Integrimi, prova se kriza ka kaluar
Ngjarja më e rëndësishme që Shqipëria pret t’i ndodhë për këtë vit është hapja e negociatave për anëtarësimin nga BE. Kushti i vetëm i shumëpërfolur që e pengoi realizimin e këtij objektivi madhor ishte Reforma në Drejtësi.
Ndonëse pas një krize politike tremujore, arritja e një marrëveshje qeveri-opozitë, bëri të mundur edhe plotësimin e këtij kushti dhe institucionet e reja që do të realizojnë reformën në drejtësi kanë nisur të plotësohen.
Kryeministri Rama po e thotë me plot gojën këto ditët e fundit, se marrëveshja e arritur parashikon se për çështjen e integrimit europian zërat politikë do të jenë në unanimitet të plotë për votën pro. Nga shenjat e para të vërejtura në javën që kaloi duket se marrëveshja politike e arritur nuk lidhej vetëm me zgjedhjet, por dhe mënyrën se si dy partitë më të mëdha do t’i qasen me mirëkuptim çështjeve të rëndësishme e veçanërisht procesit të integrimit. Por, sidoqoftë, nuk duhet të kemi asnjë iluzion se kjo do të mund të zgjidhë si me shkop magjik ëndrrën europiane të shqiptarëve, dhe se paqja politike në vend do të zgjidhte të gjitha problematikat e akumuluara e për të cilat palëve do t’u kërkohen prova të vazhdueshme, sikurse edhe deri më sot.
Javën e kaluar, Federica Mogherini i thirri të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në një takim informal për t’u dhënë mesazhin se duhet të kenë besim që BE nuk do të heqë dorë nga integrimi i vendeve tona, duke nënvizuar se forca e BE-së ekziston pikërisht tek aftësia e saj për të krijuar besim te vendet aspiruese.
Por vetëm deklarata nuk mjafton. BE ka treguar, sikundër ndodhi në rastin e krizës politike shqiptare, se ajo është e impenjuar maksimalisht për t’i garantuar Shqipërisë një qetësi politike që do t’i shërbente së ardhmes. Dhe siç tregoi koha, pati angazhim me ditë dhe orë të gjata i të gjithë zërave më të fortë të BE-së. Edhe marrëveshja u arrit pikërisht në bazën e paketës perëndimore europiano-amerikane. Ky është mesazhi që duhet të marrë edhe politika shqiptare: se arritja e një marrëveshje është një gjë dhe se impenjimi për të realizuar objektivat madhorë të integrimit është një gjë tjetër. Nëse ky impenjim i vazhdueshëm do të mungojë nga të dyja palët, do të zhvleftësoheshin edhe hapat e hedhur deri në këtë moment.
Nëse ky angazhim politik për integrimin vërtetohet, do t’u shërbejë edhe shqiptarëve përtej kufirit, përmes rritjes së stabilitetit dhe marrëdhënieve të mira në rajon. Jo më kot, Mogherini i priti të gjithë liderët e Ballkanit bashkë, dhe vetëm një ditë përpara Samitit të NATO-s. Mesazhi nga të dyja këto ngjarje është i qartë: impenjimi i përbashkët është rruga më e mirë për të ngjallur besimin.
I njëjti mesazh duhet të shkojë edhe te publiku. Pas 30 ditësh, shqiptarët do t’ju afrohen kutive të votimit për të zgjedhur se si duhet dhe kush duhet ta qeverisë vendin. Megjithëse partitë politike do t’i qasen elektoratit me oferta të ndryshme, ky është rasti më i mirë për të treguar se çështjet madhore të shqiptarëve kalojnë përtej gardhit politik dhe se këto objektiva do të arrihen bashkërisht pa e përjashtuar njëri-tjetrin.
Prova e parë që politika duhet të kalojë janë zgjedhjet. Nëse Shqipëria arrin të ketë këtë herë zgjedhje të lira e të ndershme, i ka bërë shërbimin më të madh vetes, duke dhënë provën se marrëveshja politike po funksionon dhe se integrimi do të jetë një ngjarje e sigurt që varet nga ne dhe mund të ndodhë shpejt.