Investimet janë rritur, por shpërndarja e tyre nuk ka dhënë efekte të mëdha në ekonomi
Në publikimet e njohura në lidhje me programet ekonomike dhe fiskale të forcave politike, si dhe në kërkesat e kompaktësuara të organizatave profesionale më të formatuara të biznesit vendas dhe të huaj është pretenduar nxitje e zhvillimit ekonomik me instrumente moderne dhe përfitim i gjithë lehtësirave dhe përfitimeve që kanë ngecur apo çaluar, nga historiku fiskal. Të gjitha kërkesat dhe pritshmëria për përmbushje në të ardhmen e afërt janë konsideruar nga organizatat e biznesit, si barriera potenciale ndaj aktiviteteve të tyre sipërmarrëse. Tendenca e parashikueshme e politikës fiskale për të ardhmen e afërt është e orientuar në drejtim të qartësimit fiskal nëpërmjet rritjes së kapaciteteve të administrimit sipas parimit të përmbushjes vullnetare, si për komunitetin e biznesit vendas, po ashtu dhe për investitorët e huaj.
Në pyetësorët e organizuar me iniciativa të organizatave me reputacion në sektorin e financave publike dhe ekonomisë së tregut (vendase dhe jo), shqetësimi i parë dhe kryesor është shprehur në lidhje me paparashikueshmërinë e politikës fiskale dhe funksione jocilësore në administrimin e mbledhjes të të ardhurave. Ndryshimet e shpeshta të politikës fiskale kanë ndikuar si në shkallën tatimore, po ashtu edhe në krijim lehtësirash sektoriale të orientuara në favor të investimeve më efektive nga qeverisja aktuale.
Por cili ka qenë efekti? Në analizën e tregut, shkallët tatimore nuk kanë ndikuar në nxitjen e konkurrencës midis investitorëve, me atë forcë të efektit nxitës që kanë dhënë politikat për shkallët tatimore në vende të tjera të rajonit (Kroaci dhe Mali i Zi). Ky argument është trajtuar nga analistë dhe politikanë (veçanërisht) në gjithë këtë periudhë që kemi kaluar nga ky vit dhe nuk do ta vijoj më tej.
Ndërkaq, lehtësirat fiskale kanë favorizuar vlerat e investuara dhe investitorët në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese, energjetikën, prodhimet e materialeve të ndërtimit dhe industriale, eksportues të industrisë së veshjeve, kontraktorë ndërtimi të infrastrukturës dhe shërbime të transportit.
Por, a është arritur objektivi afatgjatë në ekonomi dhe financat publike? Nga zhvillimi i politikave fiskale ka pjesë të ardhurash që buxheti i humbet. Këto efekte me vlerë zbritëse llogariten si të ardhura, që buxheti nuk do t’i përfshijë në të ardhmen. Por, nga ana tjetër, politikat fiskale me lehtësira për investimet, kur llogariten duke konsideruar instrumentet e miradministrimit (si pjesë të strategjisë vizionare të zhvillimit ekonomik) i japin mundësi buxhetit të fitojë pjesë të tjera edhe më të mëdha të ardhurash në të ardhmen, si dhe për periudha afatgjata duke ndikuar në forcimin dhe konsolidimin fiskal.
Ajo që i vlen diskutimit është forca e efektit nxitës të lehtësirave fiskale për rikuperim të shpejtë të vlerës së investuar dhe kompaktësimit të vlerës së shtuar të ekonomisë. Këta elementë vërehen, nëse depërtojmë në analizën e strukturës së investimeve dhe shpërndarjen e tyre në ekonomi.
