Flet Ervin Koçi, përfaqësues i Komisionit të Ekonomisë, deputet i PS-së
Buxheti i vitit 2013 është më i keqi në këto 8 vjet dhe të gjithë treguesit ekonomikë dhe socialë janë përkeqësuar krahasuar me vitin 2005. Treguesit e situatës makroekonomike për vitin 2012 dhe parashikimi buxhetor për vitin 2013 pasqyrojnë realitetin e hidhur që do të përballemi të gjithë nesër. Rritja ekonomike është përkeqësuar ndjeshëm vit pas viti dhe realisht nuk kemi rritje ekonomike, e thënë dhe nga institucionet ndërkombëtare, edhe pse qeveria përpiqet me demagogji të flasë për parajsë në këtë vend. Numri i të papunëve do të rritet, vetëm gjatë tre viteve të fundit janë humbur zyrtarisht 45 mijë vende pune. Numri i të punësuarve sipas vetë INSTAT-it në vitin 2012 është ulur me 40 000 të punësuar krahasuar me vitin 2005. Sot një në çdo dy veta të aftë për punë është i papunë.
Performanca e mbledhjes së të ardhurave do të vazhdojë të përkeqësohet, sot është nën 25% të PBB, niveli më i ulët i performancës fiskale në të gjithë Europën, më keq se dhe viti 2005. Investime në vepra të reja publike mungojnë për vitin 2013, nuk ka rritje reale të pagave dhe pensioneve edhe pse në vitin e ardhshëm, do të merret borxh mbi 700 milionë USD.
Borxhi publik, sot sfidë globale, po rritet tej mundësisë për të përballuar kostot e tij, parashikohet zyrtarisht të jetë 62.6% për vitin 2013, më i lartë se çdo vend tjetër që ka të njëjtin stad zhvillimi me ne.
Çdo foshnjë që do të lindë në 2013-n, do të ketë një borxh 3 mijë dollarë, tri herë më të lartë se në vitin 2005. Marrja e borxheve për të shlyer borxhet e mëparshme, ka çuar që kostoja e borxhit është 3.6% e PBB, tri herë më e lartë se mesatarja e rajonit. Niveli i varfërisë po rritet ndjeshëm. Sot sipas BB, 60.5% e popullsisë në Shqipëri është në varfëri të moderuar dhe 1 në çdo 7 familje që jeton në Shqipëri është në varfëri ekstreme. Shërbimet publike, sidomos arsimi dhe shëndetësia, po bëhen gjithnjë e më shumë shërbime që përfitohen me para dhe jo sipas nevojës. Investimet në këto dy sektorë për vitin 2013 janë më të ulëtat krahasuar me vite më pare. Vetëm gjatë mandatit të fundit qeverisës analfabetizmi është rritur nga 10% në 15% dhe shërbimi shëndetësor është degraduar plotësisht. Fshati shqiptar është tërësisht i braktisur dhe vuan mungesën e ujit, kostot marramendëse të prodhimit, pamundësinë e daljes së produkteve në treg. Sot, vetëm 3% e familjeve që merren me bujqësi në fshat përfitojnë nga financimi publik dhe përfiton 0.4% të PBB (përfshirë dhe pagat e administratës) edhe pse jep mbi 18% të PBB dhe jeton rreth gjysma e popullsisë.
Marrëdhëniet me biznesin janë përkeqësuar ndjeshëm dhe në çdo treg mbizotërojnë monopolet të lidhura me qeverinë. Sistemi energjetik vazhdon kolapsin dhe deri tani, ende pa zgjidhje, por nesër me kosto të larta për qytetarin. Buxheti nuk i jep zgjidhje borxhit të keq në sistemin bankar që sot është 23.4%, më i larti në të gjithë rajonin, ku promotor negativ është vetë qeveria që nuk shlyen borxhin prej 260 milionë USD ndaj punimeve të kryera nga biznesi dhe që koston e jep në sistemin bankar. Buxheti është mbështetur në politika fiskale të dështuara, duke tatuar më shumë ata që paguhen më pak. Vetëm gjatë këtyre 8 vjetëve, barra fiskale për shumicën dërrmuese të shqiptarëve që jetojnë me punë është rritur me 14%, pasojë e drejtpërdrejtë e vendosjes së taksës së sheshtë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.