Kredia do të lëvrohet me 9 këste për 36 muaj; interesi deri në shumën 200 milionë euro do të jetë 1.13% dhe për pjesën e mbetur të shumës, ai rritet me 2%, duke shkuar në 3.13%. Vëmendja te reformat në skemën e pensioneve dhe energjetikë..
Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka “zbuluar” përpara këshillit Konsultativ, kushtet e marrëveshjes me FMN-në. Sipas tij huaja do të jepet në SDR (Special drawing rights- monedha në të cilën FMN mban rezervat e huaja). Kredia do të lëvrohet me 9 këste për 36 muaj; interesi deri në shumën 200 milionë euro do të jetë 1.13% dhe për pjesën e mbetur të shumës, ai rritet me 2%, duke shkuar në 3.13%.
Huaja do të shlyhet për 13 vjet dhe 4 vjet janë grace period (periudhë kur nuk paguhet principali, por vetëm interesat).
Ajo që ka ngjallur më shumë debate janë kushtet e tjera të kësaj marrëveshjeve. “të firmosësh një kredi duhet të plotësosh disa kushte dhe ne kishim 20 parakushte, që i plotësuam dhe ky mund të konsiderohet si sukses”, tha Cani.
Ndërsa thotë se nuk ka një marrëveshja specifike që do të impononte plotësimin e kushteve (raportet e FMN-së së publikuara së fundmi janë qëndrime dhe rekomandime të FMN-së dhe jo kushte për t’u zbatuar) ministri Cani pranon se FMN është e vëmendshme në dy drejtime.
Së pari, është reforma në pensione. “Kjo skemë në formën që është aktualisht nuk funksionon”, thonë ministri, sepse kërkon gjithnjë e më shumë burime nga shteti. Ajo duhet të arrijë që të vetë financohet. Arritja në një skemë funksionale, sipas Canit, nuk përjashton goditjet, si psh rritja e moshës që është një tendencë pan evropiane, sidomos për femrat. Ajo që mbetet për t’u vendosur është shtrirja në kohë e kësaj reforme.
Së dyti, është reforma në energjetikë, që përfshin shumë elementë. “Ky vit ka 35% më shumë ujë, që nënkupton se duhen 100-200 milionë euro nga buxheti”, thotë Cani. Po vazhdojnë diskutimet me CEZ, që duket se do të shkojë drejt shtetëzimit dhe riformatimit. Do të gjendet mënyra për t’u riparë dhe çmimet e ulëta me të cilat KESH shet energjinë.
Cani tha se zgjidhja më e mundshme është heqja e fashës prej 300 KW me çmim më ët ulët, sepse me këtë fashë po spekulojnë shumë bizneset e vogla, ndërkohë që shtresat e varfra të konsumatorëve familjarë do të kompensohen.
Ministri Cani pranon se nga këto reforma, sidomos ajo e energjisë do të goditen kryesisht shtresat e mesme.
Këshilli Konsultativ, që përbëhet nga analistë dhe ekspertë të fushës ekonomike dhe të medias, zhvilloi të martën mbledhjen e tretë të radhës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.