CEZ Shpërndarje, në një njoftim zyrtar për shtyp, ka bërë publike të dhënat mbi Arkëtimet dhe Humbjet për vitin 2012 të cilat rezultojnë si vijon:
Të dhënat e arkëtimeve te CEZ Shpërndarje në tremujorin e tretë 2012 arritën në nivelin 89% dhe në Tetor tejkaluan 98%. Zhvillimet pozitive, sipas CEZ, erdhën si rezultat i masave intensive për arkëtime të aplikuara nga shoqëria, fokusuar kryesisht te debitorët e mëdhenj dhe kabinat me nivelin më të lartë të debisë, duke përdorur të gjitha mjetet për ndërprerjen e furnizimit me energji për debitorët dhe fillimin e procedurave përmbarimore (grafiku1: Niveli i Arkëtimeve në % për vitin 2012)
Humbjet në rrjetin e shpërndarjes qëndruan në nivele të lartë përgjatë muajve të parë të 2012-ës, kryesisht për shkak ndërhyrjeve për përmirësimin e të cilësisë së furnizimit me energji dhe pamundësisë së investimeve të nevojshme. Në shtator dhe tetor, nisi aplikimi i disa programeve të rinj për reduktimin e humbjeve, që sollën rezultatet e para duke i ulur humbjet në nivelin 36% në muajin tetor. (graf 2: Humbjet në % për vitin 2012)
Pavarësisht rezultateve të sipërpërmendura, të arritura falë përpjekjeve dhe masave tona për stabilizimin e arkëtimeve, ne vumë re një rënie në arkëtime në javët e para të nëntorit. Për këtë arsye, duke ju referuar detyrimeve ligjore dhe kontraktuale, CEZ Shpërndarje ndërmori disa masa për përmirësimin e aktivitetit. Duke qenë se shuma që institucionet shtetërore dhe entet e tjera publike i detyrohen CEZ Shpërndarje, është në total më shumë se 23 miliard Lek, në datën 16 nëntor, pas shumë takimeve dhe ofertave për zgjidhje të mundshme, shoqëria e shpërndarjes së energjise filloi të gjitha procedurat ligjore, pasi pati paralajmëruar publikun, duke ndërprerë energjinë për kompanitë e ujësjellësit, të cilat në total i detyrohen CEZ Shpërndarje 5.4 miliard Lek. Shoqëria e shpërndarjes së energjisë në vazhdimësi ofroi të gjitha skemat lehtësuese për shlyerjen e debisë, përfshi këtë edhe marrëveshjen për shlyerjen e borxheve me kompensim me KESH
Në të njëjtën ditë, pohon CEZ, Policia e Shtetit, në mënyrë abuzive dhe arbitrare, në shkelje të hapur të legjislacionit shqiptar, kërcënoi punonjësit tanë ndërkohë që ata ishin duke kryer detyrën e tyre për shkëputjen e furnizimit me energji elektrike të debitorëve. Kjo kulmoi me arrestimin e punonjësve tanë dhe mbajtjen disa prej tyre në paraburgim për më shumë se 48 orë. Edhe sot, dy nga gjashtë punonjësit e arrestuar janë ende duke u mbajtur nën arrest. Më 17 nëntor, një ditë pas ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike të kompanive të ujësjellësave debitorë ndaj CEZ Shpërndarje, një vendim I Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë i cili e ndalon CEZ Shpërndarje që të vazhdojë me ndërprerjen e furnizimit për ujësjellësat që rezultojnë debitorë, na detyroi që të fillojmë menjëherë procesin e rilidhjes të kompanive të ujësjellsave, brenda afateve të arsyeshme, megjithëse duke bërë të ditur se CEZ Shpërndarje rezervon të gjitha të drejtat për ta apeluar këtë vendim të padrejtë deri në Arbitrazhin Ndërkombëtar, si një veprim tjetër shpronësimi indirekt dhe ndalimi me forcë të ushtrimit ligjor të aktivitetit të shoqërisë.
CEZ Shpërndarje dëshiron të sqarojë për të gjithë publikun se, ashtu si edhe në të kaluarën, ne sërisht i bëjmë thirrje të gjithë institucioneve dhe autoriteteve publike përkatëse, përfshirë ERE, qeverinë dhe policinë e shtetit, që të mbështesin të gjitha aksionet e shoqërisë për mbledhjen e borxheve dhe të na mbështesin nëpërmjet thirrjes publike për pagesën e energjisë nga të gjithë debitorët, privatë apo publikë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.