Buxheti më i “varfër” i rajonit

06/11/2017 3:30 PM 0 komente

Pavarësisht rritjes së ndjeshme dy vitet e fundit, Shqipëria vijon të ketë rendimentin fiskal më të ulët në rajon. Zëri ku çalon dukshëm është ai i të ardhurave nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, një tregues se pikërisht aty është evazioni më i lartë në vend

 

Nga Ornela Liperi

 

Këtë vit, Shqipëria pritet të arrijë rekord në të ardhurat që ajo mbledh nga bizneset dhe individët përmes taksave që ata paguajnë në buxhet. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), të ardhurat do të arrijnë në 28.2%, niveli më i lartë që nga viti 1993, sipas tabelave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave. Në 2018-n, ky tregues pritet të ulet lehtë në 28.1% të PBB-së dhe pritet të mbetet në këto nivele deri në 2020-n. Për vitin 2018, bizneset dhe individët pritet të paguajnë në total rreth 3.3 miliardë euro taksa.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), një taksë që paguhet nga konsumatori në çmimin fundor të mallit ose shërbimit, është zëri që sjell më shumë të ardhura në buxhet, me 33.5% të totalit, sipas parashikimit në projektbuxhetin 2018. Nga TVSH pritet të arkëtohen rreth 1.1 miliardë euro.
Zëri i dytë janë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që së bashku zënë 19.2% të totalit të të ardhurave të pritshme.

Akciza është kategoria e tretë, që siguron 9% të të ardhurave. Përmes akcizës dhe TVSH-së që janë të dyja taksa mbi konsumin dhe që bizneset ia ngarkojnë konsumatorit final përmes çmimit, buxheti siguron gati 45% të të ardhurave. Kjo do të thotë se nga produktet që do të blejnë, ose shërbimet që do të marrin, qytetarët do të paguajnë indirekt për shtetin rreth 1.5 miliardë euro.
Pas akcizës renditen taksa nacionale (renta etj.), tatimi mbi të ardhurat personale dhe tatimfitimi që sjellin përkatësisht rreth 8.5, 8.2 dhe 7.5% të totalit.

 

 

Krahasimi me rajon, çalojmë dukshëm te sigurimet shoqërore

Ndërsa në krahasim me vetveten, Shqipëria ka arritur rekord, në raport me vendet e tjera të rajonit ka rendimentin më të ulët të mbledhjes së të ardhurave.
Performancën më të mirë e ka Serbia, që pret të mbledhë të ardhura të barabarta me 41.85% të asaj që ekonomia e vendit prodhon në një vit. Më pas renditen Mali i Zi, me 40.5% të PBB-së, i ndjekur nga Maqedonia me 32.7%. Pozitiv është fakti që teksa i gjithë rajoni ka parë rënie të të ardhurave në raport me PBB-në vitin e fundit, në Shqipëri tendenca ka qenë në rritje.

Tkurrjen më të lartë e ka parë Maqedonia, që dikur mblidhte rreth 35% të PBB-së dhe pritshmëritë janë që të ardhurat të zbresin edhe nën 30%.
Emil Shukrov, analist në Qendrën për Kërkime dhe Politikëbërje në Shkup, tha për “Monitor” se janë disa faktorë që kanë ndikuar në rënien e të ardhurave të Maqedonisë, ku më kryesoret janë evazioni dhe fshehja e importeve, siç ka rezultuar në raportin e fundit të kësaj Qendre mbi Ekonominë Informale dhe Punën e Padeklaruar, i realizuar në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri në 2016-2017.

Ai shton se ulja e taksave nga qeveria maqedonase ka dhënë ndikim, megjithëse kjo ka ndikuar pozitivisht në zgjerimin e bazës së tatimpaguesve. Në kahun tjetër, shpenzimet kanë qenë joproduktive, si subvencionet masive dhe në rritje për bujqësinë, pa një vlerësim të saktë se çfarë sollën ato dhe rritja e pensioneve dy herë në vit dhe e pagesave sociale. “Gjithashtu shumë para janë shpenzuar në infrastrukturë të re, shkolla, rrugë, autostrada që duhen mbaruar, spitale të reja dhe universitete – disa prej tyre nuk prodhojnë të ardhura për shkak të natyrës së tyre dhe të tjera duhet ende të vihen në funksion që të jenë produktive”.

