Është koha e CES, përsëri (Consumer Electronics Show) – eventi më i madh i teknologjisë në botë, i cili zhvillohet në Las Vegas. Gjatë këtyre ditëve do të mbahen konferenca shtypi e do të prezantohen edhe shumë pajisje të reja teknologjike.
Në këtë konferencë (CES 2017), kompania koreanojugore Samsung do të prezantojë më 5 janar tre smartphonë të rinj të Serisë A – A3, A5 dhe A7, të cilët do të dalin në shitje në mes të muajit janar.
Duke u hedhur një sy karakteristikave teknike, pajisjet e reja të serisë Galaxy A do të jenë rezistente ndaj ujit dhe pluhurit, falë standardit IP68.
Në lidhje me fotokamerat, Samsung në një deklaratë të mëparshme tha se do të jenë në gjendje të bëjnë fotografi me cilësi më të mirë, edhe në kushte me pak dritë përqark.
Kamera e pasme te modelet A7 dhe A5 do të jetë 16 megapiksel, ndërsa tek A3 do të jetë 13 megapiksel. Të tre smartphone-t do të jenë të disponueshëm në katër ngjyra.
Karakteristika teknike të Samsung Galaxy A3, A5, A7
Samsung Galaxy A3
E nisim me Samsung Galaxy A3. Modeli i ri i familjes A, Samsung Galaxy A3, do të ketë një ekran HD 4,7 inç Super AMOLED, procesor Exynos 7870 Octa-core me frekuencë 1,6 GHZ. Samsung Galaxy A3 do të ketë memorie të brendshme 16 GB, e cila mund të zgjerohet me një MicroSD deri në 256 GB, si dhe 2 GB memorie RAM. Fotokamera e pasme e A3 do të jetë 13 megapiksel, me flesh Led, kurse fotokamera e përparme 8 megapiksel.
Samsung Galaxy A3 do të jetë dual-SIM. Do të ketë sistem operativ Android 6.0 Marshmallow dhe portë USB, tipi C. Ky model do të ketë të përshirë edhe sensorin për gjurmë dixhitale.
Samsung Galaxy A5
Në krahasim me modelin e mëparshëm, Samsung Galaxy A5 do të ketë një ekran më të madh dhe me rezolucion më të mirë. Ekrani do të jetë 5,2 inç Full HD Super AMOLED. Për sa i përket procesorit është Exynos 7880, me frekuencë 1,8 GHz. Samsung Galaxy A5 do të ketë memorie të brendshme 32 GB dhe memorie RAM 3 GB. Ajo që të befason te ky model janë fotokamerat (të dyja 16 megapiksel).
Ashtu si A3, Samsung Galaxy A5 do të ketë sistem operativ Android 6.0 Marshmallow, portë USB të tipit C dhe do të jetë me dy karta. Samsung Galaxy A5 do të ketë të integruar edhe lexuesin biometrik.
Samsung Galaxy A7
Samsung Galaxy A7 mbyll gamën e smartphone-ve të Serisë Galaxy A.
Samsung Galaxy A7 ka një procesor që, krahasuar me dy modelet e mëparshme, është pak më i shpejtë, falë frekuencës 1,9 GHz. Telefoni është superior edhe për sa u përket dimensioneve të ekranit – 5,7 inç, gjithnjë Full HD Super AMOLED. Ashtu si A5, do të ketë 3 G RAM dhe memorie të brendshme 32 GB. Është identik me vëllain e tij më të vogël për sa i përket fotokamerave, që do të jenë të dyja 16 megapiksel. Edhe Samsung A Galaxy 7 do të jetë me dy karta, si dhe do të ketë të përshirë lexuesin për gjurmët dixhitale. Sistemi operativ është i njëjtë me dy të parët: Android 6.0 Marshmallow.
Çmimi dhe data e daljes në treg
Sa i përket çmimit, për momentin, sipas zërave thuhet se A3 dhe A5 do të kushtojnë respektivisht 329 dhe 429 euro. Të tre modelet do të dalin në shitje në Europë në mes të janarit.