Çfarë mund të bëjë BE-ja për të ndëshkuar Poloninë? Mundësitë janë të kufizuara

12/08/2017 8:05 AM 0 komente
monitor 792.indd

Në mesin e viteve 1990, kur Bashkimi Europian filloi të zgjerohej në lindje, politikanët e tij u përballën me një pyetje të ndërlikuar. Për t’u bashkuar me bllokun, vendet duhej të ecnin në të njëjtën linjë të standardeve demokratike, të drejtave të njeriut dhe sundimin e shtetit ligjor. BE-ja kishte shumë ndikim mbi anëtarët që aspironin të bëheshin pjesë e saj.

Po sikur, menjëherë pasi të ishte bërë pjesë e këtij bashkimi, një shtet i caktuar t’u kthente kurrizin këtyre vlerave dhe të mos i përmbushte më? Çfarë do të ndodhte në atë rast?

Neni 7, ishte përgjigjja e dhënë nga BE-ja. Një version i tij u shfaq fillimisht në Traktatin e Amsterdamit në vitin 1999. Qeveritë e atyre shteteve që shkelën vlerat themelore të Bashkimit do të kërcënoheshin me sanksione, duke përfshirë këtu edhe pezullimin e së drejtës së votës. Austria ka një ndër shtetet më këmbëngulëse për futjen e Nenit 7.

Por, në vitin 2000, kur Partia e Lirisë së ekstremit të djathtë të Jörg Haider u përfshi në një qeveri koalicioni, ajo u ndie e kërcënuar. BE nuk e pezulloi të drejtën e votimit të Austrisë, por vendosi disa sanksione (kryesisht simbolike). Ato nuk funksionuan dhe z. Haider vazhdoi të gëzonte po të njëjtin popullaritet.
Pas çështjes Haider, BE-ja e ndryshoi Nenin 7, duke shtuar një periudhë paralajmëruese përpara vendosjes së sanksioneve të caktuara.

Paralajmërimi zyrtar kërkon një shumicë votash prej katër të pestave të Këshillit Europian; kjo formë dërgon një sinjal të fortë se ekziston një “rrezik i madh për një shkeljeje serioze” të vlerave të BE-së. Imponimi i sanksioneve të caktuara kërkon edhe mbështetjen unanime të të gjitha shteteve anëtare.

Që kur Partia Nacionaliste Polake për Ligj e Drejtësi fitoi një shumicë të ngushtë parlamentare në vitin 2015 dhe vendosi për heqjen e kontrolleve ndaj saj, diskutimet në lidhje me nenin 7 janë rritur shumë. Viktor Orban, Kryeministri i Hungarisë, i cili ka pasur rezerva në lidhje me Nenin 7, e ka quajtur kritikën e BE-së ndaj Polonisë si një “inkuizicion”.

Megjithatë, sipas Daniel Kelemen, një ekspert për të drejtën e BE-së në Universitetin Rutgers, edhe thjesht forma e paralajmërimit zyrtar, është një hap i rëndësishëm, sepse kjo lëvizje do të ndikojë në rritjen e presionit politik mbi Partinë Nacionaliste Polake për Ligj dhe Drejtësi.

Më 26 korrik, Komisioni Europian njoftoi se do të rishikojë pjesën e parë të Nenit 7, në qoftë se qeveria polake do të rinisë përpjekjet për të shkarkuar gjyqtarët nga Gjykata e Lartë.

Në të njëjtën ditë, Komisioni ndërmori një procedurë shkeljeje kundër Polonisë për një ligj të tretë, nënshkruar nga Presidenti Andrzej Duda, i cili i jep qeverisë më shumë kontroll mbi gjykatat. Përveç Nenit 7, në të ardhmen, BE-ja mund t’i kërkojë Polonisë plotësimin e disa kushteve të caktuara në lidhje me ndihmën që i jep asaj.

Por kjo do të kishte rezultat nëse qeveritë kombëtare të Bashkimit do ta përkrahnin këtë nismë.
Deri më tani, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nuk janë shprehur fare në këtë drejtim.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz