AKEP duhet të zbatojë vendimin e vet dhe duhet të kishte filluar rregullimin e tregut sipas standarteve të BE-së. Ofertat e reja duhet të kenë të njëjtën sasi minutash brenda me jashtë rrjetit. Përfitime për abonentët që s’do mbajnë më nga 3-4 celularë. Gjoba nga AK ose AKEP në rast të moszbatimit të vendimit
Tregu i telefonisë celulare pritet të ndryshojë rrënjësisht gjatë vitit 2015 pasi do të marrë fund fenomeni i diferencave të mëdha mes tarifave brenda me jashtë rrjetit që i kishte detyruar shqiptarët të mbanin nga dy tre aparate celulare për të komunikuar me njëri-tjetrin.
Sipas vendimit të AKEP 2522 të datës të 6.11.2014, operatorët celularë që nga data 1 janar 2015 ndalohet të aplikojnë tarifa në nivel me pakicë, që kanë efekt diskriminues për sipërmarësit e rrjeteve të tjera celulare kombëtare. Ky rregullim parashikon që tarifat e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare nuk duhet të jenë më të larta se tarifat e thirrjeve brenda rrjetit si dhe sasia e minutave brenda rrjetit të përfshira në oferta/pagesë fikse të paketave tarifore nuk duhet të jetë më e madhe se sasia e minutave drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare.
Burimi: AKEP
Siç mësojmë nga burime brenda AKEP, këto masa rregulluese të vendosura nga AKEP në nëntor të vitit të kaluar për tregun e telefonisë celulare janë kontestuar me një ankim administrativ nga shoqëritë që preken nga zbatimi i tyre (AMC dhe Vodafone), ndërsa janë përshëndetur publikisht nga kompanitë më të vogla Eagle Mobile (AlbTelecom) dhe PLUS. Në fakt, aplikimi i tarifës së terminimit (shumicës) midis operatorëve nuk ka efekt tek abonentët, pasi ai zbatohet në veprimet financiare (faturimin) midis vetë operatorëve celularë, ndërsa aplikimi i barazimit të çmimeve për minutat kombëtare e brenda rrjetit pritet të ketë ndikim në konkurrencën në treg dhe abonentët finalë, duke shtuar opsionet në treg dhe duke sjellë si rezultat rritjen e konkurrencës në treg dhe përfitimet për ta.
Nga po të njëjtat burime bëhet me dije se do të jetë e vështirë që AKEP të ndryshojë qëndrim pas një ankimi të radhës, aq më tepër që vjen në këtë ditë, në zbatim të dy Rezolutave tepër të qarta të Parlamentit (ajo për AKEP dhe për AK) në lidhje me këtë treg edhe pas një Analize Tregu të gjatë e të thellë, gjatë së cilës u konsultuan disa herë operatorët për të marrë objeksionet e tyre, (burimet konfirmojnë për “Monitor” se është normale që të ketë ankimim pas një vendimi të AKEP, pasi operatorët janë të ndjeshëm ndaj akteve të rregullimit e aq më tepër ndaj një akti të tillë ku cenohet profitabiliteti i tyre në dobi të konsumatorit dhe është po aq normale që AKEP të insistojë në qëndrimin e tij, që është në radhë të parë për një treg në funksion të konsumatorit e të konkurrencës së lirë në të).
Mijëra minuta falas brenda kompanisë dhe pagesa jashtëzakonisht të larta(rreth 30 lekë/min) jashtë rrjetit kishin krijuar “fiset/tributë” (efektin e njohur “club”) brenda kompanive duke u bërë një pengesë për konkurrencën dhe zhvillimin e tregut të telefonisë celulare. Deri në dhjetor të vitit 2013, në Shqipëri mbi 97 për qind e thirjeve dhe mesazheve për kompanitë e mëdha kryheshin brenda rrjetit, një shifër e krahasueshme vetëm me vendet e botës tretë, si Kenia apo Tanzania.
Për këtë arsye numri i abonentëve në Shqipëri arriti në 5.62 milionë, një shifër dy herë më e lartë (200%) se ajo e popullsisë totale dhe të paktën 4 herë më e lartë se e abonentëve potencialë të telefonisë celulare(duke hequr popullsinë deri në 14 vjeç dhe moshat e mëdha mbi 80 vjeç).
AKEP dhe Konkurrenca vunë re se tarifat në vendet e rajonit me zhvillim dhe madhësi të ngjashme me Shqipërinë, në ekonomi dhe sektor celular tregojnë se nuk ka dallime të ndjeshme në tarifa on-net/off-net dhe tarifat standarde janë shumë më të ulëta se në Shqipëri.
