Gëzuar Vitin e Peshkut!
Ky vit që po vjen do të jetë viti i peshkut. Në Shqipëri thonë sedo të mbushet plot tigani. Deri tani janë kapur ca të vegjël. Këtë vit të ri që do të vijë, menuja e drejtësisë thonë se do të mbushet me të mëdhenjtë. Këtë na e tha Donald Lu i ambasadës amerikane. Na e kërkoi edhe Bashkimi Europian. Edhe politika, gjerë e gjatë,ka folur këtë vit, për peshq të mëdhenj që ende nuk i ka zënë rrjeta.
Nëse kjo do të ndodhë, ky lloj peshku i shoqërisë shqiptare është i rrallë, që simbolin e tij nuk e gjen në asnjë Yjësi tjetër. Në Astrologji, shenja e peshkut lidhet me njerëzit kreativë, që nuk rendin pas parasë. Në Shqipëri, peshku i drejtësisë ka lakmi pas pushtetit dhe ushqehet çdo ditë me korrupsion. Aq i madh është sa del e tepron për tryezën e shqiptarëve. Në fakt nuk do të ishte keq që sikur gjelin e detit, simbol të festës së fundvitit, ta zëvendësonim për ca kohë me peshkun e premtuar.
Populli është përgatitur dhe po pret se çfarë do të ndodhë vitin tjetër. Apo të ndodhë çfarë të ndodhë, ne po e vendosim njëherë tiganin në zjarr.
Meqë ra fjala, sa do ta ketë çmimin ky peshk i madh që presim të bjerë në karremin e drejtësisë në vitin 2018?
Të jetë sa të dojë! Ia vlen që këtë fundviti të ngrihet një dolli e fundit për të! Gëzuar shqiptarë, gëzuar Vitin e Peshkut të Madh!