Bumi i shkollave private

12/02/2019 4:48 PM 0 komente

Shkollat private të të gjitha niveleve kanë lulëzuar në dhjetë vitet e të fundit në Shqipëri.
Ankesa për një sistem publik jo të favorshëm, me mbikapacitete dhe mungesë të kushteve, mësuesit që “luftojnë” për një vend pune dhe familjet që shtrëngohen me kuletat e tyre…

 

 

 

Nga Deada Hyka

 

Ecin rrugës me bluzat gri dhe tutat blu të errët. Disa kanë lidhur të njëjtën bluzë në brez dhe mbajnë kufjet në vesh. Duken si një grup muzikor që janë nisur në rrugën e tyre për të dhënë një shfaqje përpara një turme njerëzish që do t’i duartrokasin. Në të vërtetë, janë nxënës të një prej shkollave private në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë. Shquhen lehtësisht. Disa ecin, disa mbërrijnë me transportin e që ofron shkolla, disa zbresin nga makinat më luksoze që na kanë parë sytë. Të gjithë nxënës të një shkolle që kushton jo më pak se 2200 euro në vit. Një gjë është e sigurt, diferencat janë të mëdha me nxënësit e shkollave publike në kryeqytet.

Shkollat jopublike të të gjithë niveleve janë shtuar shumë në Shqipëri, sidomos në fillim të vitit 2000. Arsyet e frekuentimit të këtyre shkollave private, 9-vjeçare dhe të mesme, lidhen kryesisht me faktin se në ato vite kishte mungesë të theksuar të infrastrukturës në shkollat publike në vend. Prindërit tregojnë edhe për një dëshirë për të bërë më të mirën për fëmijët e tyre: pak nxënës, mësues të përkushtuar, infrastrukturë moderne, transport.

Dhe në fakt, kudo në botë, rritja e shkollave private është manifestim i përkushtimit të prindërve për fëmijët e tyre dhe gjithashtu, lidhet me numrin më të madh të grave në karrierë, të cilave orari i një shkolle publike për fëmijët nuk u volit. Nga ana tjetër, shkollat private në vend ofrojnë mundësinë e qëndrimit pasdite në shkollë, ushqimit dhe akomodimit, studimin në ato ambiente, si dhe organizimin e shkollave verore.

 

Zgjedhje të tjera

Fëmijët e klasës së mesme në vend fillojnë arsimin privat që nga vitet e para të jetës. Kryesisht në kryeqytet, kemi parë një rritje të lartë të institucioneve parashkollore private, të nxitur nga fakti se gratë duhet të riktheheshin në punë pas përfitimit të lejes së lindjes dhe se, kopshtet publike kanë kritere moshe për pranim, adresën e banimit për regjistrim dhe një fluks fëmijësh në çdo grup, që ka shkaktuar ndër vite mbikapacitetin në një mjedis shpesh pa kushte minimale.

Një çerdhe private në kryeqytet kushton mesatarisht 17 mijë lekë: nis nga 12 mijë lekë në lagje më periferike të Tiranës, dhe shkon në 22 mijë lekë në rrugë kryesore. Megjithatë, çmimet fluturojnë kur bëhet fjalë për institucione arsimore të huaja, te të cilat pagesa në muaj arrin edhe 500 euro.

Vihet re një rënie e vlerës së pagesës në muaj të çerdheve dhe kopshteve private, në qytetet më të vogla në Shqipëri, gjë që lidhet me kërkesën më të ulët dhe me aftësinë monetare. Në Durrës, një kopsht privat kushton mesatarisht 15 mijë lekë, ndërsa në Elbasan, 12 mijë lekë.
Shpenzimet për shkollat e ciklit 9-vjeçar dhe të mesme rriten më shumë. Mesatarisht, ato kushtojnë 20 mijë lekë në muaj, duke nisur nga 18 mijë për ciklin 9-vjeçar dhe 30 mijë për ciklin e mesëm të studimeve. Megjithatë, ndonëse paga mesatare sipas të dhënave të INSTAT në tremujorin e fundit të 2018 ishte rreth 50 mijë lekë, ajo që i detyron shumë prindër të shpenzojnë një pjesë të madhe të të ardhurave në edukimin e fëmijëve të tyre, përveç rëndësisë së madhe që i caktojnë shkollës, është performanca e ulët i arsimit publik shqiptar, gjë që u vu re sidomos në fillim të viteve 2000.

“Djali im nuk po ecte mirë në shkollën publike, kishte 40 nxënës në klasë dhe mësuesit nuk ishin shumë të gatshëm për nevojat e fëmijëve, kështu që ne zgjodhëm një shkollë private”- thotë Uliana, banore në Tiranë, e cila vendosi që të dy fëmijët t’i edukojë në një shkollë private, që në klasë të parë. Sipas saj, në shkollat private nuk ka më shumë se 20 studentë në klasë, infrastruktura është e mirë, për nxënësit kujdesen edhe pas orëve të shkollës dhe më pas i sjellin në shtëpi me transportin privat. “Ne punojmë gjithë ditën, nuk e di se si mund t’i menaxhonim fëmijët tanë pa shkolla private”.

Sipas disa prindërve në kryeqytet, ka mundësi për një shkollim më të mirë edhe duke frekuentuar shkollat publike, por kjo është gjithmonë e vështirë dhe e shtrenjtë, pasi përfshin pjesëmarrjen e shumë kurseve integruese që mësuesit e shkollave publike shpesh ofrojnë në mënyrë të paligjshme.

“Unë e kam djalin në një shkollë publike, çdo kurs integrues që kam nisur t’i bëj në moshën 8-vjeçare, më kushton të paktën 3000 lekë në muaj, shumëzuar për tre ose katër lëndë, bëjini llogaritë vetë”- pohon Eva, një tjetër nënë, e cila shton se vitin e ardhshëm që përkon me kalimin e djalit të saj në klasën e pestë, do ta regjistrojë në një shkollë private në kryeqytet.
Shtimin e numrit të institucioneve publike arsimore e kanë pritur mirë edhe mësuesit. Për to, është një mundësi e mirë për punësim dhe me pagë të mirë.

Para viteve nëntëdhjetë, mësuesit ishin një pjesë e respektuar e shoqërisë socialiste. Me rënien e regjimit, ata e gjetën veten në mesin e të diplomuarve, por pa mundësi të tjera në tregun e punës. Edhe në fund të viteve ’90, emërimi në një shkollë publike ishte shumë i vështirë, krahasuar me numrin e mësuesve, ndërsa disa pohojnë nën zë se korrupsioni ishte shumë i lartë për një vend pune. Pagat e ulëta të mësuesve, sidomos në ciklin 9-vjeçar (asokohe 8-vjeçar) krijuan një sistem paralel të bërë nga kurse pas klase privatisht.

Shpesh këto kurse ofroheshin në mënyrë të paligjshme, ndonjëherë flitej se nxënësit e shkollave publike detyroheshin të merrnin pjesë. Presionet psikologjike të lidhura me këto arsye kanë nxitur shumë prindër që të regjistrojnë fëmijët në shkolla private. Sipas të dhënave të INSTAT, bumi i hapjes së shkollave të ciklit 8-vjeçar asokohe ka qenë shumë i lartë për vitin arsimor 2013-2014, 127 të tilla në të gjithë vendin.

 

Treg i lirë por…

Tirana ka numrin më të lartë të institucioneve të edukimit jopublik parauniversitar krahasuar me rrethet e tjera, duke qenë se përqendrimi i popullsisë në këtë qark është më i lartë. Bumi i përhapjes së shkollave private në të gjithë vendin u shoqërua në disa raste edhe me mungesën e kontrollit. Në nisje të vitit shkollor 2013-2014 u forcuan kriteret për hapjen e shkollave private, ashtu sikurse u mbyllën shumë syresh, kryesisht universitete. Megjithatë, pati mbyllje të shumta të numrit të shkollave private edhe në nivelin parauniversitar.

