Secili prej nesh mund të ketë përgjigje të ndryshme për këtë pyetje, sepse ka shumë arsye të cilat secili prej nesh mund t’i konsiderojë si motivuese për të pasur një karrierë jo vetëm më produktive por mbi të gjitha sa më pozitive. Ja se cilat janë disa prej arsyeve më motivuese për një pjesë të madhe punonjësish:
1. Paraja
Gjëja e parë që ne e konsiderojmë fillimisht si forcën më motivuese dhe frymëzuese në punën tonë janë paratë. Pagesa, është një prej arsyeve kryesore që shtyn një numër të madh njerëzish drejt zgjedhjes së karrierës së tyre. Ajo është një mjet shumë i rëndësishëm, që na mundëson që të bëjmë stilin e jetës që dëshirojmë. E vetmja gjë që nuk mund të blihet me para është lumturia, gjë kjo e vërtetuar edhe nga lajme të ndryshme për njerëz shumë të pasur të cilët përpos pasurisë së tyre janë të palumtur.
2. Qëllimi
Nëse duam që të kemi një jetë sa më të mbushur, ne duhet të kemi një qëllim të caktuar në jetën tonë. Ata të cilët nuk kanë një qëllim të caktuar shpehherë janë edhe ata persona që bien më shpejt në depresion. Të gjithë atë që kanë një qëllim dhe një objektiv të caktuar për të arritur, ndihen shumë më të sigurtë në punën e tyre sepse e dinë fare mirë drejtimin që duhet të marrin për të shkuar drejt tij. Të pasurit e një qëllimi të caktuar bën që njerëzit të kenë një besim më të lartë në veten e tyre dhe një arsye e tillë është më e rëndësishme se ajo e parave, sepse këto të fundit vijnë dhe ikin.
3. Të bësh ndryshimin
Nuk ka asgjë me përmbushëse dhe plotësuese sesa të diturit që me idetë tona dhe me punën tonë ne kontribuojmë në këtë botë duke sjellë një ndryshim. Mund të ketë shumë njerëz që kanë një punë që i jep atyre një pagesë shumë të mirë por që në fund të ditës ata largohen duke marrë me vete edhe një nivel shumë të lartë stresi. Në fund të fundit, ne shpenzojmë pjesën më të madhe të kohës sonë në punë, prandaj duhet të përpiqemi që të gjejmë arsye që kjo karrierë të mos ndikojë negativisht jo vetem tek ne, por as tek kolegët që na rrethojnë.
4. Të marrësh përsipër përgjegjësitë
Puna jonë mund të jetë e shoqëruar me një nivel të lartë stresi, por të qenët i papërgjegjshëm e rrit akoma edhe më shumë këtë nivel stresi. Të qenët i përgjegjshëm shoqërohet me shumë faktorë pozitivë, të tillë si një mirëbalancim i jetës personale me atë profesionale, arritje më të mëdha profesionale, motivim dhe mbi të gjitha rritje të vetëbesimit.
5. Sfidat
Ne rritemi akoma më shumë profesionalisht kur përballemi me sfida të ndryshme. Nëse ne nuk përballemi me sfida, atëherë ne nuk do të motivohemi për të dhënë më të mirën tonë të mundshme. Edhe nëse sfidat janë të vështira dhe ju në fund edhe mund të humbisni, e rëndësishme është që ju të nxirrni një mësim.
6. Komuniteti
Ambienti i punës në të cilin ne punojnë është shumë i rëndësishëm, sepse suksesi nuk është kurrë meritë e një njeriu të vetëm por është puna e një skuadre të mirë.
7. Mirënjohja
Një tjetër aryse shumë motivuese është edhe mirënjohja. Secili prej nesh do të dëshironte që në fund të një projekti të caktuar, i cili ka dalë më sukses të lavdërohej nga eprorët e tij dhe pse jo të merrte edhe shpërblim monetar. Ka forma të ndryshme të shfaqjes së mirënjohjes, të tilla si: një kompliment, ngritje në detyrë, bonuse, dhe inkurajimi për projketin e ardhshëm.