“Nëse kjo situatë vijon të mbetet e tillë, që nuk adreson një funksionim normal të institucionit të Presidentit të Republikës, do ta trajtojmë në Gjykatë Kushtetuese”.
Kjo deklaratë e bërë rreth dy javë më parë nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës u duk si një deklaratë për konsum të përditshëm, por në të vërtetë, buxheti i vitit 2017, do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
Burime nga Presidenca bënë të ditur për ‘Top Channel’, se institucioni i Presidencës vijon të ketë të njëjtin qëndrim dhe, në rast se projektbuxheti i paraqitur nga qeveria, nuk ndryshon, sipas kërkesës së tyre, ai do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Presidenca ka kërkuar nga qeveria një shtesë në buxhetin e vitit 2017 prej 20 milionë lekësh, ku përfshihen dhe ceremonia e betimit të Presidentit të ri.
Por qeveria, nga ana e saj, ka pretenduar se këto shpenzime do të mbulohen nga fondet e qeverisë. Në këtë përballje Presidencë-Qeveri, aleati qeverisës, LSI është rreshtuar në krah të Presidentit Nishani, duke deklaruar me anë të Petrit Vasilit, se janë shifra qesharake për të cilat flitet.
Pavarësisht debatit disa orësh në Parlament mes mazhorancës dhe opozitës, debati për buxhetin pritet të zhvendoset në një tjetër institucion, atë të Gjykatës Kushtetuese.
/ Top Channel
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.