 

 

Zëri ku Shqipëria çalon dukshëm është ai i kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Me vetëm 5.2% të PBB-së, vendi ynë mbledh sa gjysma e mesatares së rajonit. Në Serbi dhe Mal të Zi, ky tregues i kalon 12% të PBB-së.
Ky është një tregues i informalitetit të lartë të punës në vend, teksa një pjesë e madhe e punonjësve deklarojnë paga minimale, por edhe e faktit që Shqipëria ka një numër të lartë të të punësuarve në sektorin bujqësor, që paguajnë kontribute minimale, ose nuk paguajnë fare. Sipas INSTAT, në fund të gjashtëmujorit të parë 2017, të punësuarit në fshat (që në fakt konsiderohen të vetëpunësuar) përbënin 42% të totalit.

 

 

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është një tjetër kategori që mblidhet rreth 2-3 pikë përqindje më pak se mesatarja e rajonit. Për vitin 2018, pritet që ky zë, i cili është një tregues direkt i qarkullimit të mallrave në ekonomi, të mbetet në 9.1% të PBB-së, në nivele të njëjta me një vit më parë. Financat tentuan që të luftonin evazionin përmes mbylljes së ciklit të TVSH-së nga zero, por më pas u tërhoqën dhe ulën kufirin nga 5 në 2 milionë lekë dhe vetëm për një kategori biznesesh. Në rajon, kryesojnë Maqedonia dhe Mali i Zi, që mbledhin nga TVSH-ja mbi 14% të PBB-së.

Shqipëria ka rendiment më të ulët se rajoni edhe për mbledhjen e të ardhurave nga akciza (rreth 3 pikë përqindje të PBB-së më pak), dhe tek të ardhurat personale (rreth 1 pikë përqindje më pak), por është më mirë në të ardhurat që gjeneron nga tatimfitimi i bizneseve.

 

 

Statistikat tregojnë se Shqipëria ka rendimentin më të ulët në rajon për tatimin e pronës. Të ardhurat nga tatimi mbi pasurinë janë më pak se 0.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Rajoni e ka këtë tregues në rreth 0.7-1% të PBB-së, ndërsa vendi që ka performancën më të mirë është Kroacia, me rreth 2% të PBB-së.
Sipas të dhënave të OECD, në vendet e zhvilluara, të ardhurat nga taksa e pasurisë në Itali janë sa 2.8% e PBB-së, në Greqi 2% e PBB-së, në Zvicër sa 1.9% e PBB-së, Austria 0.6%, Sllovenia 0.6%, Hungaria 1.3%. Nivelin më të lartë e mbajnë Britania dhe Franca, që mbledhin nga taksa e pasurisë 4.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Nga janari i këtij viti do të nisë mbledhja e taksës së pronës sipas një formule të re, bazuar në vlerë. Drafti zyrtar i projektligjit “Për taksat vendore”, që është pjesë e Paketës Fiskale 2018, përcakton se taksa për ndërtesat të jetë 0.05% e vlerës së pronës për qytetarët dhe 0.15% për bizneset. Në projektbuxhetin 2018, është parashikuar që të ardhurat nga kjo taksë do të arrijnë në 0.5% të PBB-së, nga 0.3% që është niveli i pritshëm i 2017-s.

 

 

Shpenzimet, Mali i Zi kryeson për investimet kapitale

Ndonëse Serbia kryeson për mbledhjen e të ardhurave, nuk është aq eficiente në shpenzime dhe investime. Sipas tabelave të konsoliduara të buxhetit të qeverisë së përgjithshme, publikuar nga Ministria serbe e Financave, të ardhurat ishin 43.8% e PBB-së dhe shpenzimet 45%. Teksa ka luksin për shpenzime të larta, 40% e PBB shkojnë si pagesa korente.

Pagesat për personelin janë 10% e PBB-së, ndërsa në Shqipëri janë vetëm 4% e PBB-së. Paga mesatare në sektorin shtetëror në Serbi, sipas Institutit përkatës të Statistikave serbe, është rreth 620 euro, ndërsa në Shqipëri 440 euro, sipas INSTAT.
Por, kur vjen puna tek investimet kapitale, Serbia planifikon të shpenzojë vetëm 3.3% të PBB-së, ndërsa për Shqipërinë ky tregues pritet të arrijë në 5.2% në 2018-n, niveli më i lartë që nga 2009-a.

