Buxheti dhe paketa: Nxitës, apo bumerang?!

06/01/2014 8:54 AM 0 komente

Buxheti dhe paketa fiskale 2014 në këndvështrimin e ekspertëve vendas të ekonomisë. Përkrahës të qeverisë parashikojnë një përmirësim të ekonomisë dhe treguesve gjatë vitit të ardhshëm si pasojë e sistemit të ri fiskal, por të tjera paralajmërojnë se gjithë këto nisma mund të kthehen në një ‘bumerang’ për ekonominë shqiptare

 

Nga Laura Çela

Buxheti dhe paketa e re e vitit 2014 kanë ngjallur debate të shumta jo vetëm ndër politikanë, por edhe tek ekspertë të ndryshëm të ekonomisë vendase.

Në kushtet kur këto dy drafte përcaktojnë ndryshime të shumta në sistemin fiskal, si rritja e tatimit fitimit në 15%, rritja e tatimit mbi të ardhurat për personat me paga të larta, rritja e akcizës së karburanteve, rentës, etj, por njëherësh edhe një shtim të madh të borxhit të qeverisë, në mbi 95 miliardë lekë, reagimet janë të ndryshme.

Revista ‘Monitor’ ka intervistuar disa ekspertë vendas të ekonomisë e financave për të marrë opinionet e tyre në lidhje me buxhetin dhe paketën që do të nisin zbatimin në 2014-ën.

Prof. Dr Anastas Angjeli, deputet i Partisë Socialiste është optimist për këto drafte. Sipas tij, përmes treguesve të paraqitur me realizëm në këtë buxhet synohet të arrihet një ritëm rritjeje ekonomike 2 për qind dhe në terma nominale një rritje prej 3.6 për qind.

“Gjatë vitit 2014 parashikohet një rritje e të ardhurave buxhetore prej rreth 42 miliardë lekë dhe të shpenzimeve të përgjithshme prej 54.2 miliardë lekë me përpjekje maksimale për të mbajtur ne kontroll inflacionin, deficitin buxhetor dhe borxhin publik, kryerjen e një reforme të thellë fiskale, vendosjen e një disipline të re financiare dhe formalizimin e ekonomisë “, thotë Prof. Angjeli.

Por Arben Malaj, ish-Ministër i Financave mendon se ndikimi ekspansionist që buxheti synon në ekonomi me deficitin e lartë mund të mos arrijë objektivat e tij nëse implementimi i buxhetit fillon me vonesë, nëse paketa fiskale zbatohet në mënyrë të sforcuar dhe nëse marrëdhëniet  e administratës fiskale me biznesin nuk bazohen në një respekt ligjor dhe bashkëpunim sa më korrekt e institucional.

“Veprimet e sforcuara dhe sporadike të mbledhjes apo “tejkalimit” të të ardhurave, mund të dëmtojnë mjedisin e biznesit në ekonomi, duke vështirësuar edhe rritjen e të ardhurave”, thotë z.Malaj.

Në fakt, një nga debatet më të mëdha që bëhen sot në botë për daljen nga kriza dhe gjallërimin e ekonomisë është gjetja e një mesi të artë ndërmjet politikave të rigorozitetit buxhetor e financiar me ato të rritjes së borxheve dhe ri-formatimit të ekonomisë, pra stimulimit të rritjes ekonomike. Prof.Dr. Adrian Civici, i cili është një ekspert që vjen nga fusha e biznesit (president i Universitetit Europian të Tiranës) mendon se Shqipërisë i përshtatet më shumë stimuli i rritjes ekonomike në këto momente.

“Ne duhet ta konsiderojmë borxhin si një e keqe e domosdoshme, por me kushtin që ta përdorim me eficencë maksimale e direkt në investime e financime që stimulojnë rritjen ekonomike afat-gjatë e të qëndrueshme. Çdo shpërdorim i borxhit për zgjidhjen e problemeve të ditës, për shlyerjen e borxheve të vjetra, për vendime me natyrë elektoralo-populiste apo shpenzimeve operative të pajustifikuara, mund të na kthehet shpejt në një bumerang të rrezikshëm”, thotë ai.

Për Dr. Selami Xhepa, ish-deputet i Partisë Demokratike, i cili sot është Dekan i Institutit Kanadez të Teknologjisë (CIT) sot flitet shumë pak për rregullimet strukturore të ekonomisë, edhe pse janë shumë kritike dhe me ndikim vital në evoluimin e standardit të jetës sonë ekonomike dhe sociale.

Për të nuk ka një ide dhe skemë të qartë sesi do të ndikojnë dhe çfarë ndikimi do të japin masat fiskale të qeverisë së re.

