Flet Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë, Instituti Kanadez i Teknologjisë, Tiranë…
Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë, tani në Institutin Kanadez të Teknologjisë, Tiranë, thotë se, dy janë rreziqet kryesore që meritojnë të shtjellohen dhe të mbahen në konsideratë edhe për buxhetin 2015: Së pari, fakti që kontributi kryesor në rritjen e ekonomisë vjen nga konsumi, i cili zë gati 70% të PBB-së dhe çdo tkurrje e konsumit, do të kishte një efekt shumë negativ në rritjen ekonomike. Së dyti janë rreziqet e arritjes të vetë objektivit të rritjes ekonomike, për shkak të faktorëve të tjerë, qoftë endogjenë apo ekzogjenë. “Prandaj mendoj se është e domosdoshme që buxheti i ri të shoqërohet edhe me masa rezervë, ose me shtime të kontigjencave, në rast mosrealizimi të të ardhurave”, – thotë Xhepa.
Zoti Xhepa, projektbuxheti 2015, që aktualisht po diskutohet në Kuvend, parashikon të rrisë të ardhurat me rreth 45 miliardë lekë më shumë se plani i pritshëm i këtij viti. Fillimisht si e konsideroni këtë planifikim ambicioz në kushtet në të cilat po kalon ekonomia e vendit?
Duke analizuar të ardhurat e buxhetit të shtetit të katër viteve të fundit, duket se pika fundore ishte 2013-a, kur të ardhurat e realizuara në fund të këtij viti ishin rreth 7 miliardë lekë më pak se të ardhurat e realizuara të vitit 2012. Në fakt, kjo prirje rënëse e realizimit të të ardhurave kishte nisur që më parë: të ardhurat e vitit 2012 ishin rreth 11 miliardë lekë më pak se ato që u realizuan në vitin 2011. Ndërsa në vitin 2014, të ardhurat pritet të jenë 368 miliardë lekë, ose 42 miliardë lekë më shumë. Kështu që edhe shtesa e planifikuar për të ardhurat e buxhetit të vitit 2015 me 45 miliardë lekë, duket se është në prirjen e vet normale. Por, po të shihet në një kontekst kohor më të largët, të ardhurat e realizuara të vitit 2011, për shembull, ishin 344 miliardë lekë dhe të ardhurat e vitit 2014 pritet të jenë vetëm 24 miliardë lekë më shumë nga ato të realizuara dy vjet më parë. Prandaj cilësori “ambicioz” varet nga baza e krahasimit që përdorim në analizë. Në tërësi, mendoj se viti 2014 po shënon pikën e kthesës dhe vendosjen e financave publike në rrugën e konsolidimit. Fakti që ekonomia po arrin të gjenerojë rreth 42 miliardë lekë shtesë gjatë këtij viti, edhe pse ky është një vit mjaft i vështirë për ekonominë dhe ku aktiviteti ekonomik mbetet i dobët, shtesa e planifikuar prej 45 miliardë lekësh për vitin 2015 duket e realizueshme, edhe pse padyshim që është sfiduese.
Në këtë vlerë prej 45 miliardë lekësh rritje, 13 miliardë lekë më shumë i dedikohen rritjes në disa tatimeve dhe taksave dhe pjesa tjetër, 32 miliardë lekë, ndahet ndërmjet të ardhurave që mund të sjellë rritja ekonomike dhe lufta ndaj informalitetit. A është ky një planifikim i drejtë dhe i realizueshëm?
Siç shihet nga këto shifra, vetëm 29% e rritjes së të ardhurave vjen nga rritja e taksave, ndërsa 71% i dedikohet kryesisht rritjes ekonomike, që pritet të jetë sërish shumë modeste, 3% dhe luftës ndaj informalitetit. Rritja totale e pritshme e të ardhurave me rreth 12% nuk është ndonjë rritje që nuk e ndeshim edhe në vitet e kaluara, por kjo i ishte atribuuar rritjes mjaft të fortë të ekonomisë, siç ishte periudha e viteve 2006-2008, një rritje e shëndetshme e prodhuar edhe nga politikat e zbutura fiskale. Ndërsa kjo rritje e tanishme, duket se në masën më të madhe do të vijë nga lufta ndaj evazionit. Në këtë kontekst, më duket realisht sfiduese për qeverinë arritja e një objektivi të tillë, aq më tepër që disa masa të administrimit fiskal të propozuara do të kenë një kosto për financat. Për shembull, rimbursimi automatik dhe vetëm me kontroll të riskut, nënkupton që detyrimet ndaj biznesit për rimbursim të TVSH-së do të jenë në minimum; zgjerimi i zërave të shpenzimeve të zbritshme për biznesin (firot), disa politika sektoriale zbutëse (bujqësia dhe peshkimi), pritet të jenë me ndikime negative te të ardhurat, edhe pse ato kanë një efekt dinamik pozitiv në inkurajimin e më shumë investimeve nga sektori privat.
