Ministria e Financave të Shqipërisë dhe Ministria e Financave të Kosovës ranë dakord të nënshkruajnë një marrëveshje dypalëshe, e cila ofron plotësimin e kërkesës së të dy vendeve për një zyrë të përbashkët doganore Shqipëri-Kosovë
Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka pritur në një takim pune homologun e tij të Qeverisë së Kosovës, z. Abdullah Hoti, ku kanë diskutuar rreth bashkëpunimit mes të dy vendeve në fushën e shkëmbimeve tregtare, të thjeshtimit të procedurave në të dy anët e kalimit të kufirit dhe çështje të tjera me interes reciprok.
Ministri Cani ka vlerësuar bashkëpunimin shumë të mirë dhe të konsoliduar me Administratën Doganore të Republikës së Kosovës, që është institucionalizuar tashmë me takimet e rregullta dypalëshe në nivel të lartë drejtues e që ka çuar në konsolidimin e bazave të partneritetit mes dy Shërbimeve tona doganore.
Ministri Shqiptar vlerësoi zbatimin nga pala kosovare të të njëjtit sistem për përpunimin e deklaratave doganore, ashtu si Administrata Doganore Shqiptare.
Nga ana e tij Ministri i Financave të Kosovës, pasi falenderoi homologun e tij për pritjen dhe ekspozimin e problemeve, tha se tashmë ekziston një vullnet dhe dëshirë e mirë midis palëve për të vënë në rrugën e zgjidhjes një sërë çështjesh që janë ende të pazgjidhura.
Gjatë takimit, u ra dakord që të punohet për ngritjen, në një periudhë afatshkurtër, të një grupi të përbashkët pune për të koordinuar bashkëpunimin midis dy administratave. Ministrat nënvizuan se grupi do të punojë për përafrimin e procedurave doganore, por edhe të legjislacionit doganor në tërësi.
Ministri Cani dhe homologu i tij kërkuan që ekspertët e të dy vendeve të përcaktojnë shpejt procedurat për të realizuar heqjen e kontrollit të dyfishtë aktual në doganat respektive dhe krijimin një zyre të vetme të përbashkët zhdoganimi për të dy shtetet kufitare.
Ministrat ranë dakord gjithashtu të harmonizojnë politikat e taksave në fushën e mallrave të ashtuquajtur “të fortë”, që paguajnë akcizë, të zgjidhin problemin e terminaleve që në Kosovë krijojnë një kosto shtesë për eksportuesit shqiptarë, të policave të sigurimit me vlerë të njëjtë në të dy shtetet, etj.
Homologët e financave ranë dakord për të nënshkruar një marrëveshje dypalëshe, që merr në konsideratë zgjidhjen e problemeve të diskutuara dhe ofron plotësimin e kërkesës së të dy vendeve për një zyrë të përbashkët doganore Shqipëri-Kosovë.
Informacion për nivelin e shkëmbimeve tregtare Shqipëri- Kosovë
Për vitin 2014 volumi tregtar i shkëmbimeve me Kosovën ka qenë me një vlerë rreth 177 milionë Euro. Volumi i importeve nga Kosova për vitin 2014 ka qenë me një peshë specifike në masën 3.6% kundrejt totalit te importeve tona.
Vërehet ulje e volumit të importeve të realizuar 25.6% më pak krahasuar me vitin 2013.
Vlera e mallrave të importuara nga ky vend për vitin 2014 ka qenë 42.6 milionë Euro. Në peshë specifike 1.1 % i takojnë vlerës së importeve nga Kosova, kundrejt totalit në vlerë ndaj të gjitha vendeve për këtë vit. Vërehet se për vitin 2014, krahasuar me vitin 2013 ka ulje të vlerës së importeve me 42 milionë lekë me pak.
Volumi i mallrave të eksportuara drejt Kosovës gjatë vitit 2014 ka zënë një peshë specifike 21.7 % ndaj peshës totale të eksporteve tona drejt të gjitha vendeve. Vërehet një rritje e peshës me 10.7% krahasuar me një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.