Budallenjtë e integrimit
Megjithëse kemi një datë konkrete për hapjen e negociatave në qershor të vitit tjetër, që është më mirë se një JO e parashikuar që të ndodhte me gjasë, vendimi i fundit sërish nuk u pa se zgjoi optimizëm te shqiptarët.
Ajo çfarë ndodhi këtë javë ishte një debat bosh në Kuvend ku të dyja palët, mazhoranca dhe opozita, i luteshin Zotit kundrejt njëra-tjetrës, sepse kishte krijuar kaq “budallenj” që nuk e kuptonin se Brukseli tha as Po, as Jo. Ndoshta dhe kanë të drejtë, se më herët, para vendimit, BE e kishte paralajmëruar që për Shqipërinë duhet gjetur një mënyrë e butë, për t’i thënë që nuk është ende gati.
Që në Samitin e Sofjes, disa javë më parë, në deklaratën e përbashkët munguan fjalët zgjerim dhe integrim dhe u këmbyen me fjalët strategji e sigurisë, ekonomi dixhitale dhe investime.
Dhe, në ditët e fundit, të ethshme, u pa qartë se BE zgjodhi një vit tranzitor për Shqipërinë (së bashku me Maqedoninë, por për të tjera arsye) për disa rrethana që lidheshin brenda saj.
Kriza europiane, e mahisur nga refugjatët, i frikësoi vendet anëtare se mosvendimi për zgjerim do të rriste krahun populist, kundërshtarë të Unionit dhe kjo do të përcillet në humbje votash vitin tjetër. Nga ana tjetër, brenda BE-së, u formësuan dy blloqe (që për fatin e Shqipërisë ishin me shumë Pro) dhe nga droja se do të shfaqeshin të përçarë, pikërisht në momentin më të dobët, Unioni vendosi befasisht të dalë me një qëndrim të përbashkët, që i jepte një vit kohë vetes për të marrë frymë, por dhe vendit tonë horizont më të qartë.
Nga ana tjetër, kancelarja Merkel, e cila po kundërshtohet edhe nga të sajtë dhe akuzohet për dëmtim të Europës, për shkak të qëndrimit që mbajti ndaj krizës së refugjatëve, nuk mund ta pranonte humbjen dhe udhëhoqi fuqishëm bisedimet për të bindur palët për një shans më konkret për Shqipërinë.
Shqiptarët nuk janë aq larg Brukselit sa të mos e shikojnë dhe kuptojnë arsyen e kësaj përgjigje të butë ndaj kërkesës së tyre për hapjen e negociatave, që në këtë moment ishte çështje koniunkturash, por edhe një sjellje xhentëlmeni, që njeh përpjekjet të tyre deri tani. Siç edhe vlerësonte Samiti i Sofjes në një “note paper” që nuk publikohet, por doli në dritë nga mediat, vendi ynë ka probleme të mëdha me korrupsionin, krimin, shtetin dhe vuan nga ekonomia e dobët.
Këto çështje nuk ezaurohen aq shpejt, madje nuk ka as shembuj konkretë siç kërkon me këmbëngulje BE. Ndaj, ashtu siç shkruan “The Economist” (lexo në brendësi shkrimin kryesor) Ballkani Perëndimor, mes tyre Shqipëria, duhet të presin, pasi thelbi i problemit të tyre lidhet me demokracinë, që nuk funksionon dhe mungesën e shtetit të së drejtës.
Por politikanët që akuzojnë njëri-tjetrin për budallenj mbase kanë të drejtë që nuk po e kuptojnë se, edhe kur përfitohet nga rrethanat, për të realizuar një objektiv strategjik dhe madhor sa integrimi, kërkohet energji e përbashkët dhe punë e përditshme dhe nuk është çështje merite. Shqiptarët e kanë kuptuar këtë, ndaj nuk i gëzohen dot një lajmi pozitiv, sado i vogël të jetë në raport me pritshmëritë, ndaj çdo ditë i luten Zotit të lërë budallenjtë në budallallëkun e tyre se, ma sa duket, nuk po dinë se ç’po bëjnë.