Mendoj se peshën kryesore në këtë luftë të informalitetit është llogaritur ta mbajë përmirësimi i administrimit të TVSH-së, duke shpresuar në futjen e lotarisë tatimore, duke inkurajuar kështu qytetarët të tërheqin faturat e blerjeve, duke ngushtuar informalitetin që mbetet absolutisht i lartë në këtë kategori të tatimit. Nëse kjo masë do të fillonte sa më parë nga zbatimi, them se objektivi i realizimit të të ardhurave është i mundur të arrihet pa vështirësi.
Këtë vit është provuar se, taksat e rritura në buxhet, nuk u realizuan sipas planifikimeve, madje ato krijuan një deficit para se të rishikohej buxheti. A është ky një precedent i rëndësishëm që qeveria të përdorë mjete të tjera për konsolidimin fiskal?
Duke parë statistikat e realizimit të buxhetit për nëntëmujorin (janar-shtator), rezulton se, të ardhurat e planifikuara dhe ato të realizuara janë shumë të përputhura: janë arkëtuar 266.7 miliardë lekë nga 266.3 miliardë të planifikuara, me një rritje modeste 0.1%. Edhe duke parë zërat e të ardhurave në mënyrë më të detajuar, duket se devijimet e parashikimeve nga planifikimi janë mjaft të vogla, me shumë pak përjashtime. Të ardhurat tatimore, që janë dhe baza e të ardhurave, kanë pasur një mosrealizim prej vetëm rreth 3 milionë euro, ose me vetëm 0.2% në raport me planin. Duket se kemi pasur një buxhet me një planifikim realist të të ardhurave. Nga pikëpamja e konsolidimit fiskal, realizimi i tij duke shtuar të ardhurat më shumë se duke ulur shpenzimet, është mënyra kryesore, në kushtet e vendit tonë, kur shpenzimet totale të buxhetit janë vetëm rreth 30% të PBB-së, një nivel ky mjaft i ulët krahasuar me vendet e rajonit, me vendet e BE-së dhe krahasuar me nevojat madhore të vendit për rindërtimin dhe modernizimin e jetës ekonomike dhe sociale të tij. Edhe në planifikimin afatmesëm, vendi duket se do të ruajë të njëjtin nivel shpenzimesh, prandaj dhe rritja e të ardhurave është alternativa e vetme që kemi.
Në kushtet e një kërkese të dobët, grumbullimi i rreth 450 milionë dollarëve më shumë, a do të ishte një goditje ndaj konsumit dhe për rrjedhojë, edhe ndaj rritjes ekonomike?
Siç u evidentua më sipër kur folëm për burimet e rritjes së të ardhurave, vetëm gati 100 milionë euro gjenerohen nga rritja e taksave, ndërsa pjesa tjetër pritet të burojë nga të ardhurat shtesë që do të krijojë ekonomia, si dhe nga lufta ndaj evazionit, duke miradministruar sistemin tatimor, veçanërisht TVSH-në. Sidoqoftë, dy janë rreziqet kryesore që mendoj se meritojnë të shtjellohen dhe të mbahen në konsideratë: së pari, fakti që kontributi kryesor në rritjen e ekonomisë vjen nga konsumi, i cili zë gati 70% të PBB-së, është e natyrshme që çdo tkurrje e konsumit, do të kishte një efekt shumë negativ në rritjen ekonomike. Për pasojë, efekti i rritjes së taksave, aq më tepër që ato që rriten janë kryesisht taksa të konsumit, çdo rritje të tyre do të vinte në rrezik rritjen ekonomike. Por, edhe rritja e taksave direkte, siç është kalimi nga 10% në 15% i tatimit mbi të gjitha kategoritë e tjera të të ardhurave, përjashtuar të ardhurat nga paga, kanë efekte negative mbi të ardhurat dhe mbi konsumin e qytetarëve. Së dyti, janë rreziqet e arritjes të vetë objektivit të rritjes ekonomike, për shkak të faktorëve të tjerë, qoftë endogjenë apo ekzogjenë. Prandaj mendoj se është e domosdoshme që buxheti i ri të shoqërohet edhe me masa rezervë, ose me shtime të kontigjencave, në rast mosrealizimi të të ardhurave.
