Buzëqeshje e shtirur
Javën e kaluar, përfaqësuesja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, “thirri nën armë” edhe biznesin, duke i kërkuar të rreshtohet pro Reformës në Drejtësi. Por pas thirrjes së saj nuk pati asnjë reagim institucional. Kjo nuk do të thotë aspak që shumica dërrmuese e bizneseve në Shqipëri nuk duan që në këtë vend të bëhet drejtësi, sepse nuk ka segment më të “viktimizuar”nga korrupsioni, ryshfeti e krimi shtetëror apo i rrugës, sesa sipërmarrja shqiptare.
Një vrojtim i përbashkët i pak viteve më parë, nga Zyra e Drogës dhe Krimeve në Kombet e Bashkuara, me disa institucione shqiptare, solli si konkluzion se kostot e biznesit nga korrupsioni zyrtar janë mjaft të larta dhe se ai ndikon ndjeshëm në ekzistencën e tyre. Vrojtimi tregoi se bizneset paguajnë ryshfet 4.6 herë në vit dhe se në mbi60%të rasteve, kjo pagesë korrupsioni është e kërkuar nga zyrtarët.
Ndërkohë konkluzioni i fundit i Bashkimit Europian për vende si Shqipëria, tregoi se për t’u mbrojtur nga krimi bizneset duhet të harxhojnë rreth 6 për qind të xhiros vjetore.
Këto dy të dhëna mjaftojnë për të kuptuar se pse biznesi vendas apo ai i huaj në Shqipëri stepen të guxojnë të rrisin investimet dhe kanë përgjithësisht besim të ulët ndaj institucioneve. Vrojtimet e herë pas hershme e rendisin korrupsionin dhe krimin si një nga pengesat e para në bërjen e biznesit. Ndaj nuk ka nevojë për thirrje që biznesi të bëhet pro reformës. Por që kjo çështje të zgjidhet duhet të ketë besim. Ky besim, nëse vjen vetëm nga BE, është i pamjaftueshëm.
Edhe anketimi i fundit i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri tregoi se gati gjysma e bizneseve janë ende mosbesues e të pasigurt, sado që qeveria pretendon të kundërtën e bën “shaka” duke e banalizuar rezultatin me rritjen e pretendimeve të biznesit ndaj saj.
Biznesi shqiptar është ende sot mosbesues ndaj çdo nisme apo politike qeverisëse, për sa kohë nuk ekziston kulti i besimit, i cili duhet të përfaqësohet nga institucionet. Megjithëse janë krijuar edhe disa tryeza e forma të përbashkëta të dialogut qeveri-biznes, ato sipas vetë sipërmarrësve nuk kanë funksionuar, sepse në masë fare të vogël janë marrë në konsideratë këshillat e tyre dhe kurrë nuk kanë prodhuar politika e vendime strategjike. Më shumë kanë shërbyer si vitrina të shitjes së produkteve politike të qeverisë. Duke qenë se besimi nuk është objekt por perceptim, s’ka si të jetë një fotografi e ditës sikundër mendon qeveria, por një rrugëtim e një marrëdhënie më e gjatë. Qysh kur erdhën në pushtet, të majtët devijuan shumë nga ato që premtuan, duke rënduar mjedisin ekonomik, me taksa dhe reprezalje në emër të formalitetit dhe vetëm në fund të këtij mandati po duken sikur po rregullojnë disa gjëra, por që nuk prekin thelbin e sjelljes së tyre tipike, mospërfillëse dhe sfidues ndaj biznesit.
Për të ringritur besimin, biznesi kërkon prova, kërkon dëshmi. Qeveria mund të pretendojë se rezultatet e saj makro, si rritja ekonomike rreth 3% janë një provë që vendimmarrja e saj ka qenë e drejtë. Por pasuria e krijuar këto vite është përqendruar vetëm në pak biznese që duket se janë të lidhur ngushtë në marrëdhënie klienteliste me qeverinë përmes koncesioneve të dyshimta, prokurimeve të drejtpërdrejta në një listë të shkurtër, aq sa sot, vetëm 1 për qind e bizneseve kanë mbi 90 për qind të xhiros së gjithë subjekteve në shkallë vendi. Pabarazia është padrejtësi ndaj edhe shumica e biznesit është mosbesues jo vetëm ndaj qeverisë por ndaj drejtësisë në këtë vend. Dhe se rezultatet makro mbeten vetëm një buzëqeshje e shtirure shumicës së biznesit, të cilët shikojnë se përfituesit e kësaj padrejtësie ekonomike që janë pakica dhe qeveria dhe institucionet janë ende në të njëjtën anë.