Mali i Zi është shteti që shpenzon më shumë për investimet kapitale, teksa ky tregues parashikohet në 7.5% të PBB-së në buxhetin 2017, sipas strategjisë fiskale 2017-2019, publikuar nga Ministria përkatëse e Financave.
Sipas kësaj strategjie, Mali i Zi po i kushton vëmendje të veçantë krijimit të kuadrit për nxitjen e inovacionit dhe shkëmbimit të njohurive, si dhe për të forcuar lidhjet midis institucioneve shkencore dhe kërkimore dhe sektorit real. Për këtë qëllim, Mali i Zi planifikon të themelojë Parkun e parë Shkencor dhe Teknologjik, i cili do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në eliminimin e barrierave midis shkencës, kërkimit, inovacionit dhe biznesit. Një plan për themelimin e Parkut Shkencor dhe Teknologjik (STP) përfshin një rrjet të Podgoricës STP dhe qendrave impulsive në Nikshiq (Tehnopolis), Bar dhe Pljevlja, si dhe qendrat impulsive që mund të krijohen në qytete të tjera.

Mali i Zi thekson në strategji se, në orientimin e politikave e shpenzimeve publike i kushton vëmendje të veçantë turizmit. Objektivi primar i politikës së zhvillimit të turizmit është që Mali i Zi të bëhet destinacioni i turizmit të lartë gjatë gjithë vitit. Për këtë qëllim kërkohet forcimi i mëtejshëm i konkurrencës, përmirësimi i infrastrukturës së turizmit, kapaciteteve akomoduese, përmirësimi i lidhjeve dhe aksesi në destinacion, tejkalimi i sezonalitetit, zvogëlimi i disbalancës rajonale dhe shkurtimi i periudhës së kthimit të investimeve në industrinë e turizmit përmes taksave dhe lehtësimeve të tjera dhe nxitjeve për investitorët.

Për të rritur konkurrencën e sektorit të turizmit, duke qenë një gjenerator i rëndësishëm i të ardhurave buxhetore, PBB-së dhe rritjes së punësimit, po ndërmerren aktivitete për të përmirësuar ofertën turistike në veri të Malit të Zi, nëpërmjet ndërtimit të infrastrukturës së nevojshme në shpatet e skive. Me qëllim përmirësimin e ofertës turistike në zonat rurale, në veçanti në veri të vendit, do të miratohet Strategjia e Zhvillimit të Turizmit Rural. Për më tepër, për të diversifikuar masat e ofertës turistike, për të përmirësuar segmentin detar, janë të rëndësishme ndërtimi i vendpushimeve turistike, marinave dhe infrastrukturës mbështetëse, thuhet në strategji.

Shpenzimet kapitale të Maqedonisë janë mesatarisht 3.7% e PBB-së, ku prioritet i jepet infrastrukturës, edukimit (investimit në shkolla) dhe përmirësimit të kushteve për të bërë biznes, me synim nxitjen e potencialit për t’u rritur të sektorit privat dhe krijimit të vendeve të punës, sipas “Programit Ekonomik të Reformave të Maqedonisë, 2017”, publikuar nga Ministria e Financave e Maqedonisë.

Informaliteti, studimi rajonal zbulon evazionin

Një sondazh rajonal për praktikat e ekonomisë së fshehur në Maqedoni dhe Shqipëri nxjerr në pah evazionin e lartë të ekonomisë shqiptare, ku 84.3% e kompanive të anketuara konfirmuan se tentojnë të fshehin të ardhurat vazhdimisht, në më të shumtën e rasteve, ose ndonjëherë. Për Maqedoninë, kjo përqindje është dukshëm më e ulët, ku 54.4% e bizneseve të anketuara konfirmojnë se praktikat e ekonomisë së fshehur përdoren në sektorin e tyre në mënyrë ‘konstante’, ‘në shumicën e rasteve’, ose ‘ndonjëherë’.