Barazohen minutat brenda me jashtë rrjetit
Kjo masë pritet të ndryshojë në mënyrë thelbësore ofertat aktuale të kompanive celulare ku vihen re diferencime të tarifave dhe minutave brenda me jashtë rrjetit (psh për një ofertë mujore 1000 lekë jepen 30 minuta kombëtare (jashtë rrjetit) me 3 000 minuta brenda grupit).
Me fillimin e zbatimit të vendimit të AKEP minutat e ofruara në ofertat javore ose mujore brenda rrjetit do të jenë të barabarta me minutat jashtë rrjetit. AKEP është treguar i kujdesshëm që masat detyruese të zbatohen për të gjitha paketat tarifore standarte, ofertat, shportat, opsionet dhe skontot të ofruara për pajtimtarët.
AKEP sqaron se detyrimi për aplikim të tarifave të njëjta me pakicë on-net/off-net nënkupton që edhe ofertat/shportat/opsionet apo skontot në tërësi duhet të kenë nivel të njëjtë on-net/off-net: tarifa dhe/ose sasi minutash të përfshira në ofertë/pagesë fikse. Aplikimi i detyrimit të mësipërm është i drejtpërdrejtë, i thjeshtë dhe më efikas dhe më proporcional se lidhja e tarifës së terminimit me tarifen mesatare on-net.
Detyrimi i mësipërm, pra, përfshin detyrimin që operatorët të mos bëjnë dallim në minutat e përfshira në oferta, nëse ato janë on-net apo off-net. Kjo do të reduktonte numrin e ofertave që janë të fokusuara për konsum on-net si dhe në total numrin e ofertave, pasi operatorët do të duhet të jenë më racionalë me ofertat.
Ky ndryshim i politikave tregtare do të sjellë një evolucion dhe dinamikë konkurruese në tregun e telefonisë celulare, një reformë e domosdoshme për të përafruar standardet e tregut të komunikimeve elektronike me tregun e përbashkët evropian.
Sipas masave të AKEP tarifat e terminimit celular në periudha afatgjatë do të shkojnë drejt kostos mesatare afatgjatë për të ridimensionuar tregun e dominuar aktualisht nga një kompani drejt një tregu konkurrues dhe me shumë përfitime për abonentët. Ky është viti i ndryshimeve thelbësore dhe rrënjësore në këtë treg, të ngjashme me reformat ndaj ndërtimeve pa leje për t’i dhënë fund favorizimeve të monopolizuesve të tregut dhe kjo reformë masash rreguluese e AKEP duhet të përfundojë deri në janar të vitit të ardhshëm.
Brenda Janarit operatorët duhet të dorëzojnë ofertat në AKEP
Masat rregulluese të AKEP janë detyruese për operatorët celularë, duke filluar aplikimin e tyre nga data 1 janar 2015 për të dhënë kohën e mjaftueshme për operatorët celulare të kryejnë ri-koonfigurimin e paketave tarifore dhe ofertave/paketave opsionale. AKEP do konsiderojë edhe përfshirjen e tyre në rregulloren për publikimin e tarifave (rregullore nr.27, date 21.09.2012) dhe aplikimin edhe për sipërmarrës të shërbimeve të tjera të komunikimeve elektronike.
Njëkohësisht, për shkak se detyrimet e mësipërme mund të anashkalohen përsëri, duke përdorur oferta shumë të ulëta, AKEP propozon që të vendosë detyrime për operatorët celulare për sa i përket rishikimit të tarifave të planeve standarde dhe përdorimit të ofertave.
Sipas vendimit të AKEP, secili operator celular duhet që në muajin Janar të çdo viti të paraqesë në AKEP tarifat e planeve standarde dhe ndryshimet e kryera në vitin paraardhës ofertat/promocionet apo skontot e përkohshme në tërësi.
Këto oferta duhet të kenë afat vlefshmërië të përcaktuar qartë që në fillim të aplikimit dhe jo më të gjatë se 3 muaj si dhe operatori nuk duhet të paraqesë të njëjtën ofertë me emër të ndryshuar kur elementi kryesor i saj nuk ka ndryshuar. Skontot ne oferta që zgjasin më shumë se 3 muaj duhet të përfshihen në paketat/tarifat standarde.