 

 

Në këtë vit, u krijua Zyra për Zhvillimin e Arsimit Privat (DZHAP), pjesë integrale e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila monitoron dhe miraton krijimin dhe funksionimin e shkollave private. Të dhëna publike për masa ndaj institucioneve që nuk përmbushin kriteret nuk ka. Megjithatë, ndonëse ka pasur ndër vite mbyllje të shkollave private, numri i tyre është relativisht i lartë dhe reklamojnë aktivitetin e tyre si çdo kompani tjetër private. Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin shkollor 2017-2018, numri i institucioneve të arsimit privat (së bashku me universitetet) ishte 406.

Në 2013 u forcua kontrolli në tregun arsimor privat. Udhëzimi i ministrit të Arsimit që mban datën 18 korrik 2013, sanksiononte standardet normative që duhet të përmbushin objektet që do të funksionojnë si institucione arsimore private. Më konkretisht, sipas këtij udhëzimi, ata janë: Klasë e zakonshme konsiderohet ai mjedis mësimor që ka një normativë sipërfaqeje shfrytëzimi prej 1.3-1.6 m²/nxënës; Nyjat hidrosanitare përfshijnë 1 boks për 40 djem, 1 boks për 30 vajza, si dhe 1 boks për administratën. Për kopshtet, shërbimet higjienike vendosen pranë çdo grupi dhe pozicionohen në mënyrë të tillë që të jenë sa më afër për secilin grup.

Numri i bokseve duhet të jetë 3 për një grup, të ndarë me mure nga njëri-tjetri, si dhe duhet të ketë dhe katër lavamanë me ujë të pijshëm. Banjat duhet të kenë porta që hapen nga jashtë dhe të shkëputura nga dyshemeja. Pajisjet e banjave duhet të jenë të përshtatshme për moshën e fëmijëve. Për edukimin fizik, subjekti që kërkon licencë duhet të ketë në dispozicion një palestër sportive (për shkollat nën 100 nxënës shfrytëzohet një klasë në katin përdhe me përmasa 60 m²) dhe një kënd sportiv jo më i vogël se 100 m².

Objektet arsimore që vihen në dispozicion për nivele të ndryshme arsimimi (kopshte, shkollë 9-vjeçare dhe shkollë e mesme) të kenë mjedise që nuk komunikojnë me njëri-tjetrin. Lidhur me normativën e ndriçimit natyral duhet që sipërfaqja e dritareve të mbulojë minimalisht 15% të sipërfaqes së dyshemesë dhe ndriçimi duhet të jetë në krahun e majtë të nxënësit, mundësisht i orientuar nga juglindja. Ndriçimi të realizohet me dritare me xham të tejdukshëm. Dritaret nuk lejohet të vendosen në murin ku është vendosur dërrasa e zezë.

Për shkollat e arsimit bazë (sistemi 9-vjeçar) duhet të jenë në dispozicion, minimumi 9 klasa për ciklin e ulët dhe të lartë dhe dy dhoma mësuesish. Për shkollat e ciklit të ulët (6-vjeçar) duhet të jenë në dispozicion, minimumi 6 klasa dhe një dhomë mësuesish. Për shkollat e mesme të përgjithshme/profesionale duhet të jenë në dispozicion, minimumi, 5 dhoma mësimore. Për kopshtet të ketë minimalisht 3 dhoma mësimore. Pas kërkesës nga institucionet përkatëse në MASH, një grup ekspertësh verifikon ambientet se çfarë kushtesh kanë dhe në bazë të këtij raporti jepet leja ose refuzohet. Në deklaratën që duhet të lëshojnë institucionet private, ata duhet të deklarojnë se do të zbatojnë kurrikulën e miratuar nga Ministria e Arsimit.

Tarifat për marrjen e licencës variojnë nga 35 mijë lekë të reja për ata që duan të hapin një kopsht deri në 70 mijë lekë të reja për ata që duan të hapin shkollë të mesme të përgjithshme. Për shkollë të ciklit të ulët fillor, pagesa është 45 mijë lekë, për shkollë të ciklit të lartë 9-vjeçar pagesa është 45 mijë lekë, për shkolla të mesme të përgjithshme 70 mijë lekë, për të mesme profesionale 60 mijë lekë dhe për institucionet për kurse plotësuese (IAPPRP) pagesa është 70 mijë lekë.

