Kush tha që shqiptarët nuk protestojnë?
Anketa Europiane e Cilësisë së Jetës, e hartuar nga Komisioni Europian (e publikuar nga Revista Monitor) tregoi së fundi se shqiptarët ishin popullata me pjesëmarrjen më të ulët në protesta, mes vendeve që aderojnë në BE dhe ndër vendet e fundit krahasuar me shumicën e vendeve të Unionit.
Sipas raportit, vetëm 2% e të anketuarve thanë se kanë marrë pjesë në protesta në 12 muajt e fundit.
Ndërkohë që shkruajmë këtë editorial, në Rumani ende po zhvillohen protesta masive. Rumunëve iu ka ardhur në majë të hundës me korrupsionin e lartë që ka përfshirë gjithë klasën sunduese dhe pothuajse të gjitha fushat.
Për të mbrojtur veten, partia në pushtet ka ndërmarrë një sërë përpjekjesh, për të ndryshuar legjislacionin gjyqësor, mirëpo qytetarët rumunë panë se ajo po tenton edhe kapjen e shtetit dhe vendosjen e kontrollit mbi drejtësinë. Kjo i ka acaruar edhe më keq ata, në ndihmë të të cilëve erdhi edhe diaspora.
Pa hyrë në analiza edhe më të detajuara, tabloja në Rumani dhe problemet me drejtësinë, korrupsionin dhe me demokracinë në përgjithësi, janë të ngjashme me Shqipërinë.
Po ku ndryshojmë ne që, sipas raportit të KE, duket sikur protestojmë më pak, edhe pse jemi më të varfër se rumunët e nuk jemi as në BE? Megjithëse shifra është e vogël, kjo nuk do të thotë se shqiptarët nuk dinë të protestojnë dhe nuk e kanë shpirtin e protestës. Thjesht ne kemi mënyrën tonë të protestës: atë të braktisjes së këtij vendi me pakënaqësinë më të madhe ndaj klasës politike, njësoj si në fillimet e demokracisë. Herë pas here, me shifra kemi treguar se sa është rritur numri i emigrantëve.
Së fundi, edhe sondazhi i CRCA Shqipëri dhe ANYN (Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri) ka treguar se 70% e të rinjve kërkojnë të emigrojnë drejt BE-së, ndërkohë që shtesa biologjike e popullatës po bie gjithnjë e më shumë (lexo në monitor.al).
Por, pse ndodh kjo? A nuk mund të protestojmë më parë për t’i bërë gjërat më mirë, përpara se të bëjmë veprimin drastik dhe të dhimbshëm për t’u larguar?
Ndryshe nga rumunët, ne shqiptarëve duket se na kanë rrëmbyer me koncesion edhe protestën. Gjatë gjithë historisë sonë të re të demokracisë, në shumicën e herëve, protestat kanë ndodhur kur ka pasur ngërçe politike, megjithëse mund të kishin një background të fortë ekonomik e social dhe qëllimi i tyre ka mbetur vetëm objektivi afatshkurtër i politikës. Ose ka pasur protesta, si kopje e shëmtuar e protestave që ndodhnin në të njëjtën kohë diku në ndonjë vend tjetër.
Ndaj, shpesh kemi vënë re se ka munguar kauza, edhe pse kauza në këtë vend mund të gjesh plot, ndërkohë që përftimet prej protestave nuk shkonin për njerëzit, por për udhëheqësit. Më pas, shtresat janë tradhtuar nga partitë e ardhura në pushtet dhe këtë e tregon rritja gjithnjë e më shumë e korrupsionit, përqendrimi i pasurisë dhe ritmi i ngadaltë i ringritjes.
Shqiptarët duket se kanë frikë të protestojnë, nga frika se mos përdoren.
Duken si të mpirë dhe pa forcë reagimi, ndaj kanë zgjedhur prej kohësh një rrugë tjetër më të fuqishme, më pak të ekzibicioniste, atë të largimit, por ama ka filluar që tani të tundë kambanat e alarmit për pasojat negative që do të ketë.