Qeveria ka alternativa të kufizuara për konsolidimin fiskal, nëse rritja e taksave vlerësohet domosdoshmëri, çfarë taksash dhe tatimesh duhet të ndryshonin?
Edhe në debatin midis dy filozofive të shtetit të vogël përkundrejt një shteti të madh, mund të konsiderohet se një nivel shpenzimesh buxhetore jo më shumë se 30% e PBB-së do të ishte shumë optimal për kushtet e ekonomisë sonë. Prandaj, konsolidimi i financave të vendit do të duhet të realizohet, duke synuar një nivel të të hyrave publike në po këtë nivel, në kushtet kur objektivi final, në afat të gjatë, duhet të jetë ai i një buxheti të balancuar. Prandaj, edhe rritja e të ardhurave mbetet themelore për interesat e rritjes ekonomike dhe adresimin e sfidave sociale. Kur bëhet fjalë për taksat që duhen rritur, vendet si Shqipëria por jo vetëm, shohin në anën e tatimeve indirekte, në mënyrë që të krijojnë nxitje të mjaftueshme për rritjen e investimeve dhe duke mbajtur në balancë konsumin. Kjo është e dukshme për rastin e vendit tonë, ku pesha e konsumit në raport me investimet, si dy komponentët që ushqejnë dhe udhëheqin rritjen ekonomike, është e disbalancuar. Vendit i duhet të mbajë një nivel relativisht të lartë të investimeve në ekonomi, në mënyrë që edhe konsumi të jetë i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm. Përndryshe rritja e ekonomisë thjesht nga konsumi do të ishte një rritje fiktive dhe në afat më të gjatë nuk do të përballohej dot, duke rrezikuar ekonominë që ajo të mbetet në një rreth vicioz të një rritje vetëm sa për të ushqyer konsumin.
Ecuria e taksave dhe tatimeve në dy dekadat e fundit ka treguar se, ecurinë më të mbarë e kanë pasur taksat ndaj konsumatorëve, se sa ato ndaj biznesit. A është e logjikshme që qeveria të vijojë të rrisë të ardhurat duke rritur barrën fiskale ndaj konsumatorit?
Zhvendosja e barrës së taksave nga prodhuesit te konsumatorët është një realitet global, që fillon të theksohet veçanërisht pas viteve ‘80. Arsyeja kryesore është se taksimi i biznesit shoqërohet me kufizimin e zgjerimit të investimeve dhe modernizimin e sipërmarrjes, ndërsa tatimi mbi konsumin është më shumë neutral. Efektet negative që kjo politikë ka veçanërisht për grupet shoqërore me të ardhura të ulëta – këto janë taksa thellësisht regresive, në kuptimin që ndikojnë shumë më tepër mbi grupet me të ardhura të ulëta – vendet e zhvilluara i zbusin duke bërë kompensime të të ardhurave të tyre, ose plotësim të të ardhurave të munguara. Për ta ilustruar, nëse një familje me katër persona në fund të vitit do të kishte të ardhura më pak se 100 mijë lekë, familjes do t’i jepej një shumë prej 100 mijë lekësh në fund të vitit, si kreditim taksash (ose më saktë si kompensim të ardhurash). Kjo është mënyra se si veprojnë vendet e botës për të kompensuar këtë barrë të taksave të shtuara mbi këto grupe. Mendoj se vendi ynë duhet të kalojë drejt përdorimit të këtyre politikave. Ne kemi në fuqi një ligj që kërkon deklarimin vjetor të të ardhurave të çdo individi dhe do të ishte e arsyeshme që ky ligj të modernizohet dhe të aplikohet për qëllime reale të politikës fiskale.
Është i dyti vit radhazi që ka një rritje agresive në tatimin e karburantit, nëpërmjet rritjes së taksës së qarkullimit. Vetëm këtë vit, barra fiskale ndaj karburantit rritet me 12 lekë. Vendet e tjera janë të kujdesshme kur rrisin tatimin ndaj gazoileve për vetë rëndësinë që produkti ka në rritjen ekonomike. Veç kësaj, në vendin tonë, çmimi i këtyre produkteve kalon edhe nivelet e BE-së. A është kjo rruga e duhur që po ndjek qeveria apo nuk ka zgjidhje tjetër?
