Në takimet në Uashington me FMN dhe Bankën Botërore po diskutohet dhe për mundësinë e gjetjes së financimeve për të përballuar krizën energjetike si rrjedhojë e thatësirës…
I ndodhur në Uashington për takimet e pranverës me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, ministri i financave, Shkëlqim Cani, në një intervistë të posaçme për Monitor.al flet lidhur me disbursimin e pritshëm të këstit të parë të kredisë prej 330 milionë euro FMN-së, mënyrën e përdorimit të tij, ecurinë e pagesave të detyrimeve të prapambetura dhe efektet e kësaj lëvizjeje në ekonomi, si dhe diskutimet që po zhvillohen me Bankën Botërore dhe FMN-në në Uashington, kun ë fokus kanë qenë dhe financimet e nevojshme për të përballuar krizën energjetike si rrjedhojë e thatësirës .
Z.Cani, kur pritet disbursimi i këstit të parë të kredisë së FMN-së?
Lëvrimi i këstit të parë është çështje teknike dhe ka mbetur për çështje detajesh. Sot (të premten pasdite) është zhvilluar takimi i zëvendës ministrit në Uashingon, nëse do të lëvrohet të premten, apo të hënën, por është thjesht një çështje teknike për të kaluar paratë nga Uashingtoni në Bankën e Shqipërisë, që nuk kërkon më bisedime. Ne kemi bërë kërkesën përpara pesë ditëve , pasi kërkesa duhej bërë përpara pesë ditë pune dhe pas kësaj periudhë bëhet lëvrimi.
Sa do të jetë kësti i parë dhe si do të përdoret?
Kësti i parë është diku tek rreth 25-26 milionë euro. Për të qenë korrent dhe meqë revista juaj është më teknike në këtë drejtim, këto para do të merren në buxhet, dhe do të jetë buxheti që do i alokojë. Ne themi që e gjithë shuma që do të merret nga FMN , Banka Botërore dhe potencialisht edhe një grant nga Bashkimi Europian janë afërsisht diku te 350 milionë euro dhe meqë kjo është përafërsisht dhe shuma që do të shlyhet për borxhin e vonuar, ne e kemi lidhur sikur e gjithë kjo shumë shkon për shlyerje borxhi. Nuk është realisht kështu. Të gjitha shumat e FMN-së, Bankës Botërore, BE (potencialisht) do të shkojnë për mbushje buxheti dhe buxheti do i gjejë destinacionin, por në një farë kuptimi kemi dhënë një drejtim për shlyerjen e pagesave të vonuara, duke qenë se ky është një nga premtimet që kemi marrë dhe një nga zotimet në memorandumin e mirëkuptimin me FMN-në dhe prandaj i është dhënë kuptimi që do të përdoret për shlyerjen e pagesave të vonuara.
Sipas të dhënave të fundit, të publikuara nga financat, shlyerja e detyrimeve të prapambetura kishte arritur deri në 120 milionë dollarë. Sa ka shkuar deri tani?
E vërteta është se deri në 31 mars janë shlyer 200 milionë dollarë, por kompozimi është në tre drejtime.
-E para është është shlyerja e pagesave të vonuara drejtpërdrejt biznesit, që janë TVSH e arkëtueshme, që i është dhënë biznesit; shuma të ndryshme për punë që biznesi i ka kryer qeverisë dhe nuk janë shlyer.
Së dyti janë shuma për netimin e detyrimeve që ka pasur KESH, CEZ, ujësjellësi e të tjera institucione mes njëri tjetrit dhe kjo është një shumë prej afërsisht 44 milionë dollarë.
E treta është një shumë që ka qenë shlyer përpara dhe kjo është afërsisht diku rreth 45-50 milionë dollarë.
Pra ky është kompozimi i detyrimeve të paguara deri tani.
Çfarë efektesh pritet të ketë shlyerja e këtyre detyrimeve në ekonomi dhe kur mund ta japë ndikimin?
Ne jemi munduar që të përqendrojmë efektet në disa drejtime kryesore. Një efekt që deri tani nuk e kemi përmendur është ai i shlyerjes së detyrimeve nga njëra firmë tek tjetra. Efekt tjetër do të jetë shlyerja e detyrime që firma të ndryshme u kanë punëtorëve të tyre, që nuk u kanë dhënë pagën, ose furnitorëve të vegjël.
