Ne kërkojmë të udhëhiqemi
Kuti matës i prosperitetit ekonomik të shqiptarëve duhet të ndryshojë. Ai nuk është më i vlefshëm nëse do të vijojë të matet me mandate qeverisëse që kanë kaluar sa herë që ka rotacione politike.
Kuti ynë i vlerësimit është që të tregojmë se sa afër jemi me qëllimet që kemi.
Ne e dimë se ku duam të shkojmë. Drejt vendeve më të përparuara dhe me prosperitet të Europës. Megjithëse jemi të qartë dhe pa dyshime për këtë, ecjen tonë përpara nuk e kemi matur me sa larg dhe afër këtij objektivi jemi.
Gjithnjë vlerësimi në vendin tonë është bërë përmes kutit se kush ka qeverisur më mirë krahasuar me dikë më parë, por jo se sa shpejt kemi ecur drejt së ardhmes. Pra vazhdojmë të matemi me të shkuarën, ndërsa krahasimi me të ardhmen e tremb politikën, ndaj edhe ne jemi zhytur në debatin e shterpë të asaj që iku dhe jo të asaj që na pret.
Javën që kaloi, Eurostat i certifikoi përpjekjet tona si jo aq të dobishme sa të garantonin prosperitet më të shpejtë kundrejt vendeve të cilat aspirojmë t’i ngjajmë.
Shqipëria është vendi i dytë, pas Bosnjës, më i varfër në Europë, me të ardhura për frymë vetëm sa 30 për qind e mesatares së vendeve të Bashkimit Europian. Sipas Eurostat, nëse nga viti 2004 deri më 2010, të ardhurat për frymë në Shqipëri ndaj mesatares së BE-së u rritën me 10 pikë përqindje, pas vitit 2010, ato thuajse kanë ngrirë, duke u rritur me vetëm 1%.
Nëse do t’i vlerësonim këta tregues vetëm në vështrimin ekonomik, konkluzioni është më i thjeshtë. Duket qartë se ekonomia e vendit ka nevojë për “revolucionin e saj industrial” për të dalë nga primitivizmi që nuk jep vlerë dhe mban ende në këmbë mëditjen moderne e për ta drejtuar në një sistem ekonomik e financiar vlerash që shumëfishohen nëse investon e arsimohesh më shumë.
Kjo do të na jepte më pas edhe shanset për të pasur një ekonomi me profil më identifikues dhe konkurrues. Por, së pari, për të dalë nga statusi ‘në vendnumëro’, ekonomia ka nevojë si parakusht të çlirohet nga dominimet.
Nga të dhënat e fundit që u bënë publike nga INSTAT në fillim të këtij muaji rezulton se 1 për qind e bizneseve kanë rreth gjysmën e aktivitetit ekonomik të vendit. Ky përqendrim lehtëson kapjen e qeverisë dhe sistemit. Përfitimi i zhbalancuar i së mirës kombëtare dhe aksesit tek ekonomia e bën vendin më të rrezikuar ndaj krizave dhe pengon përcjelljen e politikave simuluese në të gjithë gamën e aktivitetit ekonomik. Ndaj ekonomia jonë, pavarësisht përpjekjeve, nuk arrin të shtyjë përpara shqiptarët dhe i ngjan ende një trupi që, megjithëse jeton, është në “koma”, sepse nuk ka fuqinë për të kryer të plota funksionet. Këtë e tregon renditja në konkurrueshmërinë globale, ku Shqipëria mbetet në vendet e fundit të listës.
Por çështja nuk është vetëm ekonomike por edhe çështje vetëdije, sepse prosperiteti ynë ekonomik është i lidhur edhe me prosperitetin tonë si komb në çdo aspekt.
Një popull jeton ashtu siç udhëhiqet. Nëse duam të jetojmë më mirë ashtu si europianët, duhet të udhëhiqemi nga e ardhmja. Por këtë, ne ende nuk po e bëjmë, sepse progresin tonë e matim ende me sa larg kemi shkuar duke e matur nga u nisëm. Por kjo nuk është udhëheqje, është histori. Ne kërkojmë të udhëhiqemi përpara.