Rritja e tatimit të karburantit është një politikë konstante e buxheteve të hartuara në vijimësi gjatë tranzicionit, dhe në gjykimin tim, edhe për shkak të lehtësisë së grumbullimit të saj dhe efektit masiv që kjo taksë ka në realizimin e të ardhurave. Do të ishte e rëndësishme që autoritetet fiskale të jepnin në mënyrë transparente një strukturë të çmimit të karburanteve, për të parë peshën që zënë taksat dhe tatimet dhe ta krahasonim atë me strukturën e çmimit të këtij produkti në vendet e tjera. Në këtë mënyrë, do të mund të kishim një pamje më të qartë se sa regresiv është sistemi ynë fiskal krahasuar me vendet e tjera. Personalisht mendoj se konsumatori është i shqetësuar po aq sa për çmimin e karburantit që vjen nga taksat, edhe për deformimin e konkurrencës së tregut të karburanteve, që shprehet tek elasticiteti i ulët i çmimit në raport me ndryshimet e kushteve të tregut. Sa herë që tregu ndërkombëtar dikton uljen e çmimeve, në Shqipëri çmimi mbetet konstant. Së dyti, cilësia e lëndëve djegëse është shqetësuese, duke reflektuar kështu një abuzim të dyfishtë me konsumatorin. Fatkeqësisht, autoritetet kontrolluese dhe mbikëqyrëse të tregut nuk kanë qenë efektive në vendosjen e disiplinës në këtë treg. Aksione sporadike dhe kryesisht të karakterit mediatik që ndërmerren, nuk janë aspak të besueshme për publikun se po ndryshon në mënyrë serioze gjendja e këtij tregu.
Shpenzimet kapitale këtë vit, në vlerë neto, ishin më të ulëtat e pesë viteve të fundit. Por edhe pse në këto nivele, ato nuk janë realizuar me gati 15 miliardë lekë në fund të nëntëmujorit, duke ndikuar edhe në frenimin e rritjes ekonomike. Ndërsa këtë vit, shpenzimet për investime nuk janë më shumë se 64 miliardë lekë. A është kjo shumë e mjaftueshme për të gjeneruar rritje ekonomike?
Investimet publike të planifikuara në masën prej 64 miliardë lekësh janë në një nivel realisht të ulët, krahasuar edhe me shifrën prej 67 miliardë lekësh të vitit 2010. Po t’i shtojmë edhe shifrën e transfertave që i shkojnë pushtetit vendor dhe ato të Fondit të Zhvillimit, prej rreth 24 miliardë lekësh, të cilat shkojnë kryesisht për investime, gjendja duket disi më e përmirësuar. Por, ajo që spikat tek investimet publike janë shpërndarja e tyre që, në gjykimin tim, mbetet sërish problematike. Kështu, infrastruktura do të thithë rreth 278 milionë euro, ndërkohë që investimet në të gjithë sistemin arsimor janë 21 milionë euro, prej të cilave për arsimin universitar që ka nevojë që të mbështesë reformën e kryer, në fakt i dedikon vetëm 3 milionë euro. Në totalin e tij, arsimi do të financohet edhe me më pak fond se viti 2014 dhe duket se shtimi i financimit pritet vetëm pas vitit 2016-2017. Ndërsa për kërkimin shkencor nuk ka asnjë qindarkë. Shëndetësia merr rreth 2 miliardë lekë më shumë se ky vit, por sërish vlera e investimeve është vetëm 13 milionë euro. Në bujqësi, projekti i mbështetjes së fermerëve (gati 10 mijë prej tyre) pritet të përfitojnë në total gati 6.5 milionë euro, ndërsa për ujitjen rreth 14.5 milionë euro. Për më keq, projeksionet për vitet e ardhshme flasin për tkurrje të financimit buxhetor për këtë sektor dhe financimi i vitit 2017 do të jetë edhe më i ulët se investimet e këtij viti. Në konkluzion të kësaj analize, mendoj se tipari më pozitiv i këtij buxheti është përpjekja për të reduktuar deficitin buxhetor dhe për ta futur ekonominë në rrugën e konsolidimit fiskal. Rritja e të ardhurave të buxhetit është me rëndësi jetike për stabilitetin financiar të vendit dhe për të garantuar financimin e shërbimeve jetike për funksionimin e ekonomisë dhe shoqërisë. Ruajtja e niveleve të larta të investimeve publike për infrastrukturën fizike mendoj se mund të rishikohet duke e shtrirë modernizimin e saj në më shumë vite dhe duke u fokusuar në përfundimin e veprave të nisura që kompletojnë rrjetin infrastrukturor në masën më të madhe. Ndërkohë, nevojat e vendit, të sotme dhe të ardhme, janë për një mbështetje shumë më të madhe të bujqësisë, arsimit dhe shëndetësisë. Janë të tre sektorë kritikë për të modernizuar jetën e vendit dhe për të garantuar një zgjerim të potencialeve të rritjes për të ardhmen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.