“Cila masë do të ndikonte më shumë jetën e një punëtori dhe të familjes së tij: ulja e tatimit mbi pagën apo një kontroll publik mbi pagat; një kontroll rigoroz mbi standardet në punë dhe kushtet e shëndetit dhe të punës në fabrika dhe miniera; një zë më i fortë e tyre në mbarëvajtjen e biznesit dhe të ekonomisë, një autoritet mbikëqyrës më i mirë i tregut dhe konkurrencës etj? Si mund të rritet taksa e karburanteve edhe me 10 lekë dhe ndërkohë që tregtarët e karburanteve vazhdojnë të abuzojnë çdo ditë si me cilësinë dhe me sasinë e asaj që na shesin e ndërkohë institucionet publike edhe kur konstatojnë shkelje flagrante, e mbajnë informacionin sekret?”, thotë z. Xhepa.

 

INTERVISTA

Flet Prof.Dr. Anastas Angjeli, deputet i Partisë Socialiste, ish-Ministër i Financave

“Buxhet solidar-buxhet i kthesës”

Z. Angjeli, si i vlerësoni projektbuxhetin 2014 dhe paketën fiskale?

Që në fillim do të theksoja se ky buxhet mund të karakterizohet si buxhet solidar, buxhet i frenimit të rënies ekonomike dhe stabilizimit financiar, buxhet i  kthesës  se ekonomisë dhe financave tona. Kjo sepse, në radhë të parë dhe mbi të gjitha, buxheti 2014 dhe paketa fiskale që e mbështet atë përbejnë dokumentin më të rëndësishëm për fillimin e zbatimit të programit të qeverisë së re në themel te se cilës qëndron një filozofi ndryshe, me një vijë ndarëse të qartë me qeverisjen e mëparshme, një filozofi e majtë që bazohet në solidaritetin dhe parimin ”kush fiton më shumë kontribuon më shumë dhe kush fiton më pak, kontribuon më pak.“Në radhë të dytë, përmes treguesve të paraqitur me realizëm në këtë buxhet, që synohet të arrihet një ritëm rritjeje ekonomike 2 për qind dhe në terma nominale një rritje prej 3.6 për qind. Gjatë vitit 2014, pritet një rritje e të ardhurave buxhetore prej rreth 42 miliardë lekë dhe e shpenzimeve të përgjithshme prej 54.2 miliardë lekë (ku shpenzimet kapitale parashikohen në nivelin 6 për qind të PBB), me përpjekje maksimale për të mbajtur ne kontroll inflacionin, deficitin buxhetor dhe borxhin publik, kryerjen e një reforme të thellë fiskale, vendosjen e një disipline të re financiare dhe formalizimin e ekonomisë dhe me vullnetin për fillimin e zbatimit të politikave për zhvillim dhe punësim. Po dëshmohet përpjekja për një buxhet sa solidar aq edhe me synim të hedhë themelet e frenimit të rënies ekonomike dhe e shënimit te një kthesë shpresëdhënëse, të ekonomisë dhe financave tona të rënduara që trashëguam, nga tronditja e thellë dhe rënia e shpejtë e 3-4 viteve të fundit.

Kjo  bazohet në faktin se buxheti i vitit 2014 mbështetet në zhvillimet e ekonomisë shqiptare gjatë viteve të fundit, rezultatet e arritura dhe ato të pritshme për vitin aktual, objektivat e parashikuara në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal Afatmesëm 2014-2016, ka në themel prioritetet e programit të Qeverisë për stabilizimin e situatës makroekonomike, vendosjen e ekuilibrave fiskalë, veçanërisht rivendosjen e kontrollit mbi financat publike,kryerjen e një reforme fiskale te thelle. Të gjitha këto, në funksion të zhvillimit ekonomik e social të mëtejshëm të vendit. Ky buxhet konsideron edhe ndikimin në ekonominë e vendit tonë të faktorëve ndërkombëtarë e rajonalë, zhvillimet në ekonominë globale, veçanërisht situatën në eurozonë etj. Kësisoj, buxheti, konsideron edhe pritshmërinë për zhvillimet ekonomike në eurozonë dhe rajon, veçanërisht në vendet me të cilat vendi ynë ka bashkëpunim më të gjerë ekonomik, financiar e tregtar, pritshmëritë e sjelljes së agjentëve ekonomikë privatë, konsumatorë dhe investitorë, në ekonominë e vendit tonë, si dhe pritshmëritë për ndryshimin e kushteve të financimit të ofruara nga sistemi ynë bankar.

