Buxheti, nga vijnë të ardhurat dhe si shpenzohen paratë

06/11/2018 3:29 PM 0 komente

TË ARDHURAT

Qeveria parashikon që të mbledhë në vitin 2019, përmes taksave që do të paguhen nga bizneset dhe individët, rreth 484 miliardë lekë, ose rreth 3.8 miliardë euro. Në krahasim me një vit më parë, në vlerë nominale, të ardhurat parashikohen të rriten me 4.7%. Por, duke pasur parasysh ecurinë ekonomike (që pritet të jetë 4.3%) dhe inflacionin (që gradualisht do të arrijë objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3%), të ardhurat reale do të vijnë me ulje, për herë të parë gjatë viteve të fundit. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), buxheti në 2019-n vlerësohet të jetë 27.8% e PBB-së, nga 28.2% që është pritshmëria e këtij viti, pra 0.4 pikë përqindje më pak.

Rënia në raport me PBB-në vjen nga ulja e të ardhurave reale nga tatimet e doganat, që pritet të sjellin 18.6% të PBB-së në 2019-n, nga 19% në vitin aktual. 62% të të ardhurave nga tatimet e doganat i paguajnë individët përmes taksave të konsumit.Taksa që sjell më shumë të ardhura në buxhet është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), nga e cila në vitin 2019 parashikohet të arkëtohen 153 miliardë lekë, me një rritje me bazë vjetore prej 3.5%. TVSH është një taksë mbi konsumin, e cila mblidhet nga bizneset, por paguhet nga konsumatorët nëpërmjet çmimeve të mallrave e shërbimeve të ndryshme.

Ndonëse në mesin e 2018-s nisi zbatimi i pragut të ri të TVSH-së në 2 milionë lekë (nga 5 milionë lekë që ishte më parë), si një mjet për të luftuar evazionin, në raport me PBB-në, të ardhurat nga TVSH parashikohen 0.2 pikë përqindje më pak. TVSH do të sjellë në total gati një të tretën (31.5%) e të ardhurave totale buxhetore. Akciza është një tjetër taksë, e cila paguhet nga konsumatorët. Të ardhurat prej saj parashikohen të jenë 48.3 miliardë lekë, me një rënie prej 1.4% në raport me pritshmëritë e 2018-s.

Akciza do të sjellë në total 9.9% të të ardhurave, duke bërë që nga taksat e konsumit (TVSH + akciza), buxheti të sigurojë 41% të parave të planifikuara për t’u mbledhur vitin e ardhshëm, ose 62% të të ardhurave, që mblidhen nga tatimet e doganat. Tatimfitimi, që paguhet nga bizneset, do të sjellë në buxhet 33.5 miliardë lekë (gati 7% të totalit), duke rënë me 1% në raport me pritshmërinë e 2018-s. Në janar të vitit 2019, hyn në fuqi rritja e kufirit të deklarimit si biznes i vogël, nga 8 në 14 milionë lekë, që automatikisht sjell një ulje të tatimfitimit nga 15% në 5% për bizneset që deklarojnë të ardhura në këtë fashë.

Në rritje të ndjeshme prej 14% parashikohen të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale, për të arritur në 41.9 miliardë lekë. Në 2019-n pritet të rritet pragu i taksimit me 23% për pagat e arta, nga 130 mijë lekë në muaj, në 150 mijë lekë në muaj. Të ardhurat nga pushteti vendor do të arrijnë në 22.7 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 20.6%, por që pritet të vijë tërësisht nga taksat lokale, ndërsa të hyrat nga taksa mbi pronën parashikohen në rënie prej 15% (në 6.9 miliardë lekë), ndonëse në 2019-n që të fillojë përllogaritjen formula e re për taksën e ndërtesës, zbatimi i së cilës duhet të niste që këtë vit, por u shty për shkak të problemeve me vlerësimin e pronës.

Të ardhurat nga Fondet Speciale janë një tjetër zë i rëndësishëm i buxhetit, që do të sjellin 20% të të ardhurave në total, ose 99 miliardë lekë. Peshën kryesore e zënë sigurimet shoqërore me 84 miliardë lekë (rritje 7.1% me bazë vjetore). Të ardhurat jo tatimore, (Tran.Fitimi nga Banka e Shqipërisë; Të ardhura nga Institucionet Buxhetore; Dividenti; Tarifat e Shërbimeve; Të tjera) parashikohet të sjellin 5% të të ardhurave totale, ose 23.8 miliardë lekë. Ky zë parashikohet me një rënie prej 7.4%, e ndikuar tërësisht nga Të ardhura nga Institucionet Buxhetore (-13.4%).

 

 

SHPENZIMET DHE DEFICITI

Qeveria pret të shpenzojë vitin e ardhshëm për investime kapitale, pagat e administratës, interesat e borxhit, subvencionimin e skemës së pensioneve e të tjera rreth 519 miliardë lekë, me një rritje prej 4.5% në krahasim me pritshmërinë e 2018-s. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, shpenzimet do të jenë 29.6%, në rënie me 0.5 pikë përqindjeje në krahasim me 2018-n, duke i mundësuar financave të mbajnë një deficit buxhetor prej 1.9% të PBB-së, nga 2% që pritet të mbyllet ky vit.

Një e katërta e shpenzimeve buxhetore (7.5% e PBB) shkojnë për sigurime shoqërore, që shërbejnë për mbulimin e skemës deficitare të pensioneve.
Fondi për ndihmën ekonomike mbetet i pandryshuar në 20.5 miliardë lekë, ndërsa këtë vit është shtuar dhe bonusi i bebeve prej 2 miliardë lekësh.
Buxheti shpenzon 8% të totalit për interesat e borxheve. Ky fond parashikohet të rritet lehtë me 0.5% në 41.7 miliardë lekë në 2019-n. Rënia e euros ka lehtësuar pagesat për borxhin e jashtëm. Investimet kapitale vlerësohet të jenë 88.8 miliardë lekë, por në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ato janë në rënie të lehtë me 0.2 pikë përqindjeje, për të zbritur në 5.1% të PBB-së.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of