” me prerjen e kuponëve e jep edhe pronari i bar-kafesë që punon ngjitur me dyqanin e Elonës. Ai tregon se grosistët e kafesë nuk i lëshojnë fatura të sakta. Pronari thotë se ka vendosur të rrezikojë duke qenë i ndërgjegjshëm se ndryshe nuk ia del dot. “Nëse deklaroj çdo kafe në dyqan, unë nuk ia dal dot. Qiranë e kam shumë të lartë, edhe pse në kontratë kemi deklaruar një shumë disa herë më të ulët.

Synimi i qeverisë nuk ishte të mblidhte para nga biznesi i vogël, por nga i madhi, pasi ky i fundit ishte ankuar se nuk mund të shkarkonte dot faturat e TVSH-së, pasi të vegjlit nuk i merrnin nga frika se mos kalonin kufirin. Për këtë arsye, qeveria e uli kufirin nga 5 në 2 milionë lekë, në mënyrë që biznesi i vogël të nxitej të merrte fatura me TVSH.

Megjithatë, përveç bizneseve të mëdha që nuk lëshojnë fatura të sakta, janë edhe bizneset e vogla që nga frika se mos kalojnë në fashën e përfshirjes me TVSH, nuk pranojnë që të marrin fatura nga grosistët. Burime nga tregu pohuan se ulja e kufirit e ka shtuar dhe më shumë këtë tendencë, pra subjektet e vogla po kryejnë furnizime në minimum, në mënyrë që të mos kalojnë pragun e 2 milionë lekëve.

 

I madhi kundër të voglit

Bizneset e mëdha gjithnjë e kanë kërkuar dhe mbështetur futjen e subjekteve të vogla në TVSH, si një mjet për të nxitur faturimin në të gjithë zinxhirin e tregtimit dhe shërbimeve, duke organizuar edhe protesta për heqjen e pragut të TVSH. Por FMN-ja dhe ekspertët e ekonomisë kishin paralajmëruar se vendosja e pragut të TVSH-së do të rriste informalitetin në vend.

Në tetor të 2017-s, Bashkimi Tregtar i Shqipërisë, në kuadër të ditës “Për një ekonomi më të drejtë”, organizoi një protestë, që sipas organizatorëve synonte të sensibilizonte opinionin e gjerë publik ndaj efekteve negative të fenomenit të informalitetit dhe nevojës për të luftuar bashkërisht çdo formë të tij e kudogjendur në ekonominë shqiptare.
Thuajse një vit më pas organizimit të asaj proteste dhe pesë muaj prej të cilëve është ulur pragu për kalimin si biznes me TVSH, përfaqësues të bizneseve mendojnë se ky vendim ka nxitur të kundërtën, ndërsa është rritur dhe rezistenca e bizneseve të vogla për të marrë mall me faturë.

 

 

Rrjeta nuk zuri asnjë peshk

Të dhënat mbi TVSh-në e brendshme, e mbledhur nga Tatimet, tregojnë se në krahasim me shtatë muaj më parë, Tatimet kanë mbledhur rreth 324 milionë lekë më pak të ardhura se një vit më parë. Për tre muaj, nga prilli në qershor, TVSH-ja e brendshme ishte në rënie, ndërsa në korrik, të ardhurat që kanë grumbulluar Tatimet nga TVSh-ja janë 206 milionë lekë. Edhe pse ka qenë me një diferencë pozitive në krahasim me një muaj më parë, të dhënat tregojnë se në 7 muajt e vitit janë mbledhur rreth 1.6% më pak të ardhura nga TVSH-ja e brendshme. Rënia mund të jetë tregues se informaliteti po rritet, ose konsumi po bie. Kjo e fundit bie ndesh me rritjen ekonomike.

Që në tetor të vitit të kaluar, kur qeveria prezantoi planin e saj për të ulur pragun e TVSH-së, FMN-ja e shprehu hapur skepticizmin e saj. Më herët, ish përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, është shprehur se “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual.

Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e Departamentit të Taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime”.
Edhe përfaqësuesja e Misionit të FMN në Tiranë, Anita Tuludhar tha se përfshirja e këtyre bizneseve në skemë do të krijojë më shumë ngarkesë për administratën dhe do ta shpërqendrojë, në vend të fokusohet te ndërmarrjet e mëdha. Kjo mund të ndikojë në uljen e të ardhurave.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of