Sondazhi u krye nga Qendra për Kërkime dhe Politikëbërje (CRPM) në Maqedoni dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Shqipëri, me metodologji identike. Për Maqedoninë, sondazhi u zhvillua në fund të vitit 2016 dhe për Shqipërinë në prill të vitit 2017, me një kampion prej 70 sipërmarrjesh për secilin vend, përfaqësuese sipas xhiros dhe ndarjes sektoriale në ekonomi dhe demografikisht. Raporti titullohet: “Barra e lartë ndaj biznesit çon në fshehjen e aktivitetit – Perspektiva e biznesit dhe Ekonomia e Fshehur në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë”.
Raporti thekson se fshehja e xhiros është më domethënëse në Shqipëri, ku 40% e atyre që pohuan se tentojnë të fshehin të ardhurat thanë se kjo praktikë përdorej në “më të shumtën e rasteve”.

Rezultatet e këtyre të dhënave janë në të njëjtën linjë me gjetjen e sondazhit të mëparshëm me popullatën për përdorimin e kuponëve fiskalë, ku përfshihej dhe Kosova. Për shembull, 17% në Maqedoni, 52% në Shqipëri dhe 29.6% e të anketuarve nga Kosova konfirmuan se ata nuk kishin marrë kurrë, ose kishin marrë rrallë kuponë tatimorë për veshjet dhe këpucët. Për alkoolin dhe cigaret, 20% në Maqedoni, 52% në Shqipëri dhe 40% e të anketuarve nga Kosova gjithashtu konfirmuan se ata kishin marrë rrallë, ose nuk kishin marrë asnjëherë kupon tatimor.

Megjithëse rastet për moslëshimin e kuponit tatimor janë relativisht të rralla në të tre vendet dhe janë poshtë nivelit 18%, ka përjashtime të dukshme, si p.sh., për Shqipërinë për kategoritë alkool/cigare (26.5%), libra (28.3%) dhe për Kosovën gjithashtu për librat (26%). Sondazhi me bizneset konfirmon këto gjetje, teksa 52% në Maqedoni dhe 68% në Shqipëri kanë konfirmuar se moslëshimi i kuponit tatimor kryhet vazhdimisht në pjesën më të madhe ose ndonjëherë në sektorët e tyre përkatës, ku dominon përgjigjja “ndonjëherë”, theksohet në raport.

Sondazhet me popullatën dhe bizneset në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë kanë konstatuar një tendencë të dukshme të bizneseve për të fshehur një pjesë të të ardhurave të tyre, që nga ana e saj ndikon negativisht konkurrencën dhe mbikëqyrjen e qeverisë, si dhe të ardhurat publike, thuhet në raport.

Disa nga metodat më të zakonshme që bizneset përdorin për të shmangur ose për të manipuluar me raportimin e taksave, janë:

-Të punësosh një person pa kontratë ose me kontratë me klauzola të fshehura;
-Raportimi i të ardhurave më të ulëta;
-Mospagimi i detyrimeve, taksave dhe akcizës;
-Dhënia dhe marrja e ryshfetit
-Moslëshimi i faturave
-Këmbëngulja në pagesat cash
-Kryerja e prokurimeve pa tender
-Ekzekutimi i marrëveshjeve të caktuara
-Flukset dalëse ose hyrëse ilegale të aseteve
-Manipulimi me pagesën e TVSH-së
-Përdorimi i trukeve të kontabilitetit në mënyrë që të paguhen më pak taksa.

 

Manipulimi me TVSH

Një tjetër metodë e disa bizneseve në mënyrë që të paguhen taksa më të ulëta është manipulimi me TVSH-në dhe zbatimi i trukeve të kontabilitetit, thekson raporti.
Një e treta e bizneseve në Maqedoni (31.4%) dhe dy të tretat në Shqipëri (60%) kanë konfirmuar se manipulimi me TVSH-në përdoret vazhdimisht, në pjesën më të madhe të rasteve, ose ndonjëherë.
Në mënyrë të ngjashme, rreth 1/4 e kompanive në Maqedoni (24.2%) dhe 1/3 e kompanive në Shqipëri (32.3%) besojnë se midis 11% deri 51% të kompanive në sektorin e tyre paguajnë më pak taksa sesa duket të paguanin, duke përdorur truke të kontabilitetit.