Njëherazi, treguesit kryesorë makroekonomikë fiskalë të tij janë programuar më me realizëm se çdo herë tjetër, janë konsultuar dhe kanë marrë mbështetjen e institucioneve financiare ndërkombëtare, si FMN e Banka Botërore dhe konsiderojnë edhe obligimet e vendit tonë ndaj proceseve integruese në BE.

Sipas gjykimit tuaj, sa ndikojnë ato në rregullimin e problemeve strukturore të ekonomisë, zhvillimin e ekonomisë së qëndrueshme dhe nxitjen e punësimit?

Rregullimi strukturore i ekonomisë, pas një modeli tashmë të ezauruar në 23 vite tranzicion, nuk mund të ndodhi brenda natës, as për një vit, kërkohen reforma të thella strukturore dhe reforma rregullatore për më shumë liri në ekonomi, më shumë konkurrencë të ndershme. Suksesi i tyre varet në radhë të parë nga stabilizimi makroekonomik, i financave publike, pra një ekuilibër i ri fiskal. Këto përbëjnë “shtratin e sigurt” për suksesin e reformave dhe ndryshimeve strukturore për të siguruar më shumë zhvillim e punësim. Dhe këtë shans, ky buxhet e ofron. Zbatimi i tij e mundëson.

Cilën gjykoni mënyrën më të mirë për ecurinë e ekonomisë, rritjen e borxhit, apo rritjen e taksave?

Harmonizimi i një politike fiskale elastike, një nivel borxhi optimal, që “nuk ha ekonominë”, me kryerjen e reformave të thella strukturore dhe politika të reja zhvillimi e punësimi, ndoshta do të ishte variant më i mirë. Dhe siç e theksova kjo nuk mund të ndodhë në një vit. Fakti që po nis një reformë e thellë fiskale me paketën e re fiskale që hyn në fuqi në fillim të vitit që vjen, fakti që programi për kthimin e nivelit të borxhit publik në kufijtë e pranueshëm fillon në vitin 2015. Fakti që marrëveshja me FMN përmban një sërë aksionesh prioritare për reforma të thella strukturore dëshmojnë se harmonizimi i tre elementëve të mësipërm, mbetet rruga më e mirë.

INTERVISTA

Flet Prof. Dr. Arben Malaj, ish-Ministër i Financave

“Reformat pro rritjes ekonomike janë bërë jetike”

Si i vlerësoni projektbuxhetin 2014 dhe paketën fiskale?

Buxheti i viti 2014 është buxheti që tenton të ndihmojë rritjen ekonomike, por është njëkohësisht buxheti me borxhin më të madh publik, një pjesë e të cilit i destinuar për të paguar borxhet e prapambetura në shumën  rreth 35 miliardë lekë.

Ky buxhet, ku ekonomia ka një rritje rreth 2% dhe një deficit buxhetor rreth 6.6%, ka një nivel të lartë të deficitit primar dhe sjell një rritje të mëtejshme të borxhit publik.  Një “tolerim” që nuk do të jetë më në këto përmasa, jo vetëm se do të kërkojë kushte strikte në marrëveshjen me FMN, por sepse i bën më të vështira sfidat e stabilitetit të financave tona publike.

Impakti ekspansionist që buxheti synon në ekonomi me deficitin e lartë prej rreth 91 miliardë lekë, mund të mos arrijë objektivat e tij nëse implementimi i buxhetit fillon me vonesë, nëse paketa fiskale implementohet në mënyrë të sforcuar dhe nëse marrëdhëniet  e administratës fiskale me biznesin nuk bazohen në një respekt ligjor dhe bashkëpunim sa më korrekt e institucional. Veprimet e sforcuara dhe sporadike të mbledhjes apo “tejkalimit” të të ardhurave, mund të dëmtojnë ambientin e biznesit në ekonomi, duke vështirësuar edhe rritjen e të ardhurave.

Lidhur me paketën fiskale, vendi ndodhet përballë detyrimit për të reduktuar ritmet e rritjes se deficitit primar dhe borxhit, efekti i paketës do të testohet më shumë në vitet  e tjera. Nuk ka një formulë magjike për strukturën, llojin e taksave dhe nivelin e tyre në një paketë fiskale.  Përgjithësisht, për të rikthyer stabilitetin e financave publike pa dëmtuar rritjen ekonomike, kërkohet që këto paketa të kenë dy elementë përbërës: reduktimin e shpenzimeve të panevojshme dhe jo efektive, si dhe rritjen e te ardhurave duke përmirësuar administrimin fiskal, duke zgjeruar bazën, duke reduktuar informalitetin, e nëse këto nuk mjaftojnë, duke rritur edhe taksat. Studimet e bëra nga institucionet ndërkombëtare lidhur me politikat fiskale gjatë krizës globale,  rekomandojnë të nxitet konsumatori dhe bizneset të konsumojnë, të investojnë dhe ri-investojnë, të ulet kostoja e punës dhe rënia e të ardhurave të reduktohet nga rritja e tatimit të konsumit.  Nuk rekomandohet rritja e rasteve të përjashtimeve apo taksave më shumë fasha/nëndarje, me nivele të diferencuara për grupe apo sektorë të ndryshëm.