Në këtë mënyrë pritet një rregullim i tregut dhe konsolidimi i planeve tarifore dhe ndryshimi i qartë me ofertat, të cilat aktualsiht duket se zgjasin pafundësisht dhe i detyrojnë konsumatorët të komunikojnë me tre-katër celularë, sipas rrjetit ku drejtohet thirrja.Në vitet e fundit, tregu shqiptar i telefonisë ka qenë një përjashtim nga trendet e zhvillimit të këtij lloj tregu në vendet e Bashkimit Europian dhe vendet e rajonit dhe ka një konsensus të përgjithshëm mes ekspertëve që ky treg është i dominuar nga një ose dy kompani, duke përdorur pikërisht këtë fenomenin e “klubit apo grupit”. Tregje me këtë shkallë të lartë përqendrimi dhe dominimi hasen rrallë në botën e zhvilluar dhe mjaft ekspertë të telekomunikacionit dhe konkurrencës e krahasojnë tregun shqiptar me tregje afrikane si Kenia (ku tregu dominohet nga një operator i vetëm) ndërkohë që mungesa e konkurrencës është evidente dhe operatorët dominantë të tregut kanë shënuar norma fitimi (EBITDA) që kanë arritur deri në rreth 70% të xhiros, duke zbatuar tarifa shumë të larta për thirrjet kombëtare jashtë rrjetit dhe duke përjashtuar konkurrencën nga tregu.
Masat e marra nga AKEP synojnë të kenë një afat zbatimi që të lejojnë një balancim të tregut nga situata alarmante antikonkurruese në të cilën rezulton sipas analizës që ekspertët e vlerësojnë të jetë midis 2-3 vjet. Pas kësaj periudhe pritet që tregu do të ketë marrë një format të ngjashëm me ato europiane me më shumë përfitime për konsumatorët dhe një ambient më konkurrues për operatorët (kjo do të sjellë ndoshta edhe norma më të ulëta fitimi për ta sesa kanë rezultuar në një situatë të bllokuar në aspektin e konkurrencës).
Në terma më të thjeshtë për abonentët, masat synojnë që klienti të mos ketë frikë të flasë jashtë rrjetit, pasi synimi i rregullatorit AKEP është zhvillimi i një tregu të qëndrueshëm, konkurrent dhe eficient nëpërmjet masave që detyrojnë operatorët që të mos mbyllë klientët brenda “burgut” rrjetit (si fiset tribu) dhe që minutat kombëtare të mos jenë një “ofertë speciale” për abonentët, por një “ofertë standarde bazë” si në të gjitha vendet e BE-së.
Rregullimi i tregut sipas Konkurrencës dhe Kuvendit
Që në janar 2014, Autoriteti i Konkurrencës (AK), pas hetimit njëvjeçar të tregut për abuzim me pozitën dominuese të Vodafone Albania, doli me vendimin nr. 303, datë 16.1.2014, ku rekomandonte që Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) të merrte masa të menjëhershme në rregullimin e tregut të telefonisë mobile dhe konkretisht (i) të detyrojë zvogëlimin real të diferencës së tarifave off-net/on-net brenda dhe jashtë paketave dhe planeve tarifore specifike për operatorët që kanë pozitë dominuese, (ii) të ulë ndjeshëm koston e terminimit për operatorët e vegjël ndaj operatorëve të mëdhenj në këtë treg, me qëllim nxitjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në tregun përkatës si dhe (iii) të kryejë analizën e tregut.
Çështja u bë objekt diskutimesh mes dy autoriteteve (AKEP dhe AK) dhe u shoqërua me disa masa të ndërmjetme të marra nga AKEP si mjete paraprake për të adresuar sadopak situatën alarmante me aspektin e konkurrencës. Në vijim të zhvillimeve në këtë treg, më 19 qershor 2014, Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën për “Vlerësimin e veprimtarisë së AKEP për vitin 2013, ku ndër të tjera i ka kërkuar këtij autoriteti: (i) të kryejë analizën e tregut të telefonisë celulare, duke analizuar në mënyrë të veçantë dominancën në treg dhe të marrë masat e duhura në rast të konstatimit të abuzimeve me këtë dominancë, (ii) të mbajë në mbikëqyrje të vazhdueshme situatën e dominancës në treg, sipas edhe rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës; (iii) të kryejë rishikimin e tarifave të terminimit të thirrjeve në rrjetet e sipërmarrësve të telefonisë së lëvizshme, duke marrë parasysh edhe shqetësimet e Autoritetit të Konkurrencës për zhvillimin e këtij tregu si dhe (iv) të angazhohet në mënyrë të vazhdueshme për të garantuar kushtet e një konkurrence të ndershme dhe mosdiskriminuese, si dhe në rritjen e fleksibilitetit, efektivitetit dhe transparencës së ofrimit të shërbimeve, për mbarëvajtjen e tregut të komunikimeve elektronike dhe postare.