“Humbjet e lidhura me TVSH-në ndodhin ose përmes evazionit të paorganizuar fiskal (moslëshimi i faturave dhe kuponit tatimor, nënraportimi i shitjeve të produkteve dhe shërbimeve aktuale, ose mbivlerësimi i shpenzimeve të lëndëve të para) ose përmes një abuzimi më të organizuar të sistemit, përmes transaksioneve fiktive me tregtues jo ekzistentë ose të falimentuar (p.sh. mashtrimi karusel).

Kjo e fundit përfshin një (p.sh. tregtues me pakicë pa faturë tatimore) ose në maksimum dy palë (biznes me biznes, kur manipulohet shuma e faturave) gjatë transaksioneve. Kjo e fundit përfshin rrjete komplekse, që aktivizojnë biznese reale (p.sh. prodhues realë, kompani logjistike, zyra kontabiliteti) dhe kompani me zero asete, që zotërohen nga të varfër, të pashkolluar, madje edhe njerëz të dënuar, mes të cilave kryhen transaksione me letra në shumë nivele.”, thuhet në raport, duke cituar një studim të SELDI.net – Ekonomia e Fshehur dhe Qeverisja e Mirë në Europën Juglindore: Raporti i Vlerësimit Rajonal 2016.

Taksat, Shqipëria dhe Serbia më të lartat në rajon

Shqipëria dhe Serbia kanë nivelet më të larta të taksave në rajon për vitin 2017, sipas tabelave të publikuara nga Banka Botërore në kuadër të raportit “Të bësh biznes 2018”.

 

Bizneset shqiptare paguajnë si taksa 37.3% të fitimit dhe në Serbi 39.7%. Nivelin më të ulët e kanë Maqedonia dhe Kosova me përkatësisht 13.2% dhe 15%.

Serbia dhe Shqipëria kanë të dyja nivel të tatim fitimit prej 15%, ndërsa Maqedonia, Bosnja dhe Kosova e kanë 10%, Mali i Zi 9%. Rreth viteve 2007- 2008, rajoni u fut në një garë të ethshme se kush i ulte më shumë taksat, me synim tërheqjen e investitorëve, duke zbatuar një taksë të sheshtë prej rreth 10%. Por, me fillimin e krizës globale, Serbia dhe Shqipëria zgjodhën të rrisnin sërish tatim fitimin, ndërsa shtetet e tjera vijuan ta mbajnë në nivele të ulëta.

Shqipëria dhe Serbia janë të vetmet që e kanë nivelin e TVSH-së prej 20%. Në Mal të Zi, TVSH-ja është 19%, në Maqedoni dhe Kosovë 18%, në Bosnjë 17%. TVSH është në fakt një taksë që paguhet nga konsumatori përmes çmimit final dhe ndikimi i saj në normën e taksave e kontributeve ndaj fitimit për bizneset është zero.

Kontributet e sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi janë sërish më të lartat në Shqipëri dhe Serbi, përkatësisht me 15% dhe 17.9%. Vendet e tjera ia ngarkojnë barrën më të lartë të sigurimeve punëmarrësit, ku në Maqedoni psh, sigurimet paguhen tërësisht nga punonjësi (27%), çka ka bërë që bizneset maqedonase të rezultojnë me një normë të ulët të taksave e kontributeve në raport me fitimet. Kontributet më të ulëta i ka Kosova, me 5% secili (punëdhënësi dhe punëmarrësi).

Taksa e pasurisë apo ndërtesës në rajon është në përqindje, model drejt të cilit po shkon dhe Shqipëria, ku më e larta është në Serbi dhe Mal të zi me 0.4-0.5% të vlerës së pronës.
Teksa Shqipëria dhe Serbia kanë normat më të larta të taksave e kontributeve, shteti serb arrin të mbledhë të ardhura sa 40% e Prodhimit të Brendshëm bruto, ndërsa ai shqiptar ka rendimentin më të ulët në rajon, me vetëm 28% të ardhura ndaj PBB-së.

