Fushatë “Gallatë”/ “Baftjar! Ti vërtetë je i paparë”
Pas dy javësh, shqiptarët do të zgjedhin me votë se kush do t’i përfaqësojë ata në qeverisjen e katër viteve të ardhshme.
Por a kemi vendosur në këtë mënyrë edhe se si do të jetë Shqipëria e katër viteve të ardhshme?
Si në çdo zgjedhje, edhe në këtë rast mesazhet e fushatës duhet t’i drejtoheshin këtij qëllimi. Por këtë herë ka një deviacion të madh. Me aq sa kemi parë deri tani, është e lehtë për t’u dalluar që mesazhet për elektoratin janë mbushur më shumë me politikë dhe “gallatë” dhe me pak programe qeverisjeje të plota dhe seriozitet. Ka mbetur edhe gjysma e kohës së fushatës, por të presësh që sjellja e subjekteve politike ndaj votuesit të ndryshojë dramatikisht duket humbje kohe.
Rilindja që kërkon një mandat të dytë qeverisës, është e përqendruar më shumë tek numrat në Parlament. Për të shmangur pakënaqësitë e mundshme nga mandati i parë, po justifikohet me koalicionet e detyruara, që i bllokuan reformat. Ajo premton te bëjë një ulje të lehtë të taksave (në fakt është korrigjim i gabimit që bëri më parë) dhe për CV po i tregon publikut, programin e vjetër të katër viteve më parë, kur erdhi në qeveri por që nuk mundi ta realizonte plotësisht. Stili sportiv dhe imazhet e liderit të thjeshtë , që ulet në çdo tryeze shqiptari mundohet të japin përshtypjen se qeverisja e re e socialistëve do të jetë më sociale.
Opozita e djathtë me liderin e veshur “Casual” ka disa pika të qarta për ulje të forta të taksave, duke prekur edhe kështjellën e fundit të TVSH-së (Tatimin mbi Vlerën e Shtuar). Mesazhi është më mirë një qeveri që nxit konsumin, investimet dhe punësimin përmes lehtësimit të barrës fiskale sesa qeveri që i qaset popullatës përmes mbështetjeve buxhetore me taksa të shtrënguara.
Por, për të perceptuar se si do të jetë Shqipëria dhe shqiptarët e katër viteve të ardhshme, është shumë pak.
Të gjitha subjektet kanë platforma anemike, herë-herë të paqarta, dhe që nuk prekin thelbin. Biznesi është ofruar nëpër forume gjatë kësaj kohe me mjaft ide dhe projekte konkrete. Por përveç ndryshimit të disa taksave nuk ka asnjë përgjigje tjetër se si pritet të jetë zhvillimi ekonomik i vendit, cilat janë politikat përveçse atyre fiskale, që do të mbështesin atë. Nga cilët sektorë do të vijë punësimi, sa do të jenë të ardhurat reale në fund të mandatit, ku do të jenë të përqendruar investimet publike etj. Deri tani po dëgjojmë copëza programesh por jo axhendë të plotë qeverisëse.
Por pse po ndodh kjo? Partitë në garë kanë brenda vetes aq burime dhe fushë veprimi sa të gjejnë një ofertë serioze për Shqipërinë dhe shqiptarët e katër viteve të ardhshme. Kjo më parë ka ndodhur por nuk po ndodh tani.
Përgjigja lidhet me mënyrën sesi mbërritëm deri tek kjo fushatë dhe së dyti se kush e ka përcaktuar axhendën e saj.
Kjo fushatë erdhi si epilogu i një krize politike që u luajt me shumë porta, por që në fund u zgjidh me një marrëveshje shpresëdhënëse. Paqja e paracaktuar në qershor i ka relaksuar dy partitë më të mëdha sa duket se edhe rezultati është i paracaktuar. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që një demokrat të buzëqeshë në mitingjet e PS e një socialist të bëjë ‘Like’ liderin demokrat. Kjo nuk është gjë e keqe, por tregon se qasja e elektoratit ndaj partive në këtë fushatë po bëhet nga këndvështrimi politik dhe jo programor.
Ndryshe nga çdo fushatë tjetër forma më e përhapur e komunikimit më elektoratin janë rrjetet sociale. Kjo nuk po ndodh për herë të parë vetëm në Shqipëri. Komunikimi online u bë formë përcaktuese e fitores në SHBA dhe Francë, së fundmi. Mirëpo nëse shkojmë se çfarë publiku qëndron pas rrjeteve sociale, ne bëjmë dallim.
Sot në kënga me e pëlqyer nga shqiptarët në Youtube, është kënga e Baftjarit. Ky personazh i humorit grotesk që rrëmbeu pëlqimet e shqiptarëve erdhi edhe përmes një kënge ahengu duke marrë mbi 8.5 milion klikime, ose më shumë se albumi i fundit i Leonard Cohen “You want it darker” me rreth 7 milion klikime, apo më shumë se baladat e Bob Dilan!! Po a mund ta krahasojmë Baftjarin, simbolin e qejfit dhe gallatës, me legjendat Dilan e Cohen, dhe aq më keq t’i vëmë në garë për pëlqime. Ne shqiptarët e bëjmë këtë dhe fitojmë edhe pse në numër jemi shumë më pak se gjithë bota, pasi mënyra se si ne i pëlqejmë gjërat na bën dominues, ndaj Bafjtari ka sot më shumë klikime.
Politizimi i skajshëm dhe sensi i shqiptarëve për t’u familjarizuar me problemet u kuptuan nga ekipet e PR të partive ndaj ato në fushatën e këtij viti e kanë mbështetur tek forma dhe jo thelbi duke na diktuar axhendën e tyre dhe jo tonën.
Siç edhe thotë kënga, “Baftjari është vërtetë i paparë” për fuqinë artistike që ka për të treguar se sa është bjerrë shteti që kemi ndërtuar, ndaj pikërisht në këtë fushatë nuk duhej bërë gallatë, por gjërat duhen marrë seriozisht. Shyqyr që Baftjari nuk është në garë, se ndryshe ai në këtë fushatë do të fitonte duke na vënë njollën turpit të gjithëve.
Ndaj urimi ynë plot shpresë është që shqiptarët të shkojnë tek kutia e votimit me mendje të ftohtë e të zgjedhin politikën që punon për mirëqenien e tyre, interesin kombëtar në rajon, duke evituar daljen fitues të “Baftjarëve”.