Sipas gjykimit tuaj, sa ndikojnë ato ne rregullimin e problemeve strukturore të ekonomisë, zhvillimin e ekonomisë së qëndrueshme dhe nxitjen e punësimit?

Qeveria dhe politik-bërësit e kanë më të lehtë të njohin problemet dhe sëmundjet e ekonomisë shqiptare. Diagnostikimet e bëra nga indekset ndërkombëtare i kanë identifikuar qartë ato. Indeksi konkurrencës globale, indeksi i mjedisit të biznesit, indeksi i pagimit të taksave, indeksi i perceptimit të korrupsionit, indeksi i investimeve të huaja, janë të mjaftueshëm për të qartësuar problemet dhe për të ndërtuar e implementuar reformat e nevojshme. Kërkohet qartësi dhe vullnet për këto reforma bazuar në strategji kombëtare të monitorueshme.

Duhen eliminuar pengesat që kanë të bëjnë me burimet dhe skemat e financimit, duhet eliminuar bllokimi i ndërtimit, duhet forcuar respektimi ligjor i kontratave duke filluar nga qeveria ndaj biznesit,  duhen reduktuar e eliminuar kostot shtesë në kohë dhe financa për të nisur e mbyllur biznes, për të njohur e paguar taksat etj.

Rritja pa punësim është sfida më e madhe sot-rekomandimet janë të ndryshme, por në thelb kanë trajnimin e ri-trajnimin, lehtësimin e tregut kombëtar të punës ku bashkohen lehtësisht kërkesa dhe oferta e punës, skemat mbështetëse për SME, krijimi i fondeve të ndarjes së rreziqeve nëpërmjet fondeve të garancisë  etj.

Cilën gjykoni mënyrën më të mirë për ecurinë e ekonomisë, rritjen e borxhit, apo rritjen e taksave?

Nuk janë vetëm këto dy opsione, së pari duhen reforma për lehtësimin dhe mbështetjen e rritjes ekonomike më të lartë, më të qëndrueshme dhe më përfshirëse. Rritja ekonomike e lehtëson stabilitetin e financave publike. Sfida jonë kryesore është rritja e ritmeve të rritjes ekonomike.  Në situatë krize, debati midis rritjes së borxhit dhe rritjes së taksave, kërkon analiza shumë profesionale dhe me këndvështrim afatmesëm dhe afatgjatë. Edhe rritja e borxhit si mundësi e ndaljes së rënies ekonomike apo ri-ngritjen e saj, ka kufizime për nivelet deri kur mund të vazhdohet.

Çdo vend ka specifikat e tij, ka kufijtë e tij të fleksibilitetit të politikave monetare e fiskale, të kufijve të deficiteve primare apo të nivelit të borxheve,  kanë renditjen/vlerësimin e tyre ndërkombëtar për kosto me të cilat mund ta përballojnë rritjen e borxhit.

Ne kemi vlerësimet tona për mundësinë e shërbimit të borxhit pa cenuar krizën e borxheve apo të falimentimit të ekonomisë. Këto vlerësime kanë ardhur në përkeqësim, ndaj përgjegjësia për reformat pro rritjes ekonomike që lehtësojnë edhe stabilitetin e financave publike,  janë bërë  jetike.

Si e prisni ekonominë shqiptare në 2014, cilët janë faktorët që do të ndikojnë pozitivisht dhe negativisht?

E shikoj më të mirë se viti 2013, sepse viti 2013 po mbyllet me një bilanc të përkeqësuar të treguesve ekonomikë e buxhetorë. Rritja ekonomike në vitin 2013 ishte anemike, më e dobëta  gjatë viteve të fundit, ajo vlerësohet vetëm 1.6%.

Viti 2013 kishte nivelet më të larta të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik. Treguesit u përkeqësuan  gjatë një viti elektoral. Gjatë këtij viti, biznesi vendas edhe i huaj ka qenë i shqetësuar për përkeqësimin e mjedisit të biznesit, rritjen e kostove të pagimit të taksave.

