Vjero: Qasje e re me biznesin
Dhoma Amerikane e Tregtisë zhvilloi Forumin e Biznesit, ku e pranishme ishte Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero. Gjatë fjalës së saj, Vjero theksoi se Tatimet po angazhohen që të bazohen tek kontrollet mbi bazë risku, tek hetimi dhe edukimi i bizneseve. Synimi ynë nuk është kontrolli për kuponë tatimorë, por ndaj skemave inteligjente të mashtrimit.
Ne jemi në fazën e 3 të aksionit kundër informalitetit dhe nuk do të shihni prezencë të shtuar të inspektorëve, ka shtuar drejtorja e Tatimeve, Vasilika Vjero.
Alketa Uruçi, nga departamenti i tatim-taksave në Amcham, tha se përsëritja e shpeshtë e amnistive fiskale dekurajon biznesin e ndershëm. Por sipas zonjës Vjero, ligji i fshirjes së detyrimeve tatimore është ligji më i mirë i hartuar, dhe u jep frymëmarrje bizneseve. Së shpejti ligji do të kalojë në Kuvend për miratim.
Uruçi shtoi se mosrespektimi i afateve të rimbursimit të TVSH-së përbën ende shqetësim për AmCham. Në listën e problemeve ajo renditi vështirësinë në marrjen e vërtetimeve për statusin. Bizneset që kanë çështje në gjykatë kanë vështirësi sepse ju dalin detyrimet gjatë procesit.