Por, ne jemi të përqendruar në dy efekte madhore. E para, në likuiditetin dhe përmirësimin e gjendjes financiare të biznesit dhe e dyta në shlyerjen e kredive të këqija që janë shumë të larta.
Lidhur me të parën mendohet që firmat e ndryshme, duke qenë se do t’u paguajmë atë detyrim që e kishim do t’u përmirësohet ndjeshëm likuiditeti, i cili duhet të shkojë në dy drejtime, ose në shlyerjen e kredive që ato kanë pasur ndaj bankave, ose në një klimë më të favorshme investimi, gjë që ne shpresojmë të përkthehet ose në më shumë vende pune, ose minimumi në një kohë relativisht të shkurtër, që do të thotë në gjysmën e dytë të vitit, në rritje më të madhe ekonomike, për arsye se një biznes që sheh për të rritur biznesin me paratë që do të marrë nga shlyerja e detyrimeve të shtetit, do të shkojë në më shumë agresivitet dhe në një klimë më të butë dhe do të jenë më pozitivë në shërbimet që do të shtojnë për ekonominë dhe këtu ndihet rritja.
Nga këndvështrimi i bankave, së pari, duke i dhënë biznesit paratë, do të shlyhen kreditë dhe do të ulet niveli i kredive të këqija. Tkurrja e kredive me probleme do të reduktojë koston dhe perceptimin e bankave për biznese të këqija, së pari sepse u ulet kosto bankave për provigjionimet e huaja por së dyti përmirësohet bilanci i bankave, si dhe biznesi bëhet më i gatshëm për të marrë kredi. Si rrjedhojë, bankat do të japing më shumë hua dhe pritshmëria është që në gjashtë mujorin e dytë rritja e bankave duhet të çojë në zgjerim ekonomik dhe punësim.
Këto janë ndikimet e kombinuara. Por, ndërkohë ne kemi në radhë për të shlyer dhe detyrime të tjera, gjë që shkon dhe në favor të individëve. Do të desha ta përmend, pavarësisht se revista juaj merret më shumë me biznesin, se edhe individët na interesojnë. Krijohet ndonjëherë dhe një farë perceptimi i gabuar në publik dhe ndonjëherë do të guxoja ta quaja dhe inat i publikut ndaj nesh dhe ndaj biznesit, që po shohim vetëm njëri-tjetrin. Në fakt, duke shlyer borxhet ndaj biznesit, në radhë të parë kryejmë një detyrim, nuk po bëjmë ndonjë favor. E dyta po ua japim atyre që biznesi të marrë më shumë kredi, të bëhet më agresiv në investime për të shtuar vendet e punës. Pra në fund fare përfiton dhe publiku, pasi merr paga më shumë dhe punësohet.
Por, së dyti, nuk e kemi lënë dhe publikun jashtë. Ne jemi të hapur dhe për detyrime të vjetra që kemi ndaj publikut, për gjyqe që ata i kanë fituar ndaj shtetit dhe që shteti nuk është kujtuar ndojëherë për t’ia kthyer. Pra një pjesë e parave do të shkojnë dhe drejtpërdrejt për publikun. Natyrisht dhe një bankë që i shlyen kreditë e këqija, nuk do të japë kredi jo vetëm për biznesin, por edhe për individin.
Cili ka qenë fokusi i bisedimeve në takimet që po zhvilloni në Uashington me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore?
Është e nevojshme që herë pas here ne të takohemi. Tashmë ne kemi hyrë në një marrëdhënie disi të veçantë me FMN-në dhe Bankën Botërore, për arsye se nuk jemi më në marrëdhënie kaq të ndërvarura, apo në marrëveshje të drejtpërdrejta kushtëzuese me njëri tjetrin. Por, në një farë kuptimi, edhe pse i kemi të relaksuara marrëdhëniet, ne kemi marrë hua nga FMN dhe nga Banka Botërore, pasi shpresojmë t’i kemi përmbushur të gjitha parakushtet, mendojmë që në fund të majit, Bordi i Bankës Botërore do të marrë një vendim pozitiv për të na e dhënë huanë.
