Me dëshirën e mirë për një bashkëpunim institucional, transparent dhe të frutshëm, nisur edhe nga përvoja e fituar në komunikimin e deritanishëm mes Ministrisë së Financave dhe publikut, Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani, zhvilloi një takim me gazetarët e mediave të shkruara dhe audiovizive, përfaqësues të shtypit vendas dhe atij të huaj, rezident në Tiranë.
Ministri Cani iu tha gazetarëve në fillim të bisedës se takimi ka synim shkëmbimin e mendimeve dhe opinioneve në lidhje me strategjinë e komunikimit të dikasterit të Financave dhe të gjitha institucioneve në varësi të këtij dikasteri, pra Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe asaj të Doganave, Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parasë dhe Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit, për t’i ofruar publikut dhe aktorëve të tjerë të interesuar, informacion të plotë, të përditësuar dhe për të rritur transparencën në këtë komunikim.
Gazetarët e pranishëm vlerësuan bisedën informuese dhe të lirshme për çështje të financave dhe mirëadministrimit fiskal dhe e cilësuan këtë si një traditë të mirë që duhet forcuar. Ata trajtuan më pas një sërë problemesh të rëndësishme që lidhen me informacionin e kësaj ministrie.
Gazetarët kërkuan informacion të detajuar, të shoqëruar me komentet përkatëse të ekspertëve të financave, një informacion të thjeshtë për të gjitha kategoritë e publikut si dhe praninë e ekspertëve në daljet publike për të shpjeguar e sqaruar detaje të politikave të ndërmarra, apo të të dhënave fiskale dhe financiare.
Ministri i Financave nënvizoi se do të ketë një qasje të re të ministrisë ndaj mediave dhe publikut në përgjithësi dhe mbajti shënim edhe kërkesat e komunitetit të gazetarëve për të hartuar një program të detajuar për trainimin e tyre në fusha specifike, për një kalendar të përcaktuar të informacioneve periodike të ministrisë dhe angazhim të ekspertëve në sqarimin e paqartësive të ndryshme apo keqinterpretimeve që mund të vihen re në raportimet mediatike.
Z. Cani iu shpjegoi me hollësi gazetarëve edhe çështje konkrete si ato që lidheshin me të ardhurat për muajin janar dhe shkurt, me sistemin e ri tatimor në fushën e teknologjisë së informacionit, me shpenzimet e realizuara në fund të vitit dhe letërkreditë etj. Ministri tha se po shikohet mundësia edhe e praktikimit të një forumi interaktiv në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, ku të interesuarit apo publiku të kenë mundësi të pyesin e të marrin përgjigje për çështje që lidhen me financat shqiptare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.