Kriza e borxheve të këqija u thellua dhe zinxhiri i tyre i zuri frymën rritjes ekonomike. Borxhet e papaguara  ndaj biznesit privat thelluan impaktin negativ në ekonomi, nëpërmjet përkeqësimit të kredive të këqija në sektorin bankar, duke mbërritur në rreth 24% të totalit.

Viti 2013, në kushtet kur rritja ekonomike është vetëm 1.6%, e ka pasur të vështirë të krijojë vende të reja pune, ndërsa rënia drastike e dërgesave të emigrantëve e ka bëre me të rëndë varfërinë në familjet e shumë shqiptarëve, sidomos të atyre që vartësia nga dërgesat e tyre është mbijetuese.

Viti 2013, është viti që ka një tendencë përkeqësuese e të gjitha vlerësimeve ndërkombëtare. Kjo tregon se reformat tona thelbësore, siç janë ato të ndarjes dhe të kontrollit të pushteteve, të ndërtimit të institucioneve të pavarura dhe kredibël, reformat për eliminimin e barrierave të rritjen ekonomike, të krijimit të një administratë profesionale dhe të qëndrueshme, nuk kanë krijuar akoma pavarësinë e tyre në funksion të zhvillimeve të pandikuara kaq shumë nga zgjedhjet apo rotacionet politike.

Në vitin 2013 vendi pati vlerësime në rënie për aftësinë e tij në pagimin e borxheve, një tregues që kur përkeqësohet potencialisht rrit kostot e financimit të ekonomisë, duke pasur një ndikim jo të vogël tek investitorët e huaj, duke bërë që këto investime kaq shumë të domosdoshme për ekonominë tonë të reduktohen apo spostohen. Së fundi, viti 2013 po mbyllet edhe me një dështim tjetër, privimi për herë të katërt nga përfitimi i statusit të vendit kandidat, efekti i të cilit është me pasoja negative edhe për ekonominë, sepse rrit skepticizmin dhe pritshmëritë e investitorëve potencialë vendas dhe të huaj.

 

INTERVISTA

Flet Prof.Dr. Adrian Civici, President i Universitetit Europian të Tiranës

“Buxhet oportunist, jo i qëndrueshëm”

Si i vlerësoni projektbuxhetin 2014 dhe paketën fiskale?

Është një buxhet dhe paketë fiskale ku gjenden të ndërthurura katër elementë apo tendenca që shpesh janë edhe në sens të kundërt me njëra-tjetrën. Së pari, buxheti në tërësinë e tij përpiqet të japë një përgjigje për disa nga premtimet elektorale të Partisë Socialiste, të tilla si mbështetja e biznesit të vogël, taksa progresive dhe lehtësimi fiskal për një masë të konsiderueshme të punësuarish, ulja e TVSH për ilaçet,etj.; së dyti, buxheti reflekton nevojën e qeverisë për të pasur më shumë të ardhura duke e çuar ngarkesën fiskale nga 24% në 26.1% dhe për këtë arsye është i detyruar që të rrisë disa taksa e akciza të rëndësishme e të ndjeshme për qytetarët dhe bizneset shqiptare përfshirë rritjen e taksimit të fitimit të biznesit të madh nga 10 në 15%, rritjen e disa akcizave të rëndësishme në karburante, duhani, pijet alkoolike, banesat dhe mjediset e shërbimit, etj., duke neutralizuar kështu disa nga efektet pozitive të lehtësimeve fiskale; së treti, përballë zgjedhjes për të paguar gjithë detyrimet e prapambetura ndaj biznesit, që është natyrisht një element shumë pozitiv i këtij buxheti, dhe kushteve që rrodhën nga marrëveshja me FMN, u rrit ndjeshëm niveli i borxhit duke shkuar në 74% të PBB, çka jo vetëm që është një peshë e rëndë për supet e brishta të ekonomisë shqiptare në vitet që vijnë, por mbi të gjitha është më shumë një shtyrje e problemeve në kohë se sa një strategji e menduar dhe projektuar me kujdes; së katërti, presioni i kohës dhe eksperienca e parë e kësaj qeverie të re në hartimin e buxhetit, bëri që shumë elemente të tij të mos kishin kohën e nevojshme për tu diskutuar, analizuar e konsultuar me aktorët kryesorë të interesit dhe mjediset profesionale. Me një fjalë, duket më shumë si një buxhet eklektik e oportunist që kërkon të kalojë një moment të vështirë për financat dhe ekonominë shqiptare, se sa një buxhet i qëndrueshëm e afat-gjatë në filozofinë dhe modelin e tij. Me siguri që ne do vazhdojmë “traditën” tashmë disa vjeçare që në muajin korrik do bëjmë rishikimin e buxhetit, qoftë në zërin e të ardhurave qoftë në zërin e shpenzimeve, për të mos thënë që mund të ketë dhe një rishikim tjetër apo korrektim në muajt nëntor-dhjetor 2014. Megjithatë, politikat buxhetore hyjnë në grupin e politikave konjukturore një-vjeçare, që do të thotë se kanë shumë mundësi rregullimi e korrigjimesh si brenda vitit ashtu edhe nga një vit në tjetrin.

