Censi 2020: INSTAT do numërojë popullsinë

16/05/2018 3:45 PM 0 komente

Censi i vitit 2020 si shtylla kryesore e sistemit kombëtar të statistikave dhe sfidat e tij kanë qenë temat kryesore të diskutimit në takimin e parë përgatitor të organizuar nga INSTAT në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri. Duke qenë se ky është procesi më i rëndësishëm demografik i një vendi, kërkon një përdorim të madh burimesh financiare dhe njerëzore.

Censi 2020 do të ketë një kosto rreth 16.2 milion lekë.

Nga pikëpamja e efektivitetit të kostos, qëllimi i këtij Censi është të planifikohet dhe të kryhet në një mënyrë sa më pak të kushtueshme, pa kompromentuar objektivat e tjerë strategjikë. Objektivat e Censit 2020 kanë të bëjnë me minimizimin e kostos duke adoptuar qasje dhe teknologji sa më eficiente lidhur me grumbullimin, kapjen dhe procesimin e të dhënave.

Në fjalën e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Znj. Delina Ibrahimaj, u shpreh se Zhvillimi ekonomik dhe social i një vendi duhet të mbështetet në vendimmarrje të bazuar në të dhëna të sakta, ndaj dhe prodhimi në kohë dhe me saktësi i statistikave është thelbësor. “Roli thelbësor i Censit të popullsisë dhe banesave është të mbledhë, përpunojë dhe të shpërndajë të dhënat e detajuara për këto njësi të vogla në lidhje me popullsinë, përbërjen e saj, karakteristikat, shpërhapjen hapësinore dhe organizimin e njësive ekonomike familjare. Roli kryesor i një censi është të prodhojë një numërim të saktë të popullsisë rezidente të një vendi. Ndërsa në terma të administrimit publik, ky numërim është i nevojshëm dhe përdoret në shumë vende për ndarjen e barabartë të fondeve publike apo dhe për organizimin e proceseve zgjedhore”, tha Znj. Ibrahimaj.

I pranishëm në këtë takim, Z. Mario Mariani, Drejtues i Zyrës së Bashkëpunimit pranë Delegacionit të BE në Tiranë, tha se për të lehtësuar dhe shpejtuar procesin e regjistrimit të popullsisë është shumë e rëndësishme të merren masa në përgatitjen e regjistrave dixhitale në sistemin e njësive vendore të qeverisjes. Sipas tij, ky është hapi i parë dhe i duhuri drejt arritjes së qëllimit.   Për këtë arsye, INSTAT do të nisë zbatimin e projektit “Mbështetje për Statistika të Forta Vendore Shqiptare” (SALSTAT), i cili ka për qëllim të ndërtojë dhe mbajë një regjistër statistikor në nivel lokal (nga Bashkitë) dhe në nivel kombëtar (nga INSTAT).

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz