Pranverë dehëse në Holandë
Në pranverë, Holanda është një prej tablove më të bukura shumëngjyrëshe në botë. Mesi i muajit mars është periudha ideale për t’u mrekulluar nga çelja e pjesës më të madhe të tulipanëve.
Të gjitha ngjyrat e pranverës
Në këtë periudhë, Holanda mbase është në ndër vendet me më shumë ngjyra në të gjithë Europën. Të parët që çelin janë crocus-it dhe pas tyre tulipanët të llojeve dhe ngjyrave nga më të ndryshmet.
Vizitë në Keukenhof
Keukenhofi është një prej vendeve që nuk mund të lihet pa u vizituar. 32 hektarë të mbushura plot e përplot me tulipanë të ngjyrave dhe llojeve të ndryshme. Numri i luleve të mbjella këtu shkon deri në 7 milionë lule.
Sfilatë lulesh
Çdo 3 maj zhvillohet sfilata e kompozimeve nga më të ndryshmet, ku elementi kryesor është tulipani por edhe lloje të tjera lulesh. Ajo zhvillohet nga Noordeijk në Haarlem dhe në të marrin pjesë një numër i madh artistësh së bashku me veprat e tyre artistike të lëvizshme.
Tregu i luleve në Amsterdam
Të gjithë ata që i adhurojnë lulet dhe sidomos tulipanët e Amsterdamit, nuk mund të mos vizitojnë një prej tregjeve më të famshëm të këtij qyteti po me të njëjtin emër.
Nga Hoorni në Medemblik, trami turistik me avull
Për të gjithë të pasionuarit e kulturës dhe historisë holandeze këshillohet që të vizitoni tramin me avull që kalon në qytete antike si Hoorn, Medemblik, Enkhuizen dhe gjatë rrugës të njiheni edhe me historinë e tramit me avull.
Dita e Mbretit
Që prej vitit 2014 në Holandë, më 27 Prill festohet “Dita e Mbretit” dhe jo “Dita e Mretëreshës” që festohej më përpara. Të gjithë njerëzit, në qytete dhe në fshatra, në këtë ditë vishen me portokalli në nder të familjes mbretërore. Në të gjithë vendin, gjatë kësaj dite, mund të gjeni tregtarë të cilët shesin produkte nga më të ndryshmet dhe me çmime të ulëta. Si pjesë e kësaj tradite, familja mbretërore viziton një ose dy qytete holandeze, prandaj nëse jeni me fat, mund t’i shikoni ata nga afër.
Pranverë në ishullin e Texelit
Qengja që lodrojnë në hapësirat e gjelbra gjigante, fusha të tejmbushura me lule të ndryshme dhe plazhe të mrekullueshme, të gjitha së bashku mund të gjenden vetëm në ishullin e Texelit në Holandë.
Edhe për këtë ishull, periudha më e mirë për ta vizituar është pranvera, zonë në të cilën dielli ndriçon më shumë në krahasim me vende të tjera të Holandës.
Në këtë ishull është shumë e zhvilluar edhe kulinaria tradicionale, ku gatimet do të jenë një surprizë e vërtetë dhe një arsye më shumë për ta vizituar sërish këtë ishull holandez.
Pashkët në Holandë
Nëse do ta vizitoni Holandën gjatë periudhës së pranverës ju do të keni kënaqësinë të jeni pjesë e atmosferës fantastike që krijohet këtu me rastin e festës së Pashkëve.
Në kërkim të arit të bardhë
Atmosfera e Limburgos nuk mund të shijohet më mirë sesa gjatë pranverës. “Ar i bardhë” ose “ Mbreti i perimeve” janë disa nga epitetet që i janë vendosur asparagut, i cili gjatë mesit të muajit prill mblidhet dhe konsumohet në sasi të mëdha sepse këtu mund të gjendet asparagu më i mirë jo vetëm në Holandë por edhe në botë.
Të zbulosh Holandën me biçikletë
Biçikleta është mjeti ideal për të udhëtuar dhe për ta zbuluar të gjithë Holandën. Gjithashtu biçikleta është mjeti i transportit më i përdorur, duke e shndërruar atë në vendin ku numri i biçikletave është më i lartë se ai i banorëve.