Buxheti i vitit 2015, i cili është shqyrtuar nga Qeveria e Kosovës dhe që pritet të miratohet nga Kuvendi,konsiderohet si trend i deritanishëm i projeksioneve buxhetore, pa ndonjë ndryshim të rëndësishëm.
Sipas vlerësimeve të ekspertëve për çështje ekonomike, ky buxhet nuk mund t’i përmbushë të gjitha premtimet e partive të koalicionit qeverisës, që i patën dhënë gjatë fushatës zgjedhore.
Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest”, thotë për Radion Evropa e Lirë se buxheti i vitit 2015 nuk do të ketë refleksion në disa prej pritjeve më bazike. Sipas tij, nuk duhet pritur realizim premtimesh nga alokimet buxhetore, por nga politikat fiskale. Nga përvoja e deritashme, sipas tij, buxhetet e kaluara, të cilat janë të ngjashme me atë të vitit 2015, nuk kanë sjellë zhvillim të mjaftueshëm ekonomik.
Ndërsa, Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, vlerëson se aprovimi nga Kuvendin i Kosovës i ligjit për buxhetin, të propozuar nga qeveria e vendit, do të jetë vetëm një hap drejt mundësisë eventuale për realizmin e premtimeve të partive të koalicionit qeverisës, të cilat i kanë dhënë gjatë fushatës zgjedhore.
Profesor Bektashi, vlerëson se buxheti për vitin 2015, mund ta mbajë administratën dhe t’i realizojë projektet e propozuara, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore. Por ai shton se buxheti nuk mund ta luaj rolin e një faktori shumë të rëndësishëm zhvillimor.
Të tjerë ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësuan se qëllimet e parashtruara në formë të premtimeve nga ana e partive të koalicionit qeverisës, nuk mund të realizohen pa ndryshuar klimën e biznesit dhe qasjen ndaj investitorëve të huaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.