 

Pjesëmarrja në arsimin publik në rënie

Sipas të dhënave të bëra publike nga INSTAT, numri i të regjistruarve gjithsej në arsim, në vitin shkollon 2017/18 ishte rreth 653 mijë persona. Në krahasim me vitin akademik 2013/14 kemi rreth 134 mijë të regjistruar më pak.

Rënie ka te të gjitha ciklet, por më e forta është në studentët e arsimit të lartë (-44 mijë), më pas në ciklin e mesëm (-32 mijë). Në vitin shkollor 2017-2018, në arsimin parauniversitar ishin të regjistruar 520.759 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 2,9%, krahasuar me vitin shkollor 2016-2017. Rënia e numrit të nxënësve në vlerë absolute, ndjek rënien e popullsisë së grupmoshës që i përket arsimit parauniversitar.

Në vitin shkollor 2017-2018, në arsimin parashkollor e frekuentuan 81.026 fëmijë, ose 80,3% e popullsisë së kësaj grupmoshe, duke shënuar ulje prej 1,2 pikë përqindje, krahasuar me vitin paraardhës. Raporti i Regjistrimeve Neto (numri gjithsej i nxënësve sipas grupmoshës teorike për një nivel të caktuar të arsimit të regjistruar në atë nivel, i shprehur si përqindje e popullsisë në atë grup moshë) për fëmijët në kopshte është 76,3%.

Në vitin shkollor 2017-2018, numrin i nxënësve në arsimin 9-vjeçar ishte 319.671, duke shënuar një ulje prej 2,5%, në të dy ciklet e arsimit 9-vjeçar. Të regjistruarit e grupmoshës 6-14 vjeç, përbëjnë 96,5% të të regjistruarve në arsimin 9-vjeçar, me rritje prej 4,2 pikë përqindje nga viti shkollor 2016-2017. Në vitin shkollor 2017-2018, u regjistruan 92,7% e nxënësve të arsimit 9-vjeçar në institucionet e arsimit publik dhe 7,3% në privat. Ndër nxënësit e regjistruar në arsimin 9-vjeçar, vajzat zënë 47,4%. Në vitin 2017-2018, pjesëmarrja e nxënësve në arsimin e mesëm është 93,9%, duke shënuar rritje prej 0,8 pikë përqindje në krahasim me një vit më parë. Pjesën më të madhe të nxënësve në arsimin e mesëm e përbëjnë nxënësit e gjimnazit prej 79,4%. Në vitin shkollor 2017-2018, arsimi publik përfshin 88,4% të nxënësve të arsimit të mesëm gjithsej.

Në vitin shkollor 2017-2018, mësuesit e arsimit 9-vjeçar janë 24.790, ndër të cilët 73,9% e tyre janë femra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin fillor publik është 17,8 dhe në atë privat është 15,0. Ndërsa në ciklin e lartë të arsimit 9-vjeçar, raporti nxënës për një mësues në publik është 10,1 dhe në atë privat 7,7. Numri i mësuesve në arsimin e mesëm është 8.941 prej të cilëve 66,2% janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin e mesëm është 13,8 në arsimin publik dhe 8,7 në atë privat.

 

Shqiptarët me shpenzimet më të larta për arsimin në Europë

Të dhënat e INSTAT, për matjen e nivelit të jetesës, treguan se pesha e shpenzimeve për arsim arriti në një nivel rekord, prej 4.4% të totalit të konsumit në 2017, nga 1.7% që ishte një dekadë më parë. Të dhënat krahasuese nga anketat e buxhetit të familjeve të vendeve të rajonit dhe Eurostat, të përpunuara nga “Monitor” në fund të vitit 2017, tregojnë se familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për arsim nga vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian.

Mesatarja e Bashkimit Europian është 2.1%, ndërsa një familjeje në rajon i kushton shumë më pak (në termin relativ ndaj shpenzimeve totale) që të shkollojë fëmijën. Serbia, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina e kanë këtë raport midis 0.6-0.7%, ndërsa në Kroaci arrin në 1.1%. Instituti i Statistikave të Kosovës raporton në anketën e fundit të buxhetit të familjeve për vitin 2016, se pesha e shpenzimeve për arsim në totalin e buxhetit është zero. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin shkollor 2016/2017, numri i nxënësve dhe studentëve të regjistruar në arsim në Shqipëri ishte 596 mijë, nga të cilët 24% ndiqnin arsimin e lartë.