Sipas gjykimit tuaj, sa ndikojnë ato në rregullimin e problemeve strukturore të ekonomisë, zhvillimin e ekonomisë së qëndrueshme dhe nxitjen e punësimit?

Është vështirë që në këtë buxhet të evidentosh qartë efektin e tij në ndryshimet apo politikat e rëndësishme strukturore të ekonomisë shqiptare. Reformat më të rëndësishme strukturore që Shqipëria duhet të realizojë kanë të bëjnë me reformën e sistemit të pensioneve, reformat në sektorin e energjisë, aplikimin e modelit të ri ekonomik dhe ndryshimin e strukturës së kontributit të degëve e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë në PBB, ndryshimin e modelit të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, përmirësimin e nivelit të konkurrueshmërisë së disa prej sektorëve jetikë të ekonomisë, përmirësimi i klimës së biznesit dhe tërheqjes së IHD, etj. Natyrisht këto nuk janë detyra e mundësi që e shikojnë zgjidhjen e tyre vetëm tek buxheti i një viti, por gjithsesi, buxheti i vitit 2014 nuk jep sinjale të qarta se ka prioritet rregullimin e këtyre problemeve strukturore. Nga ana tjetër, mendoj se ka një sinjal të qartë për përpjekjet drejt një ekonomie më të qëndrueshme, sinjal që e jep më së miri angazhimi i shlyerjes së detyrimeve e borxheve ndaj biznesit dhe lehtësimi për bizneset e vogla që përbëjnë një element thelbësor në strukturën e biznesit në Shqipëri. Në lidhje me nxitjen e punësimit, ka një përpjekje pozitive për mbështetjen më të mirë të kualifikimit dhe arsimit profesional duke e financuar më shumë këtë aksion, por, nga ana tjetër, qoftë edhe për hir të situatës së vështirë ekonomike e financiare ku gjendet Shqipëria, duket se hapësirat për nxitjen e punësimit, sidomos në ato shifra që u premtuan gjatë fushatës elektorale, duket të vështira, të paktën për vitin 2014. Konjuktura ekonomike në eurozonë dhe veçanërisht problemet e ekonomisë italiane dhe gjendja tejet e vështirë për ekonominë greke nuk na favorizojnë aspak në gjallërimin e aktivitetit ekonomik në Shqipëri në këto momente.

Cilën gjykoni mënyrën më të mirë për ecurinë e ekonomisë, rritjen e borxhit, apo rritjen e taksave?

Varianti më i mirë do të ishte një kombinim i të dyja rrugëve. Një nga debatet më të mëdha që bëhen sot në botë për daljen nga kriza dhe gjallërimin e ekonomisë është gjetja e një mesi të artë ndërmjet politikave të rigorozitetit buxhetor e financiar me ato të rritjes së borxheve dhe riformatimit të ekonomisë, pra stimulimit të rritjes ekonomike. Mendoj se Shqipërisë i përshtatet më shumë kjo e dyta në këto momente. Ne duhet ta konsiderojmë borxhin si një e keqe e domosdoshme, por me kushtin që ta përdorim me eficiencë maksimale e direkt në investime e financime që stimulojnë rritjen ekonomike afat-gjatë e të qëndrueshme. Çdo shpërdorim i borxhit për zgjidhjen e problemeve të ditës, për shlyerjen e borxheve të vjetra, për vendime me natyrë elektoralo-populiste apo shpenzime operative të pajustifikuara, mund të na kthehet shpejt në një bumerang të rrezikshëm. Në lidhje me taksat, mendoj se nuk duhet të nxitohemi me rritjen e tyre pasi kjo mund të cenojë konsumin dhe fuqinë blerëse të shumë shtresave të shoqërisë ndërkohë që kërkesën e brendshme e kemi tashmë të ulët. Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje maksimale luftës kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, pasi kemi një informalitet që arrin në shifrat 35-50%, i cili fsheh një rezervuar fiskal mjaft të konsiderueshëm që duhet zbuluar e shfrytëzuar, pa pasur nevojë që të penalizojmë më shumë ata taksa pagues që janë të rregullt e të formalizuar.

 

INTERVISTA

Flet Dr. Selami Xhepa Dekan i Institutit Kanadez të Teknologjisë (CIT)

“Rritja e deficitit, rreziku kryesor për 2014-ën”

Si e vlerësoni projekt buxhetin 2014 dhe paketën fiskale?

Komenti i parë është: i hartuar në nxitim, pa iu nënshtruar një diskutimi me grupet e interesit, në veçanti nga studiuesit dhe kërkuesit, dhe që krijon hapësira të mëdha për më shumë pasiguri. Sigurisht që ky ishte viti i parë i qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet dhe është e mirëkuptueshme shkelja e afatit kohor dhe aspekteve proceduriale sipas parashikimeve që ka ligji buxhetor. Por, duke pasur parasysh shkallën e ndjeshme të ndërhyrjeve që i janë bërë sistemit fiskal në vend, qoftë në taksat direkte dhe në ato indirekte, një periudhë më e gjatë kohore debati publik do të ishte shumë e dobishme. Një debat më i plotë duhet të ishte bërë edhe për alokimin e shpenzimeve publike, pasi sërish ndryshimet që janë kryer janë relativisht të ndjeshme, në raport me prioritetet e reja strategjike, një debat që mund të ndriçonte projektet kryesore që do të financoheshin sipas sektorëve dhe impaktin e tyre ekonomik e social.

Nëse do të ndalem më hollësisht në ndryshimet që janë bërë në krahun e të ardhurave, rritja e parashikuar prej 13% e tyre pritet të vilet kryesisht nga rritja e tatimeve mbi biznesin (me 51%) dhe rritja e akcizës (36%), ndërsa tatimi mbi të ardhurat personale do të ndikojë negativisht në të ardhurat e buxhetit. Pra, në tatimet direkte duket një zhvendosje e dukshme e barrës fiskale nga individi tek biznesi, që do të realizohet nga rritja e tatimit mbi fitimin nga 10% në 15%. Por, barra fiskale e individit rritet kryesisht nëpërmjet tatimeve indirekte, si, rritja e akcizës për disa mallra konsumi, rritja e taksës së qarkullimit mbi naftën, si dhe nga rritja e tatimit mbi të ardhurat personale (deri në 23%) për grupet me të ardhura të larta dhe vendosja e një takse të re për shtëpi të dyta etj., rritje që parashikohet t’i japin arkës së shtetit gati 20 miliardë më shumë lekë. Në këtë kuptim, rritja e të ardhurave, nëpërmjet një rritje të barrës fiskale, në pothuaj të gjitha kategoritë e tatimeve, është një çështje shumë e ndjeshme dhe me ndikime ekonomike të dyshimta.

Një tjetër tipar shumë i debatueshëm i këtij buxheti është shifra e borxhit publik: huamarrja e qeverisë e kalon shifrën e 95 miliardë lekëve, nga mesatarisht 45-50 miliardë që kanë qenë historikisht (tre-katër vitet e fundit) kufiri vjetor i huamarrjes publike. Duke qenë se të ardhurat shtesë (prej 20 miliardë) pothuaj barazohen me shifrën e borxhit të trashëguar, shtesa e huamarrjes së re për efekt të detyrimeve të prapambetura, duhet të ishte shumë modeste, në raport me atë që është parashikuar. Në këtë kuptim, kjo rritje impresionuese e deficitit fiskal është njëherësh edhe rreziku kryesor me të cilën do të përballet ekonomia gjatë vitit të ardhshëm. Zhvillimet e pritshme do të varen shumë nga ecuria e normave të interesave në treg e cila do të reflektojë mënyrën se si do të perceptohet rreziku i borxhit publik shtesë. Nëse tregu do të jetë neutral, manovra fiskale do të ketë një efekt pozitiv të fortë, si një stimul i shtuar fiskal.

Sa do të ndikojnë ato në rregullimin e problemeve strukturore të ekonomisë, zhvillimin e ekonomisë së qëndrueshme dhe nxitjen e punësimit?

Kjo paketë fiskale duket se vendos si prioritet të vetin ruajtjen e ekonomisë nga recesioni më tepër se krijimin e hapësirave për më shumë punësim nga sektori privat. Është evidente se rritja e barrës fiskale për biznesin nuk  e lehtëson, përkundrazi e vështirëson zgjerimin e sipërmarrjes private. Në afat të gjatë, ky reformim fiskal që ka ndodhur mundet të ketë impakte pozitive, nëse zbatimi i legjislacionit fiskal do të shënojë përmirësime të ndjeshme. Një tatim mbi fitimin dhe të ardhurat e tjera jo nga paga, në 15%, është sërish një nivel konkurrues, duke pasur parasysh se normë efektive tatimi konsiderohet shifra 20%. Sidoqoftë, eficienca e politikave fiskale, siç është provuar tashmë gjerësisht, më shumë se nga normat nominale të taksave, varen nga eficienca e zbatimit të tyre. Edhe pse vendi ynë ka pasur një tatim 10%, për shembull, sërish në pagimin e taksave vendi ynë ka pasur renditjen më të dobët në treguesit e të bërit biznes.

Rregullimet strukturore të ekonomisë, për të cilat flitet shumë pak ose aspak edhe pse janë shumë kritike dhe me ndikim vital në evoluimin e standardit të jetës sonë ekonomike dhe sociale, nuk janë trajtuar. Për shembull, edhe pse mund të jetë shoqërisht e pranueshme vendosja e një takse më të lartë mbi banesën e dytë (edhe pse në gjykimin tim është e padrejtë pasi takson shumë fort individët që përpiqen të kursejnë dhe të krijojnë pasuri për fëmijët e tyre), sërish ajo nuk mund të pranohet kur më shumë se gjysma e popullsisë nuk e paguan fare taksën as edhe për shtëpinë e parë në të cilën banojnë prej vitesh. Pra, kur bashkitë dhe komunat nuk janë në gjendje të vjelin taksat e banesave në mënyrë të ndershme mbi popullatën e tyre, përse një grup individësh që mund të kontrollohen (sepse ata janë përgjithësisht edhe të rregullt në raport me ligjin) duhet të taksohen në mënyrë penalizuese?

Ose, cila masë do të ndikonte më shumë jetën e një punëtori dhe të familjes së tij: ulja e tatimit mbi pagën apo një kontroll publik mbi pagat; një kontroll rigoroz mbi standardet në punë dhe kushtet e shëndetit dhe të punës në fabrika dhe miniera; një zë më i fortë e tyre në mbarëvajtjen e biznesit dhe të ekonomisë, një autoritet mbikëqyrës më i mirë i tregut dhe konkurrencës etj? Si mund të rritet taksa e karburanteve edhe me 10 lekë dhe ndërkohë që tregtarët e karburanteve vazhdojnë të abuzojnë çdo ditë si me cilësinë dhe me sasinë e asaj që na shesin e ndërkohë institucionet publike edhe kur konstatojnë shkelje flagrante, e mbajnë informacionin sekret?

Qytetarët nuk i paguajnë taksat për hir të fisnikërisë së tyre, por kur shohin një interes vetjak, kur shohin se ata po paguajnë që të marrin shërbime më të mira publike dhe mbrojtje nga abuzimi që mund t’iu bëhet interesave të tyre nga firma, individë apo palë të treta.

Pra, rregullimi strukturor i ekonomisë kërkon një sistem fiskal jo vetëm të lehtë nga aspekti i taksimit normativ, por mbi të gjitha një administrim eficent, jo diskriminues dhe të kulturuar në raport me taksapaguesit. Uroj që edhe megjithëse nuk flitet për këto çështje në buxhet, ato të jenë thelbi i vërtetë i politikave të ardhshme të qeverisë.

Cilën gjykoni mënyrën më të mirë për ecurinë e ekonomisë: rritjen e borxhit apo rritjen e  taksave?

Në fakt, siç e zhvillova në krye të intervistës, ky buxhet i parashikon që të dyja, edhe rritjen e taksave, edhe rritjen e borxhit. Në gjykimin tim, rritja e borxhit është gjithnjë mënyra më e mirë për të ruajtur ekonominë nga një rrezik recesionit, pasi ky kanal ndikon më shpejt në afat të shkurtër, ndërkohë që rritja ekonomike në afat të gjatë nëpërmjet borxhit, është pa asnjë dyshim një rritje shumë e rrezikshme, sepse në një moment të caktuar kohor, ai do të bëhet i paqëndrueshëm. Dhe siç u provua edhe së fundmi, krizat e borxheve e zhbëjnë progresin e shoqërisë, progres i krijuar në mënyrë artificiale, përveçse ato krijojnë një proces të pandershëm rishpërndarje e të ardhurave si dhe mund të ketë edhe implikime sociale e politike të paparashikueshme. Prandaj, rritja ekonomike me borxhe është e rrezikshme dhe e padëshirueshme. Ndërkohë, një sistem fiskal i lehtë, asnjanës/neutral, dhe i mirëadministruar, janë mënyra e duhur. Rritja e taksave, përkundrazi është dekurajuese në aspektin ekonomik, dhe në planin social, krijon nxitje për deformimin e vlerave morale të shoqërisë.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of