Në vijim të rezolutës, AKEP draftoi analizën e tregut të telefonisë celulare, material i cili u konsultua gjerësisht me operatorët celularë. Në datën 6.11.2014, AKEP, pas konsultimeve me palët e interesit, rikonsiderimit të të gjithë objeksioneve të tyre dhe analizës së përsëritur të situatës, konludoi me vendimin nr. 2522- 6.11.2014 “Mbi miratimin e dokumentit të analizës së tregut të telefonisë celulare”, sipas të cilit, operatorët celularë, që nga data 1 dhjetor do të duhet të aplikonin tarifa të reja shumice midis tyre dhe nga data 1 janar 2015 do të hynte në fuqi ndalimi për të aplikuar tarifa në nivel me pakicë që kanë efekt diskriminues për abonentët e rrjeteve të tjera celulare kombëtare. Ky rregullim parashikon që tarifat e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare nuk duhet të jenë më të larta se tarifat e thirrjeve brenda rrjetit, si dhe sasia e minutave brenda rrjetit të përfshira në oferta/pagesë fikse të paketave tarifore do të jetë e njëjtë me sasinë e minutave drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare.(e thënë me fjalë të thjeshta, kjo do të thotë se nuk do të ketë dallim midis minutave “brenda klubit/grupit” apo “brenda rrjetit të operatorit” dhe minutave “kombëtare”, duke e çliruar tashmë klientin nga frika e thirrjes jashtë “klubit/grupit” apo rrjetit të caktuar celular, pasi tarifat do të jenë të njëjta).
Gjobë nga AKEP ose Konkurrenca në rast të moszbatimit të masave
AKEP do të monitorojë me kujdes zbatimin e këtyre masave për mos-diskriminim nga operatorët dhe në rast mos-zbatimi do të aplikojë përcaktimet e ligjit 9918 për shkeljet e kryera. AKEP njëkohësisht do të bashkëpunojë edhe me Autoritetin e Konkurrencës, në bazë të përcaktimit të nenit 61 të ligjit 9918 “Kur AKEP-i, me nismën e vet, ose nëpërmjet njoftimit nga sipërmarrës të tjerë apo palë të tjera të interesuara, gjykon se sipërmarrësi me fuqi të ndjeshme në treg po abuzon me pozitën e tij, e parashtron rastin përpara Autoritetit të Konkurrencës, duke i kërkuar fillimin e procedurave përkatëse ligjore”.
Mos-zbatimi nga operatorët i detyrimeve të vendosura për mos-diskriminim në tarifa/skonto/oferta të thirrjeve/SMS-ve on-net/off-net, do të konsiderohet sjellje abuzive me pozitën dominuese (FNT) në terminimin e thirrjeve.
Në këtë mënyrë ligjet respektive të rregullimit të tregut dhe konkurrencës parashikojnë që moszbatimi i masave rregulluese mund të ndëshkohet me gjobë nga AKEP ose Autoriteti i Konkurrencës ose nga të dyja institucionet.
Ky bashkëveprim mes dy institucioneve pritet ta sjellë tregun në binarë të një zhvillimi të qëndrueshëm dhe të krijojë frymëmarrje për hyrësit e rinj në treg, më shumë përfitime për konsumatorët në një klimë më konkurruese që gjeneron pjesë tregu mbi bazën e meritës dhe garës mes kompanive.
Burimi: AKEP
Kur AKEP-i, me nismën e vet, ose nëpërmjet njoftimit nga sipërmarrës të tjerë apo palë të tjera të interesuara, gjykon se sipërmarrësi me fuqi të ndjeshme në treg po abuzon me pozitën e tij, e parashtron rastin përpara Autoritetit të Konkurrencës, duke i kërkuar fillimin e procedurave përkatëse ligjore.
Mos-zbatimi nga operatorët i detyrimeve të vendosura për mos-diskriminim në tarifa/skonto/oferta të thirrjeve/SMS-ve on-net/off-net, do të konsiderohet sjellje abuzive me pozitën dominuese (FNT) në terminimin e thirrjeve.
Qëndrimet e operatorëve:
Albtelekom: masat zgjidhin problemet e konkurrencës
Albtelecom mendon se masat e propozuara nga AKEP në dokumentin e analizës për tu vendosur në tregun me shumicë të gërshetuara me masat e propozuara në tregun me pakicë të telefonisë celulare janë instrumentat rregullatore të duhur/të gjetur (konsideruar edhe nga praktikat europiane si mekanimat e duhur rregullatore) për të adresuar problematikën e diferencimit të çmimeve on-net/off-net.
