Drejtoria e Përgjithshme e Doganave organizoi sot një ceremoni, e cila në qendër të tubimit të saj kishte përfundimin e stazhit profesional, që ky institucion i kishte ofruar disa studentëve, nëpërmjet thjesht një aplikimi online.
Ky stazh ka patur një kohëzgjatje nga 21 korriku i 2014, deri më 19 shtator 2914, ku dhe studentët u çertifikuan nga ky institucion.
Në fjalën e saj, drejtoresha e përgjithshme e Doganave, znj. Elisa Spiropali shprehu falenderimin për pjesëmarrjen dhe interesin e studentëve shqiptar, që kanë studiuar brenda dhe jashtë vendit. Ajo gjithashtu theksoi ndryshimin e Drejtorisë së Doganave, nga një institucion i mbyllur që ishte deri më dje, në një vend të hapur, që i jep mundësinë edhe studentëve të bëhen pjesë e tij, duke e njohur.
Znj. Spiropali listoi numrin e drejtorive, në të cilat stazhi ishte dhe do të jetë i mundur edhe në të ardhmen. Përveç drejtorive të brendshme, edhe në pikat e ndryshme doganore në Shqipëri.
“ Studentët u mirëpritën nga administrata shqiptare. Gjatë këtyre dy muajve, i sollën një frymë të re, në dy drejtime: mundësitë e hapura dhe nga ana cilësore. Dogana tashmë ka disa prioritete, aspektin teknologjik dhe zhvillimin e mëtejshëm të saj ; sofistikimin, investimin dhe rritjen e të ardhurave dhe tjetër, mund të listoj një prioritet, i cili qëndron mbi të tjerat, e ai është transformimi i administratës shqiptare në nivelet europiane. Jemi të lumtur që studentët ishin si fidanishte për t’u afruar me ne dhe i sugjerojmë atyre të mos i shkëpusin kontaktet. “, përfundoi fjalën e saj drejtoresha Spiropali.
Në vijim të kësaj ceremonie, morën fjalën edhe disa nga stazhierët në këtë institucion, të cilët shprehën në vija të përgjithshme falenderime dhe përfitimet e tyre nga kjo mundësi.
Ndërkohë, pjesëmarrës në këtë ceremoni ishte edhe ministri i Financave Shkëlqim Cani, i cili vuri theksin te transparenca dhe përmirësimi i imazhit të administratës shqiptare dhe vendosja e një standarti të ri të punësimit. Sipas tij, ligji dhe funksionimi i tij është mbi gjithçka, nuk duhet të mendoni si dikur se ministri apo drejtori mund të marrë në punë këdo. Ministri Cani vijoi: “Duhet të përmirësohet imazhi i doganave ashtu sikurse edhe e institucioneve të tjera shtetërore. Duhet konkurs i hapur, sipas kushteve specifike që ju mund t’i keni parë dhe në fund të fitojë më i miri. Ju kërkoj dy gjëra: 1. Lini gjurmë dhe jepni një përshkrim sado të thjeshtë të punës që kryet këto dy muaj 2. Balancimi ç’është e mirë dhe ç’është e keqe në Dogana. Jepni mendimin tuaj, që edhe ne të reflektojmë për të ardhmen.”
Në fund të fjalës së tij, ministri Cani përgëzoi stazhierët dhe i ftoi, pse jo, të konkurojnë për punësim, sipas rregullave.