Që të marrësh një kredi, natyrisht që kredidhënësit duhet t’i japësh besimin se po ecën në rrugën e duhur, sepse nuk mund ta marrësh kredinë dhe të zhdukesh nga skena. Natyrisht që duhet t’i thuash ku është gjendja në nivelin e të ardhurave, në rritjen ekonomike. Patëm së fundmi një zhvillim të ri, që rritja ekonomike doli 0.4%. Ne dikur e menduam 1.2, pastaj 0.7% dhe si përfundim arriti 0.4%, pra ne kemi lëvizur pak për poshtë dhe ekonomia duket që kishte më shumë problem çfarë mendonim dhe doemos kjo duhet argumentuar. Pa u japim atyre një panoramë mikss se si dolëm me realizimin e të ardhurave, me shpenzimet me pagesën e detyrimeve të prapambetura.
Së dyti dhamë dhe morëm mendime lidhur me panoramën e pritshmërisë për fundvitin 2014, si e mendojmë ne, ndërkohë që dhe FMN dhe BB kanë dhe ata ekipin e tyre që bëjnë vlerësime, provuam a jemi në të njëjtat ujëra apo jo. Po kështu hodhëm ide për vitin 2015, se nuk mund të presim që të trokasë dhe ne pastaj të kujtohemi që erdhi 2015-a. Po kështu diskutuam se si e shohim mesin e vitit, do të bëjmë ndryshime të buxhetit apo jo, ku jemi me ardhurat dhe për pasoja nëse dalim më mirë ku do i rialokojmë fondet, nëse dalim më keq, çfarë do të bëjmë, sepse dilemat janë, por zgjidhjet janë disa, kështu që ne duhet të jemi afërsisht në të njëjtat ujëra.
Ishim bashkë me guvernatorin dhe kuptohet që qeveria dhe banka qendrore, duke ruajtur pavarësinë, kërkojnë që të marrim një vlerësim të përbashkët për të tre palët.
Por u diskutuan edhe çështje të veçanta, si reformat dhe energjia. Psh mund t’ju përmend njërën, energjinë, që është më e ngutshme dhe kemi kohë që e diskutojmë në qeveri, se si të gjejmë paratë për këtë thatësirë të madhe. Ne parashtruam se si e mendojmë gjetjen e parave, me apo pa prishje të buxhetit. Ideja është të mos e prekim buxhetin, ndërsa është përjashtuar alterativa e mosfurnizimit me energji dhe është e mbyllur që do të furnizojmë me energji, kjo është jashtë çdo diskutimi. Tani do të shohim alternativat ku mund t’i gjejmë paratë. Mirë është që ngërçi në ekonomi të jetë sa më i vogël. Është një fjali që unë besoj që ju të revisës nuk e keni problem për ta kuptuar, por puna është si do ta përcjellim në publik, pasi është një diskutim i madh: të ulësh borxhin, që natyrisht është një kosto e madhe për buxhetin (sa më i lartë borxhi aq më shumë para do të harxhohen për ta shlyer, aq më pak rrugë shkolla dhe spitale do të ketë), por është dhe një diskutim tjetër, sa është shpejtësia e shlyerjes. Psh ne kemi vendosur që sivjet nuk do të shlyejmë borxh, përkundrazi do të rritet ai, sepse nuk duam të godasim ekonominë, sepse është një problem po aq i madh që ekonomia të marrë vrull dhe pastaj është ekonomia vetë që do të çojë në shlyerje të borxhit dhe kjo ishte një nga pikat e diskutimit.
Konkretisht lidhur me energjinë dskutuam që të mos godasim investimet, të mos godasim ekonominë, por ta lëmë rritjen ekonomike të ecë. Janë disa alternativa që ne po i bisedojmë, ndoshta dhe për të gjetur fonde nga FMN, Banka Botërore, apo partnerë të tjerë, apo të shohim për rrugë të tjera.
Keni deklaruar që shuma që ju duhet për energjinë është 100-200 milionë euro?
Kjo është një tjetër histori, sa është shuma, por për këtë do të na duhet të dalim dhe njëherë tjetër më vonë, kur ne të ecim me bisedimet, sepse është shpejt që të dalim në publik për gjëra që i kemi ende në një fazë jo të pjekur.
Intervistoi: Ornela Liperi
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.