Ministria e Bujqësisë ka hapur garën për aktivitetin e akuakulturës në 56 liqene, rezervarë dhe laguna në të gjithë vendin.
Gara, e cila zhvillohet duke marrë në konsiderate ligjin e ri të peshkimit, synon që të japë asetet me tender, ku subjektet konkurruese do t’i nënshtrohen garës. Në këtë mënyrë synohet që peshkimi të bëhet në mënyrë të kontrolluar pa dëmtuar akuakulturën dhe gjithashtu sektori të formalizohet në mënyrë të plotë.
Rezervuarët që kanë dalë në tender, për të zhvilluar mbjelljen dhe vjeljen e peshkut, shtrihen në të gjithë vendit. Ndër ta është edhe laguna e Orikumit dhe Liqeni i Ulzës.
Operatorët që do të marrin pjesë në garë do të vlerësohen me 40 pikë për nivelin e investimit, me 40 pikë të tjera për teknologjinë e projektit dhe 20 pikë për nivelin e punësimit. Zarfat me ofertat do të hapen me 14 shkurt.
Dokumentacioni që subjektet konkurruese, duhet të paraqesin, është si me poshtë:
- a) kërkesa për zhvillimin e aktivitetit të akuakulturës në objektin ujor të shpallur për konkurim;
- b) regjistrimin në QKR për objektin e veprimtarisë se bashku me ekstraktin historik;
- c) plan biznesi për zhvillimin e veprimtarisë;
- d) projekti teknik, teknologjik; e) të dhëna për nivelin e investimit;
- f) të dhëna për nivelin e punësimit;
- g) vetëdeklarim se projekti përputhet me kërkesat mjedisore të zonës në fjalë;
- h) vërtetim nga organet tatimore që subjekti në fjalë nuk ka detyrime tatimore;
- i) vërtetim se subjekti ka aplikuar pranë strukturave mjedisore për t’u pajisur me leje mjedisore (vetëm për rastet e akuAkulturës intensive); j) deklaratë mbi Konfliktin e Interesit.
Gjithashtu Dokumentacioni i veçantë që paraqesin pjesëmarrësit në konkurrim për çdo kategori ujore kërkon që të bëhet vlerësimi i specialistit të fushës nëpërmjet CV profesionale, ku tё tregohet kualifikimi dhe përvoja nё fushёn e peshkimit dhe akuakulturës, garancia financiare, e mjaftueshme për përballimin e investimeve të parashikuara në plan-biznes etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.