Indeksi i çmimeve të konsumit, shkurt 2012
Në muajin mars të këtij viti, indeksi i çmimeve të konsumit rifilloi të rritej. Treguesi arriti në 1% nga 0.6% që ishte një muaj më parë, sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT).
Krahasuar me një vit më parë, norma e inflacionit është mbi tri herë më e ulët. Në mars të vitit 2011, indeksi i çmimeve të konsumit ishte 4.3%.
Trendi rritës i IÇK-së vlerësohet të jetë ndikuar nga rritja e çmimeve të produkteve të konsumit. Indeksi i çmimeve për grupin “Ushqime dhe pije alkoolike” ishte 0% nga -1.2% që ishte vetëm një muaj më parë. Krahasuar me një vit më parë, indeksi paraqitet në nivele shumë më të ulëta. Në mars 2011, ky tregues ishte gjashtë herë më i lartë (6.1%). Sipas INSTAT-it, disa prej grupeve pësuan rritje.
Gjatë muajit të fundit të vlerësuar nga INSTAT, indeksi i çmimeve të grupit “Pije alkoolike e duhan” ishte pothuajse në të njëjtin nivel të një muaji më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT, indeksi i çmimeve për këtë grup ishte 1.5% nga 1.4% që ishte një muaj më parë. Ky tregues është disa herë më i ulët po ta krahasojmë me ndryshimin që pësoi një vit më parë (kur shënonte një rritje vjetore prej 13.5%).
Grupi “Veshje, këpucë” pësoi rritje të lehtë, duke mbetur gjithsesi në nivele negative. Sipas INSTAT-it ai ishte në nivelin -2.1 nga -2.3% që ishte një muaj më parë. Në mars 2011, ky tregues ishte -1.5%.
Rënie shënoi grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” (0.8% nga 1.3% që ishte në shkurt). Ky tregues është mbi tri herë më i ulët se ai i shënuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (3.1%).
Sipas të dhënave zyrtare, një tendencë rënie vazhdoi të paraqesë indeksi i çmimeve të transportit. Në mars ai zbriti në 5.3% nga 5.7% që shënonte në muajin shkurt. Krahasuar me një vit më parë, treguesi është më i ulët. Në mars 2011, treguesi i ndryshimit vjetor të çmimit ishte 6.4%.
Burimi: INSTAT