Efektiviteti i këtyre masave të propozuara, në zgjidhjen e problemeve të konkurrencës në telefoninë celulare është ngushtësisht i lidhur me aplikimin korrekt dhe garantimin e përmbushjes së tyre veçanërisht nga dy operatorët më të mëdhenj në treg.
Vodafone: Masa e papërshtatshme dhe e pajustifikuar
Vodafone Albania ripërsërit qëndrimin e saj se AKEP nuk duhet të marrë asnjë mase për ndërhyrje në tregun e pakicës, përfshirë këtu moszbatimin e masave të propozuara përgjatë këshillimit.VA gjykon se AKEP duhet të ndryshojë qëndrimin mbi diferencimin e tarifave pasi jo detyrimisht është negativ. Në kushtet kur diferencimi nuk ekziston më, ateherë çdo masë e propozuar në këtë drejtim është e papërshtatshme dhe jo e justifikuar, perfshirë atë që AKEP ka hedhur për sugjerim.
AMC: kundër çdo mase për rregullimin e ofertave
AMC është kundër nje kufizimi apo rregullimi të mënyrës së aplikimit të ofertave promocioneve që bëjnë operatorët me qëllim rritjen e përdorimit të paketave standarde dhe përfitimeve nga paketat/tarifat standard; rishikimit të tarifave të planeve standarde dhe përdorimit të ofertave, pasi paraqitja e të gjitha ofertave retail në AKEP është kryer dhe kryhet rregullisht nga ana AMC, si dhe në sistemin on line të raportimeve të AKEP, në të cilin publikohen të gjitha llojet e ofertave që hidhen në treg, çdo lloj ndryshimi që bëhet në këto oferta, në lidhje me skadencën e ofertës apo ndryshime të tjera në çmime apo në skontot e kryera.
Për sa i përket detyrimit të mos-diskriminimit të brendshëm i përfshirë si detyrim në nivel shumicë, AMC e gjykon si masë të tepërt, jo të drejtë dhe jo proporcionale. Zgjidhja më e drejtë e cila do të reduktojë diferencat në tarifat on net dhe off net midis tyre është lënia e lirë tregut me pakicë për të adresuar këtë cështje, siç është evidentuar dhe në paketat tarifore të operatorëve në të cilat AMC ka një përafrim të tyre, mos dallim midis minutave brenda dhe jashtë rrjetit.
PLUS, masa të detyrueshme dhe të menjëhershme
Plus është dakord në parim me masat e propozuara nga AKEP, dhe gjykon se masat për problematikën në tregun celular duhet të jenë: të detyrueshme, të menjëhershme dhe vetëm për tre operatoret e mëdhenj në treg Vodafone, AMC dhe Eagle Mobile (i bashkuar me Albtelecom).
Në lidhje me masat e propozuara, Plus është dakord me Alternativën 1, pra:
- Operatori X ndalohet të aplikojë tarifa në nivel me pakicë që kanë efekt diskriminues për thirrjet brenda dhe jashtë rrjetit, d.m.th. tarifa të ndryshme brenda dhe jashtë rrjetit;
- Detyrimi për aplikim të tarifave të njëjta me pakicë on-net/off-net nënkupton që edhe ofertat/shportat/opsionet apo skontot në tërësi duhet të kenë nivel të njëjtë on-net/offnet: tarifa dhe/ose sasi minutash të përfshira në ofertë/pagese fikse;
- Tarifat on-net të jenë të barabarta me ato off-net vetëm për operatorët Vodafone, AMC dhe Eagle Mobile (i bashkuar me Albtelecom) si për tarifat standarde ashtu edhe për ofertat/shportat/opsionet apo skontot në tërësi të hedhura në treg nga këta operatorë;
- AKEP të monitorojë në mënyrë periodike dhe të vazhdueshme zbatimin e masave rregullatore në tregun e pakicës për tre operatorët e tjerë dhe të kontrollojë plotësimin e detyrimit për aplikimin e tarifave të orientuara drejt kostos si për tarifat standarde ashtu edhe për ofertat/shportat/opsionet apo skontot në tërësi të hedhura në treg për të tre operatorët e mëdhenj, bazuar në detyrimin për ndarjen e llogarive dhe raportimin në AKEP të kostove të vendosura këtyre operatorëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.