Barra më e lartë për bizneset shqiptare

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se taksa që rëndon më shumë mbi sipërmarrjet shqiptare është ajo e kontributeve të sigurimeve, me 16.92% të totalit.Vetëm kontributet janë më të larta sesa gjithë taksat që raportojnë se paguajnë bizneset e Maqedonisë në raport me fitimet.
Zëri i dytë që rëndon më shumë bizneset është ai i tatim fitimit, me 14% të totalit.
Barra e taksave të tjera është më pak se 2% e totalit të fitimeve.
Në 2017-n rezulton të jenë dyfishuar taksat bashkiake. “Të Bësh Biznes” i një viti më parë raportonte që taksat bashkiake ishin rreth 1300 euro në vit, ndërsa në raportin e këtij viti pagesa ishte rreth 2600 euro.

Rekord dhe në tatimin e individëve me të ardhura të larta

Shqipëria mban rekord dhe për taksimin e individëve, sidomos atyre me paga të larta.
Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel.
Edhe Serbia, që i ka taksat mbi biznesin të larta dhe të krahasueshme me ne, të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi i taton me 10%. Serbia taton të ardhurat nga copyright dhe të ardhurat nga qiraja 20%; të ardhurat nga kapitali 15% duke përjashtuar nga taksimi shitjen e aseteve që ishin në pronësi të shitësit për më shumë se 10 vjet.

Në Maqedoni, tatimi mbi të ardhurat personale është i sheshtë prej 10%.
Në Mal të Zi, tatimi mbi të ardhurat është 9% dhe rritet në 11% për të ardhurat prej më shumë se 720 euro neto/muaj nga punësimi. Në këtë shtet, pagat për punonjësit Start up (përveç për sektorët e bujqësisë, peshkimit, transportit, ndërtimit të anijeve) janë subjekt i përjashtimit nga taksimi për 8 vjet, deri në një shumë totale prej 200,000 euro.

Kosova ka tatimin mbi pagën më të ulëtin në rajon, progresiv nga zero në 10 (0%/4%, 8%, /10%).
Në Bosnjë-Hercegovinë, tatimi mbi të ardhurat është fiks, 10%.
Ministria e Financave premtoi se do të ulte tatim fitimin mbi pagat e larta nga 23 në 18%, por ky premtim nuk u materializua në paketën fiskale 2018, të miratuar së fundmi nga qeveria.

 

 

Të bësh biznes, humbim 7 vende

Shqipëria ka humbur 7 vende në raportin e Bankës Botërore “Doing Business 2018 ” duke u renditur e 65-ta, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 58 mes 190 ekonomive të marra në vlerësim. Kjo tregon se të bërit biznes në vendin tonë ose është vështirësuar, ose vendet e tjera janë përmirësuar me ritme më të shpejta duke na lënë pas. Në raport me veten, bilanci është pozitiv me një përmirësim prej 0.96% krahasuar me të njëjtin raport të një viti më parë.

Shqipëria ka shënuar përmirësim në dy aspekte. Sigurimi i financimit, pra është përmirësuar aksesi në financim përmes disa nismave ligjore që lidhen me amendimet në Kodin Civil, si dhe disa aspekte të falimentit. Aspekti i dytë me përmirësimin është pjesa e rregullimit të tregut të punës, ku Shqipëria ka amenduar ligjin për orarin e punës që lejohet në një javë, si dhe faktin që burrat dhe gratë të trajtohej njëlloj në rastet e shpërblimeve.

Marrja e energjisë elektrike vazhdon të jetë sfidë për biznesin në vend duke e renditur Shqipërinë në vendin e 157 nga 190 ekonomi, por treguesi i pikëve është përmirësuar me 0.01% krahasuar me atë ku ishim një vit më parë.
Në vendin e dytë renditet pagesa e taksave, ku Shqipëria ka regjistruar vendin e 125 me një përkeqësim prej 0.54% në raport me një vit më parë.
Lejet e ndërtimit edhe pse duket se kanë shënuar përmirësim kohëve të fundit nuk kanë mundur të sigurojnë një renditje më të mirë sesa vendi i 106, por në raport me veten jemi përmirësuar në mënyrë modeste me 0.03%.

Më pas vjen regjistrimi i pronave, ku Shqipëria renditet në vendin e 103.
Më mirë nga të gjithë procedurat e marra në vlerësim është ajo e mbrojtjes së investitorëve në minorancë ku jemi të 20-ët dhe më pas tregtia, pra ulja e barrierave tregtare ku Shqipëria renditet në vendin e 24.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of