Shqipëria nuk është ingredient i sallatës ruse
Vendi po shkon drejt një krize të re politike, që duhet të ketë një fund të shpejtë, përndryshe do të kapërcejë kufijtë e do të marrë një kontekst tjetër, që nuk iu shërben aspak shqiptarëve kësaj ane dhe matanë kufirit.
Pjesa më e madhe e opozitës ka bojkotuar Parlamentin dhe prej gati dy javësh është në protestë, nën strehën e një çadre të madhe përballë Kryeministrisë, kërkon të garantojë zgjedhje të lira përmes një qeverie teknike, si kusht të parë. Ndërsa shumica qeverisëse i kërkon të kthehet në Parlament për votat e Reformës në Drejtësi. Derisa pa mbërritur të premten në Tiranë, shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, palët ishin në skaje dhe nuk kishte asnjë shenjë për dialog, që mund të shuante krizën parlamentare. Por BE dhe SHBA dërguan mesazhe të qarta se zgjidhjet nuk vijnë nga rruga,por nga Parlamenti, dhe se pushteti nuk ndërron me politika kontroverse. Pas bisedave me shefen e BE-së, palët u pa sikur lëvizën nga pozicionet ekstreme, por afrimi ishte aq i vogël sa nuk të japin shpresa të plota se kriza do të zgjidhet shpejt.
Megjithëse zonjës Mogherini i duhej që i vetmi vend aleat i NATO-s në Ballkan të jetë në paqe, ajo kishte kokëçarje më të mëdha sesa kriza e brendshme shqiptare,e cila lindi në një moment të keq rajonal.
Në Maqedoni po ndodh një grusht shteti, sepse Presidenti Ivanov nuk i pranon shqiptarët si pjesë e shumicës qeverisë se re në koalicion me maqedonasit,socialdemokratët e Zoran Zaev. Kryeministri ende në detyrë, Gruevski, nga ana tjetër, duke i fryrë shovinizmit,po u bën thirrje maqedonasve të protestojnë kundër gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, praktikisht kundër shqiptarëve si entitet, të cilët janë sërish tani më shumë në rrezik. Megjithëse shefja e diplomacisë europiane i kërkoi Ivanov-it të tërhiqej nga vendimi, ai nuk pranoi. Duk lënë pas Shkupin në krizë, ajo iu drejtua Serbisë ku, sipas “The Economist”, rreth60 përqind e serbëve, nën ndikimin rus, janë kundër NATO-s dhe BE-së. Ndërkohë edhe Mali i Zika pasiguri të shkaktuara nga rusët, Kosova dhe Serbia nuk po përparojnë në dialog, ndërsa në Bosnjë ka shenja të një konflikti të egër mes etnish. Në tërë rajonin e ballkanik ka një perceptim të gjerë se situata politike është më e përkeqësuar. Deutsche Welle pyeti shumë ekspertë dhe në analizën e saj të fundit për rajonin arrin në përfundimin se Ballkani nuk është më një fuçi baruti, por se fitili nuk është shuar ende plotësisht. Ndërkohë e mirënjohura “The Economist” shkruan se ndikimi i SHBA-së dhe BE-së në Ballkan ka rënë dhe se vendin bosh po përpiqet ta zërë Rusia nëpërmjet Serbisë, së cilës i ka dhënë mbështetje të konsiderueshme financiare, armatime, si dhe ka ndërtuar një rrjet të gjerë mediash dhe organizatash që reklamojnë dobinë e lidhjes me Moskën. Qëllimi i Rusisë, thotë “The Economist”,është i qartë: të ndalojë Serbinë, Malin e Zi,Maqedoninë dhe Bosnjën të anëtarësohen në NATO dhe të pengojë integrimin e tyre në BE.
Por çfarë po bën Shqipëria? I vetmi vend anëtar në NATO në Ballkan,përfshihet në një krizë politike që, pikësëpari, i krijon vetes pengesa në integrim drejt BE-së, njësoj sikur ta kishte bërë Rusia. Nga ana tjetër, duke qenë të angazhuar me krizën brenda vendit, politika e Tiranës,zhvendos axhendën për shqiptarët përtej kufirit që,veçanërisht në Maqedoni, janë në rrezik të madh për shkak se Rusia,e cila ka fijet e saj në qeverisjet ballkanike, po i bën ata fajtorë si njerëz që kërkojnë viktima. Vetëdija e ulët politike dhe kombëtare, për momentin kur po zhvillohet kriza e Tiranës, do të dobësonte faktorin dhe fuqinë ndikuese të shqiptarëve në rajon, pasi do të ulte besueshmërinë si partner që prodhon qetësi dhe siguri. Kjo është njësoj si të luash ruletën ruse,duke e ditur që do të mund të vetëvritesh.
Por Shqipëria nuk është ingredient i kësaj sallate ruse që Moska kërkon të gatuajë në Ballkan, ndaj edhe kriza politike e kësaj radhe duhet të marrë fund shpejt për të mos treguar, siç ka ndodhur edhe më parë në situata të ngjashme, se nuk dimë të ngrihemi në nivelin e tryezave që na thërrasin aleatët, por mbetemi ushtarë të vegjël të rrugës dhe armiq të vetes…