Sipas Raporteve për Investimet e Huaja në vend, të paktën për katër vitet e fundit (2009-2012) investimet zënë një volum sa 8-9% e Prodhimit të Brendshëm (totali 3 miliardë euro). Efekti i tyre në tregun e punës ka shtuar në total te 5-6 mijë vende pune. Efekti në funksion të të ardhurave fiskale ka regjistruar një kontribut gjithsej (totali 730 milionë euro), sa 11% e totalit të të ardhurave nga tatimet dhe doganat në 4 vitet e fundit. Duhet theksuar fakti, se ky kontribut nga aktivitetet investuese të kompanive të mëdha përfshin brenda tij edhe kërkesat për rimbursime të bizneseve që bashkëpunojnë me to dhe lehtësirat në import për investimet. Shpërndarja e investimeve të huaja në ekonominë shqiptare 4-vjeçare është në nivelin:
– 40% në industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit (1.2 miliardë euro);
– 17% në industrinë e shërbimeve financiare (0.5 miliardë euro);
– 17% në industrinë energjetike (0.5 miliardë euro);
– 13% në industrinë e telekomunikacionit (0.4 miliardë euro), dhe;
– 13% në shpërndarje, tregti (0.4 miliardë lekë)
Investimet janë rritur, por shpërndarja e tyre nuk ka dhënë efekte të mëdha në ekonomi. Nëse llogaritim efektin te rritja e punësimit ka një mospërputhje në lidhje me realitetin e vendeve të reja të punës. Sipas llogaritjeve që lidhin investimet kapitale me krijimin e vendeve të punës ekziston një raport, ku për çdo 1 milion euro investime krijohen mesatarisht 30 vende pune. Duke marrë të mirëqenë vlerën e investimeve të huaja prej 3 miliardë eurosh, atëherë për 4 vitet e shkuara duhet të ishin hapur 90 mijë vende pune!! Kjo është një llogaritje që shpreh faktin se investimet e huaja në sektorët e ekonomisë nuk janë harmonizuar në favor të politikës së rritjes së punësimit dhe ndoshta kjo vjen nga mungesa e një strategjie të qartë të zhvillimit të ekonomisë për periudha afatgjata duke e vulosur me vullnetin dhe moralin e politikës në favor të zhvillimit të ekonomisë dhe financave të vendit. Por, kjo është një analizë që i përket një tjetër diskutimi më transparent.
Qëllimi kryesor i debatit për ekonominë dhe zhvillimin cilësor të saj duhet të jetë rreth administrimit të efektshëm të investimeve hyrëse në kah të njëjtë me vullnetin politik për t’i orientuar ato drejt interesave kombëtare. Objektivi kryesor është efektshmëria e tyre, ku investuesit marrin fitimet e pritshme, ndërsa ekonomia dhe financat publike zgjerohen (rritja e të punësuarve është rritje konsumi), mbledhja e të ardhurave fiskale financon shërbimet publike të programuara, si dhe në aspektin global rriten dhe forcohen markat dhe emri i mirë i produkteve dhe shërbimeve “Made in Albania”.
Këto pritshmëri fokusojnë edhe analizën për efektshmërinë fiskale dhe ekonomike të programeve politike ekonomike, si dhe përfshirjen brenda programeve të kërkesave dhe pretendimeve të bizneseve investuese dhe komunitetit sipërmarrës në tërësi. Nisur nga një pritshmëri korrekte me premtimet dhe programin ekonomik, niveli investimeve të huaja dhe vendase kanë gjasa të arrijë në nivele të larta (12-13%) në raport me Prodhimin e Brendshëm mbështetur në ristrukturimin dhe zhvillimin e industrisë turistike, të burimeve natyrore dhe prodhimeve tradicionale për eksport të agroindustrisë dhe konfeksioneve, me një kujdes edhe nga qeveria në harmonizimin e investimit me nxitjen e punësimit, sipas zonave, aftësive të banorëve dhe lidhjeve mes rajoneve të vendit.
Për qëllime të analizës së hapur për debat, AL-Tax Center ka dalë në konkluzionin se për 4 vitet e ardhshëm, treguesit makroekonomikë (rritja ekonomike, inflacioni dhe niveli i punësimit) parashikohen se mund të jenë respektivisht në kufijtë e 12% rritje ekonomike, 15% normë inflacioni total dhe deri në 230 mijë vende pune të reja, investimet kapitale me fonde publike mund të rriten deri në nivelin 8% të Prodhimit të Brendshëm, ndërsa treguesit e miradministrimit fiskal (shërbim më të mirë, kapacitete menaxheriale në rritje dhe luftë evazionit) mund të kenë një nivel pritshmërie në rritje të të ardhurave nga tatimet dhe doganat në kufijtë e 20 – 21% të prodhimit të brendshëm (aktualisht është 17.6% e prodhimit të brendshëm).
Eduart GJOKUTAJ
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.