 

Shkollimi privat ka qenë në rritje që nga viti 2000

Statistikat zyrtare në botë tregojnë se regjistrimet në shkollat private janë rritur nga 7% në vitin 2000 në 9% në vitin 2015 në nivelin e arsimit fillor. Megjithatë, hamendësohet se ky numër mund të jetë më i lartë, pasi shkollat private nganjëherë nuk numërohen plotësisht në statistikat zyrtare. Për shembull, të dhënat e Institutit të Statistikave të UNESCO-s nuk lejojnë shkollat të regjistrohen siç duhet në vende si India, Kenia, Nigeria dhe Pakistani, të cilat kanë qenë në qendër të debatit mbi arsimin privat.

Sipas një raporti të vitit 2015, në Azinë Jugore, një e treta e 6-18-vjeçarëve ishin të regjistruar shkolla private. Në Lagos, Nigeri, shkollat private përbënin më shumë se 70% të niveleve parashkollore dhe fillore në vitin shkollor 2014/15. Në vendet me nivele të ndryshme të të ardhurave, qeveritë kanë hapur në mënyrë aktive edhe ofrimin e arsimit dhe financimin e aktorëve privatë. Raporti citon që vendet e varfra dhe ato në zhvillim kanë qenë më të prirura për të pasur një numër të lartë të institucioneve arsimore private, se sa ato të zhvilluara, nga mungesa e një arsimi publik cilësor.

 

Kriza globale e shkollimit

Siç thuhet nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, rritja ekonomike, zhvillimi dhe stabiliteti varen kryesisht nga arsimi, trajnimi dhe punësimi i të rinjve. Kur të rinjtë nuk janë të angazhuar në sistemin arsimor ose në tregun e punës, shkëputen nga shoqëria, duke humbur gradualisht ndonjë perspektivë për të zhvilluar aftësi të reja që mund t’i ndihmojnë ata të gjejnë një punë të mirë. Sipas Komisionit të Arsimit të Institutit të Statistikave të UNESCO (UIS), rreth 40% e punëdhënësve në nivel global po hasin vështirësi për të rekrutuar njerëz me aftësitë që u nevojiten atyre.

Nëse arsimi në pjesën më të madhe të botës nuk arrin të jetë në të njëjtin ritëm me kërkesën në rritje për aftësi – me leximin, shkrimin dhe matematikën që konsiderohen si gjërat më minimale – do të ketë mungesa të mëdha të punëtorëve të kualifikuar në ekonomitë në zhvillim dhe në ato të zhvilluara si dhe teprica të mëdha punëtorësh me aftësi të dobëta. Pa masa urgjente, më shumë se një e katërta e popullsisë në vendet me të ardhura të ulëta ende mund të jetojnë në varfëri ekstreme në vitin 2050. Kriza globale e shkollimit përbën një kërcënim të madh për prosperitetin e ardhshëm.

Por ky nuk duhet të jetë rasti. Nuk është e pashmangshme. Ne mund të sigurojmë që të gjithë fëmijët dhe të rinjtë të jenë në shkollë dhe të mësojnë aftësitë që u nevojiten për të qenë të suksesshëm në punë dhe në jetë. Vizioni mund të arrihet brenda një brezi, nëse të gjithë vendet përshpejtojnë progresin e tyre. Ky vizion është mbështetur fuqishëm nga UIS dhe Komiteti Drejtues i Edukimin SDG 2030. Të dhëna të reja nga UIS kanë përforcuar thirrjet për më shumë investime për ta. Detyra që na pret përpara është ta nxisim urgjentisht atë investim, duke u mbështetur në të dhënat më të mira të mundshme për t’u siguruar që çdo fëmijë të ketë aftësitë e duhura për një të ardhme produktive.

 

Pagesa në muaj e një kopshti privat në Tiranë nis nga 12 mijë lekë dhe arrin deri në 500 euro. Pagesa në muaj e një shkolle të ciklit 9-vjeçar dhe të mesëm në Tiranë nis nga 20 mijë lekë dhe arrin deri në 400 euro.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of