Më datën 3 Qershor 2014, në Vjenë, Austri, u zhvillua Konferenca Ministeriale organizuar nga Qëndra e Bankës Botërore për Reformën e Raportimit Financiar (CFRR), në të cilën i pranishëm ishte edhe ministri i Financave, Z. Shkëlqim Cani.
Konferenca me temë “SME më të forta për Prosperitet – Zhvillimi i Sistemeve të Raportimit Financiar të Qëndrueshme në Europë dhe Azi Qëndrore” është e pesta, e cila zhvillohet në kuadër të raportimit financiar të koorporatave për ministrat e Financave, përfaqësues të biznesit, rregullatorë, profesionistë, komunitetet akademike dhe ekspertë nga institucionet e BE-së.
Konferenca e cila përbën një mundësi unike për tu informuar mbi ecurinë e reformave financiare që ndodhen në faza të ndryshme nga vendet e Europës dhe Azisë Qëndrore kishte për këtë vit në fokus sfidën e zhvillimit të një mjedisi rregullator në të cilin SME-të (ndërmarrjet e vogla dhe të mesme) mund të përparojnë.
Në panelin ku Ministri i Financave, Z. Shkëlqim Cani mori pjesë së bashku me homologët e tij nga Serbia dhe Moldavia u diskutua rreth temës “Krijimi i një Sistemi Rregullator për SME-të”. Ata ndanë eksperiencën e tyre në zhvillimin e reformave të sukseshme në fushën e pasqyrimit financiar dhe të standarteve të biznesit, si dhe konsiderimin e nevojave specifike të SME-ve në krijimin e një klime të mirë me biznesin.
“SME-të janë motori kryesor i ekonomisë shqiptare dhe ne kemi nevojë për të shmangur vendosjen e pengesave administrative të panevojshme dhe të kushtueshme mbi to. Kërkesat e raportimit financiar duhet ta reflektojnë këtë dhe të jenë koherente me natyrën dhe tiparet e ekonomisë sonë”, u shpreh ministri.
Standardet kombëtare të kontabilitetit janë veçanërisht të rëndësishme për SME-të . Këshilli i Kontabilitetit Kombëtar Shqiptar, me mbështetjen e CFRR ka mbikqyrur përgatitjet e pasqyrave financiare në vend për të përcaktuar se si mund të përmirësohen. Përgjigja ishte: ato duhet të jenë të thjeshta dhe të qarta.
“Si rezultat i kësaj – thotë Z.Cani – Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit të Shqipërisë ka zhvilluar një paketë të re të standardeve të kontabilitetit për SME-të dhe është fokusuar në thjeshtëzimin e mëtejshëm për kërkesat raportuese për bizneset e vogla dhe mikro, duke u përpjekur të fusim standardet dhe praktikat e mira të BE-së”.
Ministri shqiptar i Financave, paraqiti gjithashtu eksperiencën e Shqipërisë si një vend përfitues i programit REPARIS që ka zhvilluar standardet kombëtare të raportimit financiar për biznesin e mesëm dhe të vogël. Gjatë konferencës u shtjellua eksperienca shqiptare lidhur me standardet e raportimit financiar sipas kategorive klasifikuese të biznesit (IFRS për një grup biznesesh të klasifikuara, standardet kombëtare për biznesin e vogël dhe të mesëm dhe në proces thjeshtësimi i standardeve për mikrobizneset); edukimi dhe trajnimi i ekspertëve kontabël, audituesve, drejtuesve të bizneseve dhe punonjësve të sektorit publik; si dhe harmonizimi i legjislacionit tatimor me atë standardeve të raportimit financiar.
Projekti për Përmirësimin e Pasqyrimit Financiar të Korporatave i hartuar nga autoritetet vendase ne bashkëpunim me CFRR kohët e fundit në Shqipëri, ka ndihmuar për të zhvilluar një mjedis transparent politikash dhe për të siguruar një kuadër efektiv institucional për pasqyrimin financiar të korporatave. Ky projekt ka ndikuar direkt në forcimin e sistemit të auditit dhe në zhvillimin e përpunimin e mëtejshëm te edukimit të auditit dhe standardeve të kontabilitetit.
Z. Cani, nga eksperienca shqiptare, nënvizoi rëndësinë që ka, midis shumë punëve të tjera të qeverisë, vëmendja në prioritet e një reforme të tillë, transparenca për publikun dhe për organet tatimore që shpesh përballen me dy bilance të mbajtura nga shoqëritë tregtare. Në Shqipëri po vazhdohet nga puna për thjeshtësimin e standardeve të raportimit financiar për bizneset mikro dhe përmirësim të aspekteve të veçanta për grupe të tjera.
Ne këtë aktivitet morën pjese edhe përfaqësues të tjerë nga Shqipëria nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike të Ekspertëve Kontabël të Regjistruar, nga IEKA si dhe nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit.