“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pjesa tjetër e botës duhet të ndjekin shembullin e Europës sa i përket çështjes së privatësisë”, tha Tim Cook, CEO i Apple, në selinë e Parlamentit Europian, gjatë zhvillimit të International Conference of Data Protection and Privacy Commissioners 2018, në Bruksel.
“Apple nuk rresht kurrë së prodhuari teknologji të reja, duke shpresuar të përmirësojë botën. Por e dimë se teknologjitë nuk mund të përmirësojnë botën nëse nuk përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjes: Në ç’lloj bote duam të jetojmë?”.
Ka kompani që shfrytëzojnë të dhënat e përdoruesve në mënyrë të pakontrolluar. “Njerëzit kanë të drejtën të dinë se cila kompani mbledh të dhëna për ta dhe mënyrën se si i përdor ato; kompanitë duhet të mbledhin vetëm të dhënat e nevojshme që t’u ofrojnë njerëzve shërbimin, pasi të dhënat u përkasin qytetarëve” – vijon Cook. “Nuk është e vërtetë që të rregullosh tregun do të thotë të kufizosh zhvillimin. Përkundrazi, zhvillimi i teknologjisë varet nga besimi që njerëzit mund të kultivojnë në atë teknologji”.
Për gjithë këto arsye, rregullat janë të rëndësishme. Dhe nëse nuk ekzistojnë, duhen vënë. “Apple është krijuar nga rebelë që nuk i pranonin rregullat e botës së tyre në emër të rregullave që i konsideronin më të mira.
Dhe Steve Jobs ka besuar gjithnjë te privatësia. Ne në Apple projektojmë teknologji duke menduar për ndikimin e tyre në shoqëri. Inteligjenca Artificiale duhet të respektojë vlerat e shoqërisë, ndryshe nuk është inteligjente. Ata që krijojnë teknologji, duhet të ndihen përgjegjës për pasojat e tyre sociale. Çdo ditë, në punën tonë, duhet të përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjes: ‘Në ç’lloj bote duam të jetojmë’?”.
Data Protection Supervisor është lideri që kërkoi zhvillimin e konferencës dhe që udhëhoqi diskutimin në një terren të guximshëm dhe të rëndësishëm: marrëdhëniet midis ligjit dhe etikës. Giovanni Buttarelli, mbikëqyrësi i European Data Protection Supervisor, kujtoi natyrisht GDPR, direktiva e re europiane për mbrojtjen e të dhënave personale – që Tim Cook dëshiron të frymëzojë ligjin amerikan – por theksoi që është e nevojshme nxitja e debatit përtej çështjes së përcaktuar me ligj për të hyrë në botën më të gjerë dhe më pak të përcaktuar të etikës.
“Gjatë një konsultimi që kemi zhvilluar kohët e fundit, pjesa më e madhe e të anketuarve argumentuan se etika është e nevojshme për të drejtuar shoqërinë dixhitale në drejtimin e duhur” – kujtoi Buttareli. “Respektimi i ligjit në letër është i rëndësishëm, por nuk mjafton. Etika vjen e para, gjatë dhe pas ligjit. Plotëson boshllëqet e mbetura nga ligji. Sfidon ligjin dhe atë që e shkruan, ta përmirësojë. Njëherë e një kohë skllavëria ishte e paligjshme, por etika shërbeu për ta luftuar dhe për ta shfuqizuar atë. Në çështjen e etikës dixhitale janë përfshirë dimensione të rëndësishme të demokracisë, drejtësisë, të përqendrimit të pushtetit, të vlerës së të dhënave të secilit dhe të avantazhit të njerëzve. Të gjithë revolucionet shkaktojnë viktima. Duhet të ripërtërijmë vlerat që shërbejnë për të drejtuar shoqërinë drejt së ardhmes”.
Burimi: Il Sole 24 ore