Buxheti Faktik 2017 ishte sot pjesë e axhendës së Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Ministri Arben Ahmetaj, në fjalën e tij, ka kthyer përgjigje në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhur me problematikat që ngre raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për shifrat e borxhit dhe deficitit.
“Shifrat janë në përputhje të plotë me ligjin dhe me detyrimet që Parlamenti i ka vendosur qeverisë. Në vitin 2017, treguesi i borxhit publik targetonte një rënie me 2 për qind dhe nga 72.3 për qind ky borxh ra në 70.1 për qind. Shifrat gjithashtu janë të skanuara edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar”, u shpreh Ahmetaj duke nënkuptuar se nuk ka vend për aludime lidhur me fshehje të shifrave reale.
Pikërisht FMN duket se shërben sipas Financave edhe si garante e së vërtetës. Ministri për Financat dhe Ekonominë u shpreh se qeveria në vitin 2017 nuk krijoi borxh të ri, madje u bë e mundur që të ulej shifra e borxhit duke pasur parasysh që ishim në një vit elektoral
Sipas Ahmetaj, efekti pozitiv në këtë situatë ka qenë i lidhur me politikat fiskale optimale të ndërmarra nga qeveria, të cilat kanë dhënë ndikim edhe në rritjen ekonomike.
E pranishme në Komisionin për Ekonominë dhe Financat ishte edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Kontrollit të lartë të Shtetit, Lindita Lati, e cila bën edhe mbrojtjen e raportit të këtij institucioni në mungesë të Kryetarit Bujar Leskaj të cilit i ka përfunduar tashmë mandate.
Në raportin e KLSH të bërë publik më herët theksi është vënë tek borxhi dhe deficiti.
“Vlera e detyrimeve të prapambetura, si shpenzim i konstatuar, nuk është raportuar në tabelën e treguesve fiskalë, çka do të sillte një deficit mbi 2% të PBB, por është raportuar si shpenzim i periudhave të ardhshme. Nëse merren në konsideratë këto detyrime, stoku i borxhit publik të raportuar, nga 1,088 miliardë lekë, do të ishte në rreth 1,104 miliardë lekë, i cili në raport me PBB, do të jepte një tregues të borxhit në nivelin mbi 71%. Nëse marrim në konsideratë edhe shlyerjen e stokut të rimbursimit të TVSH në vlerë 11 miliardë lekë (trajtuar në seksion më vete), borxhi publik do të jepte një tregues në nivelin 72% të PBB”, vlerëson raporti i KLSH.
Po kështu, ky institucion nënvizon se “huamarrja afatgjatë e marrë për projekte paraqitet në tejkalim të kufijve të vendosur për rritjen vjetore, sipas së cilës janë planifikuar 17,570 milionë lekë, ndërkohë që realizimi në treguesit fiskalë paraqitet në shumën 23,407 milionë lekë, por sipas raportimeve të borxhit është në vlerën 27,200 milionë lekë. Mosraportimi i plotë ka nënvlerësuar zërat e shpenzimeve në treguesit fiskalë dhe deficitin e raportuar (trajtuar në seksionin mbi